E parë, por e padëgjuar ndonjëherë! Të braktisësh qytetin dhe të strehohesh në shpellë. Kjo ndodh me familjen Tralo në Tepelenë!
Familja s’ka ardhur për atraksion, por nga halli i madh, pasi pronari i shtëpisë ku jetonin me qira ka vendosur t’i dëbojë pasi do të ndërtohet një pallat.
Prej 5 muajsh Ervin Tralo me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur jetojnë në një kasolle, pranë shpellës në mal. Në kushte të paimagjinueshme këta vogëlushë për festa nuk kërkojnë lodra, por bukë.
“Dua bukë për drekë”, shprehet djali i mitur, ndërsa e motra thotë “dua shtëpi”. Ata shkojnë në shkollë duke bërë çdo ditë disa kilometra në këmbë, pa veshje dhe pa ushqim.
Ervin Tralo është i papunë. Ai mbledh bimë medicinale në lartësinë e malit Golik dhe ruan disa bagëti, të cilat i shet për të mbajtur frymën gjallë.
“Kam jetuar me qira në një shtëpi të vjeter në qytetin e Tepelenës. Shtëpinë e mori pronari, s’kisha të ardhura për të marrë shtëpi tjeter me qira dhe erdha tek kjo shpella. Mezi i ushqej fëmijët, duke mbledhur lule në mal. Dua një shtëpi, kush mundet të na ndihmojë”, shprehet kryefamiljari Ervin Tralo për Report TV.
“Fëmijët duan të hanë të vishen, të lahen. Ka raste që rrinë dy ditë pa ngrënë”, tha bashkëshortja e tij.
Jeta e këtyre fëmijëve të paushqyer e në ftohtë është në rrezik.