Eksod masiv në Santorini, mbi 11000 njerëz e 1200 mjete të larguara nga ishulli! Sizmiologu jep alarmin: Jemi në udhëkryq, përmasat do rriten!

Greqia prej ditësh ndodhet nën panikun e tërmeteve, teksa lëkundjet sizmike në ishullin e Santorinit dhe zonën përreth janë të pandërprera dhe me intensitet të frikshëm.

Kjo situatë po shoqërohet me një eksod masiv qytetarësh, kryesisht turistë, që nxitojnë të largohen me tragetin apo avionin e radhës.

Deri më tani raportohet se janë të paktën 11000 njerëz që janë larguar nga ishulli i Santorinit. Konkretisht 7000 qytetarë dhe 1200 automjete private që u nisën me anije, ndërsa më shumë se 4000 zgjodhën të largoheshin me avion.

Eksperti Papadopoulos: Mendoj se përmasat do të rriten, jemi në udhëkryq kritik!

Lëkundjet sizmike vazhdojnë në Santorini, me mijëra të larguar nga ishulli. Shkencëtarët dhe autoritetet kanë mbërritur në ishull në mes të fenomenit, në një kohë kur takimet e ekspertëve po zhvillohen çdo ditë, informon media.

Sizmologu Gerasimos Papadopoulos argumentoi se “ne kemi arritur në një udhëkryq kritik”, duke thënë se “jemi në një sekuencë me paratërmete”.

“Gradualisht, magnitudat nga e shtuna pasdite deri më sot, nga 3.6 të shkallës Rihter arritën në 5 të shkallës Rihter. Është vërtetuar plotësisht se jemi në një sekuencë parasizmike. Ne kemi parë një tendencë në rritje të magnitudës dhe numrit të tërmeteve, ndërsa sekuenca sizmike vazhdon saktësisht me të njëjtat karakteristika”, tha Papadopoulos.

Ekspertë të tjerë mendojnë se këto paralëkundje mund të jenë edhe shenjat e një shpërthimi vullkanik në ardhje.