Videoja në të cilën një turist duket se gdhend emrin e tij dhe të partneres te Koloseum në Romë duke përdorur çelësa ka shkaktuar bujë dhe zemërim në internet.
Në videon e regjistruar nga një dëshmitar okular, turisti shihet duke gdhendur “Ivan + Hayley 23”, në monumentin gati 2000-vjeçar.
“A e ke seriozisht shoku?”, dëgjohet të thotë dëshmitari okular i cili edhe po e filmon këtë akt të tij.
Ajo që shkakton akoma më shumë zemërim është se turisti pasi e kuptoi që u pikas jo vetëm nuk u ndal, por u kthye duke buzëqeshur drejt kamerës.
Theksojmë se sipas ligjit italian nëse ky turist do të gjendet, atëherë ai mund të gjobitet deri në 20 mijë euro, ndërsa rrezikon edhe burgimin, pasi Koloseum është cilësuar si trashëgimi kulturore botërore.