Enkel Demi u shpall autori më i mirë i vitit në Panairin e Librit në Tiranë

Enkel Demi me romanin ‘I rënë nga qielli” është shpallur autori më i mirë i vitit në Panairin e Librit në Tiranë. Milena Selimi u zgjodh për përkthimin më të mirë të librit “Kohëstrehim” të autorit Georgi Gospodinov i botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, njofton Portalb.mk.

Ky çmim iu dorëzua autorit Enkel Demi me motivacionin: “Për trajtimin me mjeshtëri stilistikore dhe burimore të një teme të mprehtë për tranzicionin shqiptar, por po aq edhe në rrafsh të përbotshëm, siç është ajo e përpjekjes njerëzore për të bërë një jetë të kuptimshme në kushtet e absurdit kolektiv”.

Çmimi autori më i mirë në Panairin e Librit 2024, nga faqja zyrtare e Enkel Demit

“Vepra më e Mirë Studimore” i është dhënë Viola Isufajt për veprën e Zef Zorbës, kurse çmimin për “Veprën Ekonimike” e ka fituar Anastas Angjeli.

Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në një prononcim për media ka thënë se gjatë ditëve të panairit ka pasur fluks të madh vizitorësh të të gjitha moshave.

“Për panairin e librit ka pasur interesim shumë të madh nga lexuesit. Kjo mendoj që është nga përgatitjet tona, nga informimi që iu kemi bërë lexuesve në të gjitha format e mundshme, dhe nga puna që e ka bërë secila shtëpi botuese përmes postimeve në faqet e tyre në rrejtët sociale. Akoma pa filluar panairi ne kishim dhënë informacion të gjerë mbi atë së kush do të jetë, kush do të jenë librat e rinj, dhe autorët që do të ishin. Patëm një vërshim të informacioneve, saqë kjo padyshim pati rezultatet e veta, me një fluks të madh të të gjitha moshave”, ka thënë Ymeri.

Në këtë edicion marrin pjesë 90 botues jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Panairi i librit organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Panairi u hap në datën 13 nëntor dhe ishte i hapur deri më 17 nëntor.