Dita e Flamurit përjetohet gjithmonë me emocion nga shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, festa e shqiptarëve të Filadelfias ka nisur më herët. Ditën e Falenderimeve, dhjetra shqiptarë, të rritur e fëmijë, kanë parakaluar në rrugët e bulevardit Frakford.
Të veshur kuq e zi, me flamuj në duar e të shoqëruar nga muzika shqiptare, ata kanë festuar pavarësinë e Shqipërisë, ditën që bashkon mbarë shqiptarët. Mbi 500 shqiptarë të Filadelfias kanë festuar Ditën e Flamurit në ambientet e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Prej dy dekadash, shoqata ka në misionin e saj jo vetëm bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, por edhe mësimin e gjuhës amëtare për fëmijet e lindur në Filadelfia.
Parakalimet e shqiptarëve për Ditën e Flamurit tashmë janë bërë traditë dhe organizohen edhe në shtete të tjera të Amerikës, ku jetojnë e punojnë shqiptarë.