Pas 4 netësh spektakël perdja ra. Mal Retkoceri është fytyra e re e Festivalit të Këngës në Shqipëri.
11 anëtarët e Jurisë së këtij edicioni të 62-të të kryesuar nga kompozitori dhe autori Shpëtim Kushta bënë përzgjedhjen e tyre në një garë me 31 pjesëmarrës.
Jo vetëm juria me Retkocerin, por edhe votat e publikut përmbysën të gjitha parashikimet, që të çonin drejt Elsa Lilës.
Besa Kokëdhima me “Zemër n’dorë” me muzikë të sajën e Kledi Bahitit do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2024.
Me tekstin që mban firmën e Rozana Radit dhe Petrit Sefajt këndohet historia e një zemre të lënduar që tenton të ringrihet.
I përzgjedhuri i jurisë Retkoceri, kishte tërhequr vëmendjen e publikut prej natës së parë për shkak të paraqitjes së tij të diskutueshme skenike. Ndërkaq që vend për diskutim lë edhe reagimi i tij pas marrjes së kupës.
“Shumë faleminderit, shumë faleminderit jurisë. Këngën e kam bërë prej zemrës. E kam interpretuar prej perspektivës së një personi që e dua shumë, prej nënës sime. E kam shkruar për të gjithë ata persona që janë të shkelur prej personave të tjerë dhe që i përdorin për sende personale të tyre. E mira dhe e vërteta, del”, u shpreh Retkoceri pas vlerësimit me çmim të parë.
Debutanti Retkoceri ka firmosur çdo element të këngës së tij “Çmendur”, nga fjala te muzika, që ishin dhe shinat e premtuara mbi të cilat do të ecte kjo ngjarje.
Poezinë e të riut nga Prishtina, djalit të këngëtares Violetë Kukaj, mediet e Kosovës e lidhin me historinë personale të ndarjes së prindërve të tij, që ka përfunduar deri në emisionin “Shihemi në gjyq”, por vetë Retkoceri nuk e ka konfirmuar një fakt të tillë.
Çmimi i dytë i Festivalit shkoi për Tiri Gjocin, ndërsa Shpat Deda u rendit nga Juria në vend të tretë.
Prezantimi i Festivalit iu besua Kledi Kadiut, Adriana Matoshit, e disa shoqëruesve të tjerë tjerë.