NGA ELSA SKËNDERI
Dy mendime pas pushimeve në Sarandë
1. Qyteti i ngjante një kantieri të shkalafitur, me godina që bojatiseshin nga ca punëtorë të këputur, në moshë të shkuar, gropa e kanale të hapura rrugëve, shkallë që shkuleshin me fadroma dhe tabela paralajmëruese “kujdes ku kalon”. Ehh, ku të kaloje!
Për të mos folur pastaj për bathorizimin e tmerrshëm që i është bërë qytetit ndër vite. Pa asnjë sistem, pa asnjë plan urbanistik. Një babëzi e rrëmujshme për të ndërtuar ngamos!
Kushdo që ka pasur gisht në qeverisjen lokale të qytetit, ish dashur ta donte më tepër atë qytet të bekuar nga natyra! Por duket që asfare s’e kanë dashur Sarandën!
2. Saranda gëlonte nga turistët: nordikë, italianë, spanjollë, polakë, rumunë! Aq sa kamerierët të prisnin me “welcome” sa të shkelje në një bar a restorant. Kjo sigurisht gjë fort e mirë, por qyteti nuk dukej të qe gati për kaq miq. (Ah, kamerierët ishin gjimnazistë, që mesa duket iu ka ardhur radha të punojnë, ngaqë më të rriturit kanë ikur prej kohësh nga vendi. E dikush duhet të shërbejë, mirë a keq)
3. Papastërtia rrugëve ishte e shëmtuar. S’pamë askund dikë që të fshinte a pastronte rrugët. Koshat, që mezi i gjeje, ishin të mbushur kapicë e të pazbrazur moti. Një gjë të tillë, për shembull, në Vlorë nuk ta zë syri. Dhe punonjësit e pastrimit të ishin me pushime, vallë?
4. Nuk më pëlqen të diskutoj për ato cic-micet e zakonshme të çmimeve, po Dhërmiu ishte ku e ku më i arsyeshëm se Ksamili, ku rrezik e shukje tjetrin po ta hapje krahun për not pashë!
Të ketë ditur gjë nga këto, ai filani, kur këndonte atë këngën e zbaritur, “Moj Saranda, moj Delvinë, kush ta prishi bukurinë?!