Ditë vendimtare për Gjermaninë, qytetarët votojnë mes tensioneve të larta dhe destabilitetit

Gjermanët votojnë sot pas një fushate intensive zgjedhore të dominuar nga ekonomia e lëkundur e vendit të tyre dhe një sërë sulmesh vdekjeprurëse që e kanë bërë emigracionin dhe sigurinë një çështje kryesore.

Friedrich Merz, lideri konservator 69-vjeçar, është favoriti për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, në një votim të ndjekur nga afër në Europë dhe SHBA, shkruan A2 CNN.

Ai premton të rregullojë shumicën e problemeve në katër vjet. Nëse Kristian Demokratët e Merzit fitojnë, atij do t’i duhet të krijojë një aleancë me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi Social Demokratët e Olaf Scholz, qeveria e të cilëve u rrëzua në fund të vitit të kaluar, shkruan A2 CNN.

Përpara zgjedhjeve, Merz ka qenë i prerë në përjashtimin e çdo mundësie bashkëpunimi me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, që parashikohet të dalë forcë e dytë politike. 59.2 milionë gjermanë kanë të drejtë vote.

Miliona kanë bërë detyrën e tyre duke votuar me postë, ndërsa sondazhet tregojnë se 20 për qind e qytetarëve janë të pavendosur. Këto konsiderohen si një ndër zgjedhjet më të rëndësishme të Gjermanisë që pritet të ndikojnë, jo vetëm brenda vendit por edhe në mbarë botën.