Një dokument historik, dorëshkrimi i Vaso Pashë Shkodranit, i publikuar për herë të parë në gazetën Djalëria, në qershor të vitit 1929, u gjet në arkivën e shtetit të Austrisë, në fashikullin e Kongresit të Berlinit. Dokumenti ishte zbuluar dhe i publikuar nga Dr. Pekmezi (Gjergj Pekmezi), dhe rrëfente për herë të parë përpjekjen e atdhetarëve shqiptarë për të shpëtuar Shqipërinë nga copëzimi në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Dokumenti ishte një letër e shkruar në gjuhën frënge nga Vaso Pashë Shkodrani dhe i drejtohej: Shkëlqësisë së tij: Grafit Andrassy, të parit të delegacionit fuqiplotë të Austro-Hungarisë në Kongresin e Berlinit.
Në artikull, shkruhet se dr. Pekmezi kishte punuar për disa kohë në arkivën e shtetit të Austrisë në vitin 1929, duke mbledhur rreth 3000 faqe materiale të tilla historike, të cilat i dorëzoi pranë Ministrisë së Arsimit të kohës.
Dorëshkrimi i Vaso Pashë Shkodranit, përmban kundërshtimin e copëtimit të Shqipërisë, një akt që u ndërmor nga disa shqiptarë të shquar të asaj periudhe, të cilët ndodheshin në Stamboll. Në vitin 1878, Shqipëria ndodhej në një gjendje të rëndë, pasi një pjesë e madhe e territorit të saj ishte rrezikuar nga marrëveshja e Shën Stefanit, e cila shpërbënte vendin duke i kaluar një pjesë shumë të madhe të territorit fqinjëve. Kongresi i Berlinit më vonë anuloi këtë marrëveshje dhe krijoi një zgjidhje të re për territorin shqiptar që do të sillte dëme më të vogla në lëshimin e territoreve.
Gazeta Tema publikon sot artikullin e shkruar në gazetën Djalëria në qershor 1929, bashkë me fotografinë e dokumentit origjinal të dorëshkrimit drejtuar Kongresit të Berlinit në vitin 1878.
Një dokument i çmuar i historisë shqiptare
Prej Dr. Pekmezi (Gjergj Pekmezi)
Ky dokument historik që po shpallet sot në gazetën Djalëria, u gjet prej të nënshkruarit në arkivën e shtetit të Austrisë, në fashikullin e Kongresit të Berlinit. Pas iniciativës së urdhërit të Naltmadhërisë së tij Zogut I, Mbreti i shqiptarëve, i nënshkruari(Dr. Pekmezi), ka kohë që po merret me kërkimin e dokumenteve historike këtu në Vjenë. Deri sot ka dorëzuar dokumente e akte të tilla Ministrisë së Naltë të Arsimit më tepër se 3000 faqe të shkruara me makinë shkrimi.
Ky dokument është protesta deri sot e panjohur dhe shpeshherë e përmendur prej shumë historishkruesish kundër copëtimit të Shqipërisë, i bërë prej disa shqiptarëve të shquar që banonin apo ndodheshin atëherë në Stamboll, nëpërmjet delegacionit fuqiplotë të Austro-Manxharisë, kontit Andrassy, dërguar Kongresit të Berlinit.
Këtë dokument historik, siç po duket qartazi prej origjinalit, e ka shkruar në gjuhën frënge me dorën e vet i famshmi Vaso Pashë Shkodrani, dhe pasi sikundër dihet, dorëshkrimet e këtij shkrimtari, vjershëtori e politikani të përmendur, kanë humbur. Besoj se ky dorëshkrim edhe nga kjo pikëpamje do të zgjojë te lexuesit tanë një interes të veçantë.
Kur është bërë kjo protestë më 1878, atdheu ynë ndodhej në robëri dhe në më të madhin rrezik të jetës së tij, sikundër dihet. Më 23 prill 1877, Rusia i shpalli luftë Turqisë dhe i hyri deri në Shën Stefan, afër Stambollit, ku më 3 mars u vunë bazat e paqes midis Rusisë dhe Turqisë dhe u nënshkrua e ashtuquajtura marrëveshje e Shën Stefanit. Sipas kësaj marrëveshjeje, rreth treqereku i Shqipërisë, vendet më të bukura, më të shëndosha e më të frytshme të atdheut tonë, të banuara prej shqiptarësh, marrëveshja i detyronte me ia lëshue, (sipas vjershëtorit tonë më të madhit At Gjergj Fishta, klyshve të Rusisë), dmth Serbisë, Malziut, Bullgarisë, po edhe një cope të majme Greqisë.
Më 13 qershor 1878, pas iniciativës së Britanisë dhe të disa shteteve të tjera, u çel Kongresi i Berlinit nën kryesinë e Bismarkut, u anulua marrëveshja e Shën Stefanit dhe u bë një marrëveshje tjetër ma e butë për Turqinë por edhe për Shqipërinë. Por prapë edhe pas kësaj marrëveshje tuj qenë Rusia tepër e fortë, atdheu ynë hupi gjymtyrët më çmueshëm të trupit të tij dhe padyshim kishte me hup shumë ma tepër po të mos çoheshin shqiptarët prej gjumi, po të mos protestonin, po të mos lidheshin me besën e motshme të shqiptarit në Prizren e po të mos luftonin si burrat për atdhenë e vet….
Përkthimi i dokumentit
Shkëlqësisë së tij: Grafit Andrassy, të parit të delegacionit fuqiplotë të Austro-Manxharisë në Kongresin e Berlinit
Shkëlqesë,
Në kohë kur në pëlqimin e Kongresit të përmbledhur në Berlin bisedohen çështjet politike më me rëndësi, edhe prej vendimeve të tij varet jeta dhe vdekja e kombeve të ndryshme të mbretërisë Osmane, populli shqiptar do të bënte me të vërtetë një vetvrasje po të mos nxitonte ta bënte të dëgjohej zëri i tij dhe t’i ndryshonte këtij të naltit Aeropag të Evropës dëshirat dhe protestat e tij.
Ne do të ishim indiskret, sikur në mes të punëve të rënda me të cilat po merret tash Kongresi, të bëjmë fjalë mbi histori, gjuhë dhe etnografi për të provuar qënien e Shqipërisë; kufizohemi duke treguar këtu kufinjtë e saj, të cilat nisin prej Tivari, Shkodër dhe gjithë malet e banuara prej llatinësh, Pejë, Kurshumli, Prishtinë, Leskovac, Vranjë, Shkup, Përlepë, Manastir, Florinë, Kostur, Grebenë, Pind, Kalarit, Artë dhe mbaron me gjirin e Ambrasit.
Kjo tokë që ndodhet ndërmjet vendeve të sipërpërmendura dhe të detit, përbën Shqipërinë sipas historisë, gjeografisë dhe etnografisë, ka qenë një pjesë e pandarë që prej katër shekujsh të mbretërisë Osmane dhe është bashkuar historia e saj ushtarake me historinë e Turqisë.
Populli shqiptar, i inspiruar prej traditave dhe interesave të tij, do të dëshironte të jetonte i bashkuar ngushtësisht me mbretërinë, nën spektrin e madhërisë së tij Sulltanit, dhe nuk pranon në asnjë mënyrë që të jetë i ndarë prej saj.
Por pas vendimeve të Shën Stefanit, mënyra e administrimit të brendshëm do të ndryshojë. Në këtë rast, populli shqiptar, pa i prekur të drejtat e përjetshme të sovranitetit të madhërisë së tij Sulltanit, kërkon që të formohet një komision për këtë qëllim, i përbërë prej shqiptarësh, i cili, nën mbrojtjen e Naltë dhe pëlqimin e Portës së Naltë, të mund të studiojë formën dhe të ndalojë rregullimin e institucioneve të reja lokale, duke ia përshtatur zakoneve dhe nevojave të vendit.
Duke i parashtruar dëshirat Kongresit dhe duke iu lutur që t’i marrë parasysh, populli shqiptar proteston përpara Evropës kundër aneksimit të çdo pjesë toke prej një tjetër kombi, dhe deklaron që është gati të sakrifikojë të tëra fuqitë e tij vitale dhe ushtarake për të përmbajtur këtë vendim të lartë, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë pas diktatit të të drejtave të tij dhe të nderit kombëtar.
Duke ju lutur Shkëlqesisë tuaj t’ja parashtroni Kongresit përmbajtjen e kësaj, dhe të mbrojnë me influencën e me ndjenjat e drejtësisë, kemi nderin të mbesim me respektin më të thellë, shërbëtorë të përunjur të Shkëlqesisë tuaj. /Përgatiti Luljeta Progni