Dy persona janë arrestuar në Austri nën dyshimin për planifikimin e një sulmi në koncertet e këngëtares së njohur Taylor Swift, sipas raportimeve nga gazeta austriake “Kronen Zeitung” dhe zyrtarët austriakë.
Njëri nga të arrestuarit është një 19-vjeçar austriak me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, që jetonte me familjen e tij në Ternitz. Sipas Kronen Zeitung, ai u arrestua “nën dyshime të forta për terrorizëm”.
Në platformën X, bordi i turizmit të Vjenës njoftoi se biletat për tri koncertet e Taylor Swift në stadiumin Ernst-Happel për të enjten, premten dhe të shtunën janë shitur plotësisht.
Foto: Krone Kreativ
Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, deklaroi se autoritetet kishin identifikuar “veprime përgatitore” për një sulm të mundshëm dhe se koncertet e Taylor Swift në Vjenë ishin ndër objektivat e 19-vjeçarit.
Sipas agjencisë austriake të lajmeve “Austria Press Agency”, i riu ishte betuar për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik dhe mendohet se ishte radikalizuar në internet. Ruf shtoi se substanca kimike janë siguruar dhe janë në proces vlerësimi, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Arrestimi tjetër u bë në Vjenë, sipas gazetës. Zyrtarët e qytetit të Vjenës ende nuk kanë bërë një deklaratë mbi këtë çështje.
Foto: Krone Kreativ
Për shkak të këtyre ngjarjeve, të tri koncertet e saj të parapara të mbaheshin në vjenë – janë anuluar. Këngëtarja do të rikthehet me performancat e radhës në “Wembley Arena” të Londrës.