Presidenti i entitetit të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik ka komentuar takimin me të dërguarin special të qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin dhe ka folur për ligjshmërinë e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
“Unë ia dhashë (Sarrazinit) Aneksin 10 të Marrëveshjes së Dejtonit. Ai njeri nuk emërohet, aneksi thotë se ai zgjedhet nga palët, përkatësisht Kroacia, Serbia, Republika Srpska, Federata dhe disa nga Bosnja e Alias (Izetbegoviq), e cila më nuk ekziston dhe është niveli i përbashkët i Bosnje-Hercegovinës. Duhej te zgjidhnim një përfaqësues të lartë dhe atë ta konfirmonim Këshilli i Sigurimit. Kur thoni se kjo nuk është e drejtë dhe le ti referohemi Dejtonit, ata thonë se e mbështesim Schmidtin. Por, ai nuk ka autoritet. Çfarë BE-je dhe demokracie është kjo”, tha Dodik.
Ai komentoi edhe se policia do ta arrestojë Schmidtin nëse shkel territorin e Republika Srpska, raporton klix.ba.
“Kur më pyetën se cili është qëllimi im strategjik që policia jonë ta gjurmojë dhe ta largojë Schmidtin jashtë Republikës Srpska, unë thashë ta tërheqin në Gjermani. Gjithashtu thashë se gjëja më e rëndësishme për ne është çështja e pronës. Ata e sollën atë në bazë të asaj që ka bërë deri më tani, vetëm kur ta shohim se ka sjell vendimin për ligjin e pronës. Dhe unë thashë që nëse bëhet fjalë për këtë, menjëherë do të marrim vendimin për shpalljen e pavarësisë”, tha në fund lideri i serbëve të Bosnjës.
Ndryshe, në janar të vitit 2021, qeveria gjermane emëroi Schmidt si Përfaqësuesin e Ri të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën pasi dha dorëheqje diplomati austriak, Valentin Inzko. Rusia dhe Kina kishin kundërshtuar emërimin e Schmidt, nuk e njohin ligjshmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjes së Schmidt dhe refuzojnë të njohin autoritetin e tij.
Në nëntor të vitit 2021, Schmidt i dorëzoi raportin e parë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar se Bosnja dhe Hercegovina rrezikon të ndahet ndërsa mund të kemi edhe një konflikt të ri dhe paralajmëroi se nëse kjo ndodh, prania ushtarake ndërkombëtare duhet të rishikohet.