Enciklopedia: Me emrin epirot emërtoheshin një numër i madh fisesh ilire

Pse termi “barbar” i përdorur nga historianët grekë për banorët e Epirit rrëzon tezën greke se në këto treva banonin helenët

Nga Kristo Frashëri*

Pjesë nga libri “Historia e Çamërisë” me autor historianin e njohur Kristo Frashëri, botim i UET-Press. Ky studim i botuar në vitin 2015 shënon dhe punën e fundit të historianit para se të ndërronte jetë

Ajo që i ka tronditur historianët e sotëm grekë është apelativi “barbarë” me të cilin disa historianë antikë grekë cilësojnë banorët e Epirit. Në kohën antike helenët quanin barbarë (Βάρβαρος) popujt që flisnin një gjuhë të pakuptueshme, një gjuhë të huaj, njeri i huaj, “jo grek”. Fjala barbar mori edhe kuptimin e njeriut të pagdhendur, të vrazhdët, të egër. Historiani më i shquar i Antikitetit grek, Thukididi, i cili ka jetuar në shek. V p.e.s., dhe përshkruan ngjarjet e shekullit të tij, thotë se kaonët fis epirot qenë barbarë, po ashtu edhe thesprotët, të cilët shton ai, qeveriseshin pa patur në krye të tyre mbretër. Gjeografi grek Skimni (shekujt III-II p.e.s.) pranon se në Molosinë e Epirit rreth e rrotull Dodonës “faltore e Zeusit, themeluar nga pellazgët”, banonin përkundrejt Korkyrës “barbarë të përzier”. Skimni njofton gjithashtu: “Pas Orikumit (Orikut) vijnë popullsitë e thesprotëve dhe të kaonëve barbarë”. Straboni njofton nga ana e tij se “thrakët, ilirët dhe epirotët edhe sot (pra në shek. I p.e.s. – K.F.) banojnë në krahinat anësore të Helladës; shumë më tepër se tani që barbarët kanë pa dyshim pjesën më të madhe të Helladës së sotme”. Se cilat vise greke kishin nën sundim epirotët “barbarë”, ai sqaron: “Viset e sipërme të Akarnanisë dhe të Etolisë i kanë thesprotët, kasopët, amfilohët, molosët dhe atharnanët, fise epirote”. Më në fund Apiani, historiani grek i shek. II e.s., e thotë shkoqur: “Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri te lumi Ister (Danub)”.

Gjerojani nuk i pranon këto dëshmi. Si shembull po sjellim këtu përpjekjet që ai bën për të rrëzuar këtë vështrim të apelativit “barbar”. Ai përqendrohet vetëm te Thukididi. Sipas tij, termi “barbar” nuk do të thotë jo grek, por popull i pakulturuar, pra popull i cili, edhe nëse e fliste greqishten, nuk e njihte qytetërimin helen. Në lidhje me këtë ai shkruan:

“Për sa i përket pjesës së shkrimtarëve të vjetër, sidomos të Thukididit, të cilët shkruajnë se epirotët qenë barbarë, duhet patur parasysh se popujt e përmendur (të Epirit- K.F.), për arsye të vendbanimeve të tyre të largëta, të izolimit gjeografikisht nga qendrat e qytetërimit grek dhe të mungesës së kontakteve të vazhdueshme të grekëve me fiset barbare t’Illyrisë, ishte e natyrshme të konsideroheshin prej grekëve të tjerë, sidomos prej athinasve, si barbarë, d.m.th. jo të qytetëruar si ata dhe me gjuhë të panjohur, si thotë Thukididi për Euritanët… Por këto elemente në asnjë mënyrë, – vazhdon ai, – nuk kanë kuptimin se nga pikëpamja etnike epirotët nuk janë grekë”. Pastaj shton: “Veç kësaj, nuk duhet të harrojmë se për Thukididin si athinas, ishte tepër e natyrshme t’i quante epirotët barbarë, pasi ata shpejtuan të luftonin për krah Laqedemonëve (gjatë Luftës së Peloponezit- K.F.)”.

Pa dyshim, edhe në këtë rast ky interpretim i termit ”barbar” nuk qëndron. Euritanët banonin në një pjesë të krahinës së Etolisë. Thukididi e thotë shkoqur përse i quan “barbarë” – se ata flisnin “një gjuhë krejtësisht të pakuptueshme”. Edhe arsyetimi tjetër se Thukididi si athinas i cilëson epirotët “barbarë”, për arsye se ata qenë aleatë të lakedemonëve, armiq të Athinës, nuk qëndron. Kjo për arsye se armiqtë më kryesorë të Athinës, si korinthasit, korkyrasit, e të tjerë, duke përfshirë edhe lakedemonët, Thukididi nuk i quan “barbarë”, por “helenë”.

Megjithatë, K. Gjerojani pranon se Epiri i lashtë pësoi në shek. VIII-VII një dyndje popullatash ilire. Por kjo dyndje, thekson ai, nuk e ndryshoi strukturën etnike të Epirit. Ajo mbeti si dhe më parë, nënvizon ai, një provincë greke. Sipas tij, ilirët arritën të vendoseshin vetëm në periferinë veriore të Epirit, madje vetëm në skërkat malore të Kaonisë dhe të Thesprotisë, pra vetëm në krahinën e sotme të Labërisë, përfshirë Himarën dhe më tej në krahinën e Çamërisë, ku bënte pjesë dhe Malësia e Sulit, pra në Thesprotinë antike. Megjithatë, përfundon K. Gjerojani, pavarësisht nga këto vise me popullsi ilire, të cilat përfaqësojnë Epirin e Veriut ose siç e quajnë sot qarqet politike të Greqisë “Vorio-Epir”, – Epiri mbeti në tërësi trevë helene.

Hammondi e mbyll vështrimin e tij historik mbi identitetin etnik që kishte Epiri në pjesën e parë të epokës së Hekurit, krejt ndryshe nga sa e trajtojnë gjithë historianët europianë, të cilët kush më shumë e kush më pak pranojnë se në këtë periudhë historike krahina e Epirit pësoi valën përfundimtare të shtegtimeve ilire. Ai në mënyrë hipotetike thotë se prania e varrezave me gropë në gjirin e varrezave tumulare, ngjashmëritë tipologjike që kanë objektet e këtyre tumulave me ato të zbuluara në luginën e Drinosit, janë dëshmi e homogjenitetit (natyrisht grek – K.F.) të Epirit në këtë periudhë. Ndërkohë, historiani britanik harron se lugina e Drinosit, pra krahina e Dropullit të sotëm, u pajis për të parën herë në historinë e saj mijëravjeçare me minoritet grek vetëm në shekullin XVII, sikurse do të thuhet në vendin e duhur, me bujq grekë të ardhur nga Atika.

Ndryshe nga historianët grekë të cilët i japin apelativit “barbar” një vështrim kulturor – pothuajse për të gjithë helenistët e spikatur të shekujve XIX-XX termi “barbar” përdorej nga grekët e lashtë për të gjithë ata popuj që nuk ishin greqishtfolës dhe që nuk kishin zakone greke.

Që në shekullin XIX jo pak historianë dhe linguistë europianë me emër i dhanë apelativit “barbar” vështrim etnik. Në përfundim të analizave të tyre ata pohuan se banorët e bashkësive krahinore të Epirit antik, me përjashtim të ambrakëve dhe të disa kolonive bregdetare, nuk ishin grekë, për rrjedhim ishin ilirë. Si shembuj do të sjellim këtu në trajtë të përmbledhur rezultatet që kanë arritur në lidhje me përkatësinë etnike të banorëve të Epirit antik tre dijetarë të shquar europianë të shekullit XX – një gjerman, një suedez dhe një italian.

Në sintezën kushtuar Epirit antik, e cila më 1905 është përfshirë në Enciklopedinë dinjitoze gjermane “Real Encyclopedie” e Pauly Wissova, thuhet ndër të tjera: “Epiri antik shtrihej që nga malet Akrokeraune në veri, deri në Gjirin e Ambrakisë në jug, që nga Deti Jon në perëndim deri në kufirin e Thesalisë në lindje. Me këtë shtrirje gjeografike emërtimi Epir, – thuhet aty, – përdoret edhe në ditët tona”. Në lidhje me banorët e Epirit aty thuhet: “Me emrin epirot emërtoheshin një numër i madh fisesh ilire”. Ndryshe nga historiani gjerman Beloch, i cili flet për kombësi greke të epirotëve, – në sintezën e Enciklopedisë së përmendur gjermane këto fise të cilat në kohën e lulëzimit të Greqisë konsideroheshin barbare, nuk llogariteshin pjesë e Greqisë. Më tej aty thuhet: “Theopompi njofton jo më pak se katërmbëdhjetë fise epirote, prej të cilave trembëdhjetë i thotë me emër: kaonët, thesprotët, kasiopët, molosët, atintanët, orestët, aithikët, tymfajetë, parauejtë, atamanët, amfilokët, agrauejtë, apodotët ose abantët”. Mungon vetëm emri i ambrakëve. Mendohet se fiset e përmendura qenë ilire. Ndoshta me cilësimin ilirë mund të shpjegohet mungesa në listën e Theopompit të emrit të fisit të ambrakëve, të cilët duket se qenë helenë. “Mes këtyre fiseve, – thuhet në enciklopedi, – u shquan tre: kaonët në veriperëndim, thesprotët në jugperëndim, molosët në verilindje”. Më tej theksohet: “Pikëpamja që mbizotëron sot është se epirotët janë me prejardhje ilire dhe se kishin lidhje të forta me popullsinë e Italisë juglindore (është fjala për ilirët e Apulisë dhe të Kalabrisë – K.F.); epirotët duhen vendosur në të njëjtin kontekst etnografik bashkë me vetë ilirët, popullsitë mesapo-japige të Italisë së Jugut, ndoshta edhe me etolët e akarnanët. Kjo pikëpamje mbështetet jo pa arsye tek origjina e përbashkët e emrave të përveçëm të fiseve dhe të vendeve, si dhe tek tipi afërsisht i njëjtë i formimit të emrave të vendeve që ndeshen në të dy anët e Adriatikut”.

Katër vjet më vonë, më 1909, historiani suedez M. Nilsson, përmblodhi në një botim më vete monografinë e tij të botuar më parë në revistën “Zeitschrift fur Erdkunde”, Berlin 1895, 1896, 1897 kushtuar Epirit antik. Në kapitullin “Kombësia e epirotëve” ai shkruan:

“Mbi kombësinë e epirotëve nuk ekziston ende një mendim i përbashkët. Në përgjithësi ato fise konsiderohen jo greke. Këtë e mbështesim mbi shumë dëshmi të shkrimtarëve të moçëm, ku epirotët quhen rëndom me apelativin barbarë. Sidomos Thukididi kur trajton konfliktin që ndodhi gjatë Luftës së Peloponezit në Detin Jon, quan barbarë jo vetëm fiset e Epirit, por edhe ato të Etolisë. Për t’u shënuar, – thekson M. Nilsson, – është Libri II, 80 i veprës së Thukididit, ku flitet për pjesëmarrësit e ndërmarrjes luftarake të vitit 428 p.e.s., e cila mbaroi me disfatën e turpshme afër Stratosit. Në këtë fragment ambrakiotët, leukadasit dhe anaktorët përfshihen në radhët e helenëve, kurse kaonët, thesprotët, molosët, atintanët, parauejtë dhe orestët cilësohen barbarë”. M. Nilssoni vë gjithashtu në dukje se, duke u mbështetur në autoritetin e shkrimtarëve të vjetër, veçanërisht në atë të Thukididit, një linguist si P. Kretschmer-i dhe një historian si Ed. Mayer-i, epirotët i konsiderojnë jo grekë.

Në lidhje me ndriçimin e karakterit etnik të epirotëve, M. Nilsson vë në dukje një burim interesant:

“Për fat të mirë, – shkruan ai, – ne mund të pyesim edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët flasin një gjuhë pa dy kuptime. Këta dëshmitarë janë emrat epirote. Emra personash epirotë na kumtohen pjesërisht nga burimet e shkruara dhe pjesërisht nga mbishkrimet e zbuluara. Të gjithë këto emra i përkasin kohës helenistike. Më të hershmet janë si sasi më të pakta. Emrat greke i ndeshim në këto ambiente, por të përziera me emra të tjerë, që kanë një tingëllim jo grek. Edhe këtu emrat e tillë janë më të shpeshtë sa më e hershme është koha e tyre. Thukididi për shembull na jep emra që i takojnë shekullit V p.e.s. Ai përmend si udhëheqës të kaonëve Fotin dhe Nikanorin (II, 80). Po ashtu ai përmend Oroidin, udhëheqësin e parauejve. Lista e tyre, – shkruan ai, – është e vogël. Megjithëse e vogël askush nuk do të besonte, – nënvizon M. Nilsson, – se epirotët po të ishin grekë mbretërit e tyre do të përdornin emra jo grekë. Është për t’u theksuar se ndër gjashtë emra mbretërish epirotë që përmend Thukididi, katër prej tyre janë emra jo greke”.

Emrat mashkullorë Neoptolemos, Pyrrhos, Aleksandros, Tenkros, Helenos, Eioneus, Nisos dhe Aiakidas, të cilat i kanë përdorur epirotët, janë huazuar, thotë Nilsson, që të gjitha nga rrethi i historisë së Trojës. Përjashtim bën vetëm emri Ptoleme (Ptolemaios). Kështu quhej biri i Pirros. Huazimi i tyre nga Lufta e Trojës, sqaron Nilsson, është një fenomen i përhapur edhe në popullatat e tjera jo greke, përfshirë dhe romakët. Madje, emri i vajzës së Pirros, Deidameia është marrë nga emri i të dashurës së Akilit dhe nënës së Neoptolemit.

Nuk mund të mohohet se pas shekullit IV p.e.s. Epiri u ndodh para një presioni të thellë helenizimi. Përçuesit e tij qenë në veçanti kolonitë helene dhe në përgjithësi kultura e përpunuar greke, të cilat bashkërisht lëshonin rrezatime mbi popullsinë ilire që mbushte hinterlandin epirot. Pasojë e këtij fenomeni ishte edhe përhapja e gjuhës greqishte në Epir. Por kurrsesi nuk mund të pohohet se të gjithë banorët ilirë u helenizuan. Në këtë mes është spekuluar shumë me njoftimin që na jep Straboni, se në trevën midis Maqedonisë dhe Detit Jon kishte në Epir banorë dygjuhësh (diglosë, bilingë). M. Nilsson shkruan: “Në qoftë se ndër epirotët kishte njerëz që flitnin dy gjuhë, njëra nga këto gjuhë ngjan të ketë qenë patjetër greqishtja, të cilën e përdorin në mbishkrime, kurse tjetra ka qenë gjuha e vendit”.

Megjithatë, ai shpreh habinë se si Epiri duke qenë vazhdimisht fqinj me Greqinë mundi të ruante emrat jo grekë. Ai merret këtu gjerë e gjatë me analizën e emrave të njerëzve (onomastikë) dhe të vendeve (toponomastikë) që na kumton literatura e vjetër greke, së bashku me to edhe mbishkrimet. M. Nilsson-i nuk pajtohej me argumentet linguistike që sillte dijetari gjerman Fick, i cili bënte përpjekje shpeshherë jashtë kritereve shkencore për të zbuluar rrënjë greke edhe në ato emra të përveçëm ku duket qartë se janë emra jo greke.

Pa u zgjatur me analizën shumë interesante të M. Nilssonit, është me vend të vihet në dukje konkluzioni që ai nxjerr: nuk mund të mohohet ndikimi i greqishtes në onomastikën dhe toponiminë e Epirit të lashtë, por fakti që një shumicë emrash fisesh, vendbanimesh, lumenjsh dhe njerëzish që figurojnë në gjeografinë e vjetër të Epirit, shumë nga të cilat i ndeshim dhe te Stefan Bizantini i shekullit VI të erës sonë, e kanë ruajtur për nga gjuha karakterin e tyre jo grek, pra ilir.

Autori i tretë, i cili e trajton gjithashtu, në mënyrë dinjitoze, problemin e përkatësisë etnike të banorëve të Epirit, është historiani dhe arkeologu i njohur italian Domenico Mustilli. Ai e trajton këtë problem në një punim italisht të titulluar “Gli Illiri nell’Epiro” (Ilirët në Epir), botuar nga Akademia e Italisë në përmbledhjen me titull “Le terre albanesi redente”, Romë 1941.

Problemin e banorëve të lashtë të Epirit, D. Mustilli e trajton që nga kohët parahistorike. Ai pohon se gjetjet arkeologjike që kanë dalë në dritë tregojnë se treva e Epirit ka qenë e banuar para se të shfaqeshin grekët në histori. Ai vë në dukje se Epiri pësoi një dyndje popullatash në epokën e Bronzit, e cila karakterizohet nga qeramika e pikturuar. Kjo qeramikë, – thekson ai, – nuk ka lidhje fare me kulturën arkaike greke.

Përsa i përket fillimeve të epokës së Hekurit, ai vinte në dukje se nuk kishte të dhëna që të provonin praninë e banorëve grekë në këtë trevë. Duke u mbështetur në të dhënat arkeologjike që njiheshin në kohën e tij, ai pohonte se gjurmët më të hershme të pranisë greke në Epir i takojnë periudhës helenistike. Nuk e mohonte faktin se në Dodonë ishin zbuluar objekte të kulturës helenike, si statueta, fragmente skulpturash arkaike, të cilat i takojnë shekullit VI, madje edhe një fibul e tipit aisatik e shekullit VII. Por këto nuk qenë prodhime vendëse. Ato tregojnë marrëdhëniet që kishte Dodona me botën greke. Nga ana tjetër, vazhdon D. Mustilli, në truallin e Epirit janë zbuluar objekte arkeologjike që tregojnë lidhje kulturore me qytetërimin e veriut, pra me viset ilire (një shpatë e tipit krejtësisht verior dhe një sëpatë e tipit hallshtatian e pranuar edhe nga arkeologë të tjerë). Veç kësaj, vazhdon ai, edhe në Orestidë, e cila bënte pjesë herë në Epir, herë në Maqedoninë Perëndimore, mungojnë gati krejtësisht dëshmitë arkeologjike për kohën pas epokës së Bronzit dhe para shfaqjes së objekteve të qytetërimit dhe të industrisë greke. Vetëm ndonjë enë korinthiane zbuluar këtu, – nënvizon D. Mustilli, formon urën ndërmjet epokës së Bronzit dhe kohës helenistike. Varre arkaike u gjetën pranë Cotylionit dhe kishin kufoma me skelet dhe të djegura me urnë e me enë bronzi. Më tej ai shkruan: Në Epir “mungojnë pra, elemente për të ndriçuar gjendjen pas kohës së Bronzit. Mund të themi vetëm se gërmimet e deritanishme (pra deri në vitin 1941 – K.F.) provojnë në një mënyrë mjaft të qartë importimin (pra jo prodhimin në vend – K.F.) të objekteve nga Greqia në Epir që nga shekulli VII p.e.s., ndoshta edhe nga një kohë më e hershme”.

Mustilli thotë se dëshmitë për të provuar se banorët epirotë qenë grekë janë shumë të cekëta, kurse teza e kundërt se nuk qenë grekë është mjaft e bazuar. Ai sjell si dëshmi Thukididin, i cili i quan molosët barbarë. Po ashtu edhe Straboni. Nuk mund të dyshohet, shkruan historiani italian, se etolët qenë grekë, por territori i tyre pati një imigrim të fortë nga veriu, saqë Filipi në bisedimet për paqe me romakët, para Kinaskefalit pohonte se pjesa më e madhe e etolëve nuk janë grekë. Për Filipin, vazhdon D. Mustilli, nuk ishin grekë as amfilokët, as agrejtë që banonin në verilindje të euritanëve, as apodotët që banonin në luginën e Dafnos.

Arkeologu italian vë në dukje se në shekujt e mëvonshëm në Epir vihet re ndikimi i kulturës greke. Ai sjell si shembull fortifikimet e shekullit V p.e.s. të Finiqit dhe të disa ndërtesave të tjera të mëvonshme. Po kështu edhe në Butrint. E njëjta gjë ndodh edhe në Dodonë, ku u ndërtua një faltore madhështore dhe ku u shfaqën mbishkrimet greqishte. Këtu, thotë arkeologu italian, shtrohet pyetja: “Si mund të pajtohet prania që nga shekulli V e gjurmëve helene me mungesën e tyre të plotë para shekullit V”? Pyetja e dytë që shtrohet, sipas tij, është kjo: “Si mund të pajtohet prania pas shekullit V e kulturës materiale greke me të dhënat gjuhësore, të cilat pohojnë në mënyrë të padyshimtë praninë në Epir të elementit ilir”? Nga këto dy pyetje, arkeologu italian shtron për zgjidhje problemin: “Kush ishin këta ilirë? Në çfarë objektesh, në çfarë manifestimesh konkretizohet qytetërimi i tyre nga pikëpamja arkeologjike”? Arkeologu gjen kështu rastin që të kundërshtojë pikëpamjen e përhapur në kohën e tij – pikëpamje të cilën, siç u pa, po e shfrytëzon në mënyrë spekulative Hammondi, – mbi përhapjen e popullsisë së Lausitzit në Epir. Është e vërtetë, pohon ai, se gjurmë mjaft të sigurta të bartësve të qytetërimit të Lausitzit duken në Maqedoni gjatë luginës së Vardarit (Aksiosi antik). Është gjithashtu e njohur pikëpamja se nga përzierja e shtegtarëve të rinj me banorët e mëparshëm u mbrujt qytetërimi maqedon i fillimit të epokës së Hekurit. Vendbanimi i Verrias buzë Haliakmonit tregon përhapjen nga Perëndimi, pohon D. Mustilli në drejtim të Epirit të këtij qytetërimi maqedon të kohës së Hekurit. Megjithatë, deri tani ai ngul këmbë se në Epir nuk janë zbuluar gjurmë të popullit të Lausitzit, pavarësisht se ndonjë element i këtij qytetërimi ka depërtuar edhe më në jug, në krahinat greke. Përkundrazi, sipas D. Mustillit, përveçse në Korkyra ku sundonin liburnët, prania e ilirëve është vërtetuar edhe nga emri Hylloi, i identifikuar në vendin e quajtur sot Chalkiopulos. Deri sot, përfundon ai, nuk kanë dalë objekte arkeologjike që të provojnë praninë e popullit të Lausitzit, qoftë në epokën e Bronzit, qoftë në atë të fillimit të Hekurit. Gjurmë të kulturës ilire gjejmë edhe në Epir. Mjafton të thuhet se në Dodonë nuk mungojnë objekte që provojnë prejardhjen e tyre nga veriu.

Për të pranuar tezën që pohon se gjuha epirote nuk ishte greqishtja, – shkruan D. Mustilli, – na shtyn edhe fakti që Straboni megjithëse pranon unitetin kulturor të trevës mes Detit Jon dhe Maqedonisë, nuk mungon të vërejë se disa nga banorët ishin dygjuhësh (bilingë). Është absurde të mendohet se gjeografi antik kur thotë se epirotët ose maqedonët ishin dygjuhësh, del se ata kishin të folmen e tyre greqishten. Po të mos flitnin në gjuhën e tyre nuk do të kuptohej nevoja që ndjen Straboni për t’i dalluar nga të tjerët. Përkundrazi, këtu është fjala për dy të folme të ndryshme. Po të pranojmë teorinë e Belokut (i cili ngul këmbë se në Epir flitej vetëm greqisht – K.F.) duhet ta përjashtojnë gjuhën maqedone (si gjuhë e folur në Epir – K.F.), pikërisht për afërsinë e saj të pohuar në mënyrë vendimtare me gjuhën greke, gjë që na jep dorë të pranojmë se kemi të bëjmë me të folmen ilirishte. Nga fjalët e Strabonit, – nënvizon historiani italian, – po kufizohemi të pranojmë vetëm ekzistencën e qendrave dygjuhëshe në këtë krahinë, në të cilën kjo pamje dygjuhësore vazhdon, qoftë edhe nga të tjera shkaqe historike dhe etnike, edhe në ditët tona” (D. Mustilli e ka fjalën për çamët shqiptarë, të cilët më 1941 kur u botua ky punim nuk ishin dëbuar ende me dhunë nga vendlindja e tyre prej nacionalistëve agresivë grekë).

Nga argumentet e rëndësishme që peshon në problemin e përkatësisë etnike të epirotëve janë, shkruan D. Mustilli, edhe emrat e përveçëm të njerëzve dhe të vendeve. Në trevën epirote emrat ilirë – edhe po të mos i përfshijmë ato me origjinë etnike të dyshimtë – janë, thotë ai, të shumtë. Madje, edhe në Dodonë, ku sipas Herodotit, flitej greqisht, është zbuluar një mbishkrim i shekullit II p.e.s., i cili bën fjalë për një Annyla, emër ilir pa pikë dyshimi. Emra ilirësh kanë dalë në dritë edhe në mbishkrimet e zbuluara në Butrint, kjo një koloni e quajtur helene. Në një mbishkrim të Orestisë ka dalë në dritë emri ilir Pleuratos. Po ashtu, edhe emri ilir Plator ka dalë në dritë jo vetëm në Oresti, por edhe në Ambraki. Përkatësi ilire, nënvizon ai, kanë edhe emrat e fiseve amantes ose abantes, atintanes, thesprotët, sidomos emri që përmend Stefan Bizantini, në shekullin VI aigestianoi. E sigurt është gjithashtu origjina ilire e fisit të kaonëve (kaones), vendbanimin e të cilëve e ndan nga ai i thesprotëve lumi Thyamis. Nuk mungojnë prova, – vazhdon ai, – për iliricitetin e emrit të orestëve (orestai), të cilët banonin rreth liqenit të Kosturit. Në krahinën që shtrihet, – thekson ai, – nga kufiri verior epirot deri te lugina e lumit Thyamis (sot lumi Kallamas – K.F.), ka prova me shumicë që vërtetojnë praninë e banorëve ilirë”.

Në pamje të parë duket sikur prania e elementit ilir që vërtetohet nga emrat e përveçëm bie në kundërshtim me mbishkrimet e shumta greqishte, të cilat vijnë duke u shtuar që nga shekulli IV e këtej. Dihet se greqishtja në Antikitet ishte gjuhë kulture në botën mesdhetare. Pra, prania e saj nuk tregon domosdoshmërisht praninë vetëm të popullsisë helene. Po të gjykojmë nga gjuha e mbishkrimeve del se vetëm në Dodonë flitej një e folme greqishte lokale. Mbishkrimet e tjera i takojnë greqishtes që flitej jashtë kufijve të Epirit, madje në disa raste edhe të folmes së Greqisë Qendrore, gjë që tregon se këtu greqishtja është gjuhë e importuar nga jashtë.

Si përfundim, dijetari italian D. Mustilli mbron tezën se në kohën e Bronxit në trevën e Epirit banonte një popullsi, e cila nuk ka pika takimi me atë të etnikonit helen. Sipas tij, në fillim të epokës së Hekurit ndryshoi rrjedha e ngjarjeve. Popullata të reja të ardhura nga veriu, të cilët qenë pa dyshim ilire, pasi zunë vend në Maqedoni, më vonë duke ndjekur luginat e lumenjve dhe duke kaluar grykat e maleve zunë vend në Epir. Prania e ilirëve në Epir vërtetohet të paktën në shekullin IX p.e.s. Kontaktet e kësaj popullate me botën greke ndodhën më vonë. Në fillim ato ndodhën nëpërmjet kolonive bregdetare, të themeluara gjatë shekullit VII e më pas; më vonë nuk munguan kontaktet edhe nëpërmjet rrugëve tokësore. Shtrirja e banorëve helenë nuk arriti ta eleminonte praninë e ilirëve në trevën epirote. Gjurmët e pranisë ilire, edhe pse në shtresat arkeologjike janë të pakta, ato ndeshen, thekson Mustilli, në onomastikën dhe në toponiminë e trevës. Popullsia ilire dhe popullsia helene vazhduan të bashkëjetonin në këtë trevë deri në ditët tona. Sidoqoftë, popullsia greke ka përfaqësuar kurdoherë pakicën.