“Djema, ruhuni!”, Lukashenko tregon si paralajmëroi Prigozhin dhe Utkin për vdekjen

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka reaguar për vdekjen e dyshimtë të liderit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, dy ditë pas avioni i tij u rrëzua rreth 60 milje larg Moskës.

Duke qenë se në qershor e mori ai rolin e ndërmjetësuesit me Putinin, duke ndalur “grushtin e shtetit” të grupit Wagner, Lukashenko është shprehur se ka paralajmëruar shefat e mercenarëve rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin për rrezikun që iu kanosej.

Lukashenko deklaroi se ai i ka kërkuar dy liderëve të Wagner që të ruheshin nga kërcënimet e mundshme ndaj jetës së tyre, por Prigozhin kishte hedhur poshtë dy herë shqetësimet e ngritura prej tij.

Lukashenko fillimisht tha se gjatë rebelimit ai e kishte paralajmëruar Prigozhin se do të “vdiste” nëse vazhdonte të marshonte drejt Moskës, ndërsa kreu i Wagner i ishte përgjigjur: “Në dreq të shkoj, do vdes“.

Më pas, Lukashenko tha se kur Prigozhin dhe Utkin e kishin takuar në Minsk, ai iu kishte thënë: “Djema – kini kujdes“.

Më tej për agjencinë e lajmeve BETA, miku i vjetër i Prigozhin dhe aleati më i afërt i Rusisë, tha se Putin nuk kishte asnjë lidhje me rrëzimin e avionit.

“Unë e njoh Putinin. Ai është llogaritar, shumë i qetë, madje i vonuar. Nuk e imagjinoj dot që Putin ta ketë bërë këtë, apo se Putini është fajtor. Është akuzë shumë e ashpër dhe joprofesionale”, u shpreh lideri bjellorus.

Në fund të reagimit të tij, Lukashenko tha se luftëtarët e Ëagner do të vijojnë të qëndrojnë në Bjellorusi.

“Wagner ekziston dhe do të vijojë të qëndrojë në Bjellorusi. Bërthama mbetet këtu. Përderisa ne kemi nevojë për këtë njësi, ata do të jetojnë dhe punojnë me ne“, tha Lukashenko.