Disa qytetarë të komunës së Istogut të shtunën kanë fshirë emrat e familjarëve të tyre nga një lapidar i sapovendosur në këtë komunë, duke u ankuar se lista me emra të dëshmorëve përmban edhe viktima civile. Sipas Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve për Istog, në listë janë “shtuar 13 emra që kanë qenë vetëm viktima civile”.
“Këta emra janë futur nëpër lista që nga 2008-a”, kanë thënë nga kjo shoqatë për KOHËN.
Shoqata ka thënë se ka bërë kërkesë që disa vite që lista e dëshmorëve të pastrohet. Këta familjarë, pasi kanë thënë se komuna nuk ua dëgjoi thirrjet që lista të pastrohet, kanë vendosur t’i fshijnë emrat e familjarëve të tyre.
“Ne e kemi pas dërguar listën me këta emra në Gjykatë, por tash e sa vjet lënda s’është marrë parasysh. Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që listat të pastrohen, por komandantët kanë bërë presion dhe lista është kjo që është. Meqë Komuna nuk i dëgjoi thirrjet tona që lista e dëshmorëve të pastrohet dhe në të të jenë vetëm dëshmorët e vërtetë, vendosëm t’i fshijmë emrat e familjarëve tanë”, thuhet në reagim.
Në lapidarin me 64 emra, tani vërehet ngjyra e kuqe në rreth 10 emra që janë fshirë nga familjarët.
Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, ka thënë se ai dhe institucioni që drejton nuk janë palë.
“Komuna nuk cakton lista për dëshmorët, emrat e të cilëve duhet të futen në lista. Ne presim punën e organeve gjegjëse ta sqarojnë çështjen. Unë do t’i takoj familjarët e dëshmorëve, i kam miq, por nuk kam kompetenca të ndërhyj në lista”, ka thënë ai për KOHËN.
Ky lapidar u vendos më 20 qershor, në 24-vjetorin e çlirimit të Istogut.