Analisti politik në Mal të Zi, Ljubomir Filipoviç, ka shkruar në platformën X se rrahja e tre shqiptarëve në Mal të Zi para pak ditësh ka ndodhur për shkak të kombësisë së tyre, derisa ka shtuar se ky incident tregon për radikalizmin e të krishterëve ortodoksë serbë në Malin e Zi.
“Tani kemi konfirmim se Ministri i Brendshëm ka keqinterpretuar incidentin e fundit. Qytetarët shqiptarë u vunë në shënjestër të veçantë për shkak të kombësisë së tyre, pavarësisht pretendimeve fillestare për një sherr të thjeshtë trafiku. Ky incident nënvizon çështjen shqetësuese të radikalizimit të krishterë ortodoks serb në Mal të Zi”, shkroi ai.
Një nga shqiptarët e dhunuar në Malin e Zi ka dëshmuar përpara efektivëve se si ndodhi ngjarja e rëndë e regjistruar pasditen e djeshme. Klodian Meaj, njëri nga tre të dhunuarit, u shpreh se në mjetin e tyre me targa gjermane kishte pasur një flamur shqiptar.
“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin”.
Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë provokim nga ata. Policia malazeze ka njoftuar se ka qenë incident trafiku dhe ka identifikuar tre autorët e dyshuar. Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit.
Ndërkaq vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.