Drejtori i Policisë së Tiranës paraqitet në SPAK

Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi është paraqitur mesditën e të premtes në ambientet e Strukturës së Posaçme.

Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, kryepolici i kryeqytetit nuk ka dhënë një deklaratë për mediat.

Ende nuk dihet arsyeja zyrtare e thirrjes së titullarit të Policisë së Tiranës.

Kujtojmë që, më 14 shkurt Gjykata e Posaçme (GJKKO) dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) dërguan shkresa zyrtare për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, duke e konsideruar sjelljen e tyre si “të paprecedentë, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin”.

Kjo, lidhur me protestën e zhvilluar asokohe para ambienteve të institucioneve të drejtësisë nga punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetës të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj.

Struktura e Posaçme thekson se “protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët”.

“Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre”, vijon reagimi i institucioneve të reja të drejtësisë.

GJKKO-ja i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin “masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura”, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë.

Kjo shkresë i është drejtuar po ashtu Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke mos përfshirë Ambasadën Amerikane në Tiranë.