Avokati Gent Gjini, i angazhuar nga familja e të vrarit në Serbi, Faton Hajrizi, ka njoftuar se do t’i dorëzojë paditë dhe kallëzimet penale në Gjykatën Themelore ndaj zyrtarëve publikë që kanë përdorur gjuhë ofenduese dhe urrejtjeje ndaj tij.
Gjini i ka thënë KOHËS se do t’i padisë kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha “që kanë përdorur shprehje joetike dhe fyese ndaj familjes Hajziri”.
“Nesër (e enjten) në pallatin e drejtësisë do t’i dorëzojmë paditë dhe kallëzimet penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj zyrtarëve publikë të cilët kanë përdorur ofendime dhe gjuhë urrejtje për Faton Hajrizin, me shprehje si ‘kriminel, e pikërisht fjala kriminel na ka shtyrë t’i procedojmë paditë për shpifje dhe ofendim. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryeministri po ashtu, deputeti Arbër Rexha e po ashtu ministrja e Drejtësisë, kanë përdorur shprehje joetike dhe fyese ndaj familjes Hajrizi”, ka thënë avokati Gjini.
Hajrizi ishte arratisur më 6 korrik nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dhe më 19 korrik të 2024-s ishte vrarë në Lloznicë, në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.
Trupi i tij është kthyer në Kosovë më 9 gusht, e dy ditë më vonë është varrosur në Klinë të Ulët të Skenderajt.
Kryeministri Albin Kurti pati bërë thirrje që Hajrizi të mos shihej si hero, duke i ftuar qytetarët të mos bien pre “e euforisë dhe romantizimit”.
E, zv.kryeministri Besnik Bislimi pati thënë se Hajrizi ishte person i dënuar për vepra penale dhe vendin e ka në burg.