Granit Xhaka foli në konferencën për shtyp të Zvicrës para ndeshjes me Danimarkën, ku u ndal edhe te fishkëllimat dhe fyerjet që mori në Serbi.
Zvicra humbi 2-0, në një ndeshje që kishte raste dhe penallti që humbi dhe mund të kishte përfunduar ndryshe.
“Do të isha befasuar po të ishte ndryshe”, ka thënë Xhaka kur është pyetur për fishkëllimat nga tifozët serbë.
Tutje ai ka thënë se lojtarët e Serbisë ishin shumë korrekt gjatë ndeshjes.
“Kam qëndruar i heshtur paraprakisht pasi nuk mund të ndryshosh rrethana të caktuara. Lojtarët ishim shumë korrekt. Natyrisht, do të doja t’i merrnim tri pikët”, deklaroi Xhaka.
Se sa i rëndësishëm është Granit Xhaka për Zvicrën, këtë e ka treguar përzgjedhjësi Murat Yakin në konferencë për shtyp.
“Qartë se ai do të luajë për kohë të gjatë. Lojtarët e tjerë do t’i japin fund para tij. Ai e shijon futbollin aq shumë dhe e udhëheq gjithë ekipin”, deklaroi Yakin.
Për lojtarët e larguar së fundi nga Zvicra, ku përfshihet edhe Xherdan Shaqiri, foli edhe Xhaka.
“Asnjëherë nuk dëshironi të humbni lojtarë. Dhe po, tre lojtarët që u pensionuan ishin shumë të rëndësishëm. Por kemi shumë lojtarë të rinj që kanë kualitet enorm. Dhe po, është proces. Por nuk kemi shumë kohë në ekipin nacional. Kemi disa ndeshje në vit dhe duhet të shfaqemi në to”, ka thënë Xhaka.