Të paktën 7 persona kanë mbetur të plagosur, 5 prej të cilëve në gjendje të rëndë, si pasojë e dhjetëra të shtënave me armë në një autostradë në Kentucky të Shteteve të Bashkuara, të cilat u pasuan dhe me aksidentete rrugore.
Të shtënat nisën pasdite në rrugën Interstate 75, kur një person i fshehur në pyll nisi të qëllonte me armë zjarri të gjitha makinat që kalonin, në të dyja anët e autostradës.
Autori i kësaj ngjarje të pazakontë dhe pa një motiv të qartë është Joseph A Couch, i cili është shpallur në kërkim, teksa qindra efektivë policie kanë rrethuar zonën dhe janë vënë në ndjekje të tij.
32 vjeçari konsiderohet i rrezikshëm dhe i armatosur, dhe për këtë arsye banorëve të zonës iu kërkohet të qëndrojnë në shtëpi, teksa një foto e të dyshuarit qarkullon në media dhe rrjetet sociale.
Aktualisht, siç raporton A2, autostrada Interstate 75 është e mbyllur, ndërkohë që sherifi i zonës në një reagim për mediat konfirmoi se jo të gjithë të lënduarit kanë plagë arme pasi disa prej tyre mbetën të plagosur, pasi u përplasën me makina të tjera ose me barrierat kufizuese kur dëgjuan të shtënat.