Dorëshkrime e dokumente të De Radës në Shqipëri

Dorëshkrimet dhe dokumentet e Jeronim De Radës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë dhe rilindjes shqiptare, do të vijnë më në fund në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të marrë në dorëzim nga Biblioteka e Kozencës, 1/3-ën e arkivave të rilindësit Jeronim de Rada.

Lajmin e bëri me dije Drejtori i Arkivave Ardit Bido, duke thënë se kjo është bërë e mundur falë marrëveshjes mes dy institucioneve.

“DPA është i vetmi institucion shtetëror shqiptar që ka prezencë fizike në arbëreshët e Italisë, teksa kemi sjellë Shqipërinë pranë bashkëkombësve të atjeshëm nëpërmjet 12 Këndeve Arkivore të çelura në Sicili dhe në Kalabri. Konferenca do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh të tjera, si ekspozitë në Bari, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Luigj Gurakuqit, marrjen e 1/3 të dorëshkrimeve të Jeronim de Radës nga Biblioteka e Kozencës, teksa 2/3 gjenden në AQSH, aktivitet të përbashkët në Rosano, me përfaqësues të Muzeut të Rossano-s, ku strehohet simotra e “biblës tonë perandorake”, Kodiku i Beratit, si dhe vizita në disa prej katundeve arbëreshe të Kalabrisë dhe Pulias”, tha Bido.

Ekspertëve, arkivistëve dhe studiuesve të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, u bëhet me dije hapja e aplikimeve për pjesëmarrje në punimet e Konferencës së 9-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që do të organizohet më 13-17 qershor 2025, në një epiqendër të shqiptarisë, në Shën Mitër (San Demetrio Corone), në Kalabri të Italisë.

Materialet e përgatitura dhe të paraqitura prej kumtuesve, do të kurorëzohen me botimin e të vetmes revistë në fushën e arkivave anekënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”.

Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit dhe Elbasanit, Shën Mitri është ndalesa e radhës e konference periodike të arkivistikës, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar.