Një person është arrestuar të mërkurën në Gjakovë nën dyshimin se ka hedhur molotov në drejtim të Policisë.
Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Sheremet Elezaj, ka thënë se i dyshuari ka hedhur lëndë djegëse në disa vetura të Policisë që kanë qenë të parkuara, dy prej të cilave janë përfshirë nga zjarri.
“Sot rreth orës 17:50, i dyshuari mashkull kosovar i moshës madhore është arrestuar pasi që i njëjti, për motive ende të panjohura, ka hedhur lëndë djegëse në disa vetura të Policisë të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë. Dy vetura janë përfshirë nga zjarri i cili është lokalizuar shumë shpejt”, ka thënë Elezaj.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar rast “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.