“Libertà”, gazeta kryesore e Piacenza-s, i ka kushtuar seksionin e saj “Cultura e Spettacoli”, dokumentarit mbi jetën e Pietro Marubbi-t, i cili do të shfaqet në edicionin XXIII të Concorto Film Festival në Pontenure gjatë muajit gusht.
Nën titullin “Pietro Marubbi, in un documentario la vita del patriota, pittore e fotografo” (Pietro Marubbi, një dokumentar mbi jetën e patriotit, piktorit e fotografit), artikujt e ndryshëm njohin lexuesin me figurën e tij dhe dokumentarin e realizuar nga Associazione Concorto, shoqëruar me imazhe nga arkivi i Muzeut “Marubi”.
Pjesë e programit të aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë ditëve të festivalit janë edhe laboratoret fotografike me studentë të frymëzuar nga krijimtaria e Pietro Marubbi-t.
Concorto Film Festival lindi më 2002, pranë Piacenza-s. Shpejt u shndërrua në një festival të rëndësishëm, ku grupit origjinal të organizatorëve iu bashkuan bashkëpunëtorë të rinj dhe stafi i dha vetes një organizim më të strukturuar, duke themeluar Associazione Concorto, e cila që nga ai moment do të kujdeset për menaxhimin dhe promovimin e festivalit, si dhe iniciativa të tjera, përfshirë edhe në fushën e edukimit, shkruan ATSH.
Thirrja për pjesëmarrje në festival është e hapur për produksione nga e gjithë bota dhe filmat e regjistruar shkojnë nga 72 në edicionin e parë, në mbi 3500 në të fundit.