Engatia mbron fronin e fituesit të Kupës së Shqipërisë dhe i bën një dhuratë të çmuar Tiranës: pjesëmarrjen në Conference League sezonin e ardhshëm.
Për të dytin vit radhazi, rrogozhinasit bëjnë të tyrin trofeun e Kupës, pasi mposhtën 1-0 në finale Kukësin, që nuk ia doli ta “zbuste” disi zhgënjimin e rënies në Kategorinë e Parë pas 12 sezonesh në elitë.
Skuadrës verilindore nuk i mjaftoi dëshira në “Air Albania” përballë një ekipi ndjeshëm më cilësor e që jo më kot merr pjesë në “Final Four” si skuadra e renditur e para pas 36 javësh.
Diferencat ranë në sy që në fillim të takimit, teksa në minutën e 9-të Montenegro vuri në provë Tafasin nga distanca.
Tjetër mundësi e mirë për Egnatian pasi kishte kaluar gjysmë orë lojë (31’), por topi, shkon pa rrezikshmëri të lartë në duart e portierit të Kukësit.
Nuk do të zgjaste shumë deri në zhbllokimin e rezultatit: në të 38-tën Edison Nderca përmbyll me gol një aksion model të skuadrës rrogozhinase.
Pjesa e dytë e gjen Kukësin më të vendosur dhe të organizuar, por Egnatia, falë golit të shënuar në fraksionin hapës, mendon më shumë për ekuilibrat në fazën mbrojtëse, pa harruar daljet e herëpashershme me kundërsulme të shpejta.
Hasaj, në pozicion të prirët tenton portën me një goditje standard (50’), por reagon në pozicion Sherri.
Dy minuta më vonë, Fransi Lala, shumë pranë zonës së portierit, e shtyn topin jashtë portës së Egnatias.
Drithërima në portën e Egnatias në të 76-tën, mbrojtja largon me shumë vështirësi rrezikun që erdhi nga këmbët e Lleshit.
Penallti për Egnatian në të 78-tën: për prekje me topin me bërryl thuajse në vijën e 16 metrave, e akorduar pas konsultimit të kryesorit Xhaja me sistemin VAR, por Tafas bën mrekullinë, i mohon golin Fernandos.
Ky episod e ndez më shumë sfidën, me topin që kalon nga një zonë në tjetrën, por Egnatia humb një tjetër mundësi të artë për të dyfishuar me Montenegron në të 86-ën minutë.
Në minutën e tertë shtesë zihet në befasi mbrojtja e Egnatias, por Hasaj nuk ia del ta dërgoi topin në rrjetë. Keqardhje në radhët e Kukësit për këtë episod, pasi nuk vonoi vërshëllima e trefishtë e Xhajës, që i dha fund kësaj finaleje të fituar nga Egnatia, e cila nisi një festë që synon ta kulmojë me triumfin në “Final Four”./ Supersport