Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe i ka bërë atij me dije se e mbështet në çdo qëndrim dhe vendim të marrë kundrejt mercenarëve Wagner.
Këta të fundit, nën drejtimin e Yevgeny Prigozhin, kanë nisur një inkursion drejt Moskës për të kapur ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu.
Por, mbi të gjitha, pas komenteve të Putin se Wagner i kanë “ngulur një thikë në shpinë Moskës”, Prigozhin duket në një mision për të rrëzuar gjithë pushtetin në Kremlin dhe për të vendosur një president të ri.
Sipas njoftimit nga Presidenca turke ndërkaq, Erdogan ka folur në telefon me Putinin dhe i ka thënë se e mbështet në vendimet që do të marrë.
Ndër to, edhe vendimi për të hetuar Prigozhinin dhe për të arrestuar çdo anëtar të Wagnerit, i cili i qëndron besnik lëvizjes së këtij të fundit.