Zëvendës drejtori i Pgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është arrestuar në Jarinjë nga Policia e Serbisë, raporton mediumi në gjuhën serbe “Kossev”.
Ky medium raporton se Jankoviq dyshohet se po udhëtonte me gruan e tij në drejtim të Serbisë në kohën e arrestimit të tij.
Këtë e tha edhe Jeton Zulfaj, këshilltari për Çështje Evropiane dhe Rajonale në Zyrën e Kryeministrit, Jeton Zulfaj.
“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”, ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X”.
Për këto raportime, Gazeta Express ka pyetur Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.