Fillimi i vitit 1457 Arbërinë e gjeti në zotërimin e vitit të 14 të Skënderbeut, udhëheqja ushtarake e dalë nga kuvendi i Lezhës përmendet në relacionet e kohës ku vërehet titulli “Zot i krahinave të Arbërisë” me çka nënkuptohet që ishte krijuar substrati i mbretërisë arbërore. Njëkohësisht në Evropë rëndësi të dorës së parë në luftën me osmanët zënin arbërit.
Në kronikat e kohës hasen gjurmë të të dërguarve që kryenin shërbime diplomatike për mbretërinë arbërore në Republikat Italiane e më gjerë, mes tyre Pal Engjëlli, Pal Gazuli, Gjergj Pelini dhe Pjetër Perlati. Gjithashtu nga relacionet e asaj kohe vërehet ndikimi që impononte udhëheqja e Skënderbeut në tërë Evropën, ndër të tjera një letër dërguar perandorit Frederik August nga Papa Kaliksi III e vitit 1457:
“Kemi dëgjuar fjalë se ne po i marrim kombit tënd shuma më të mëdha nga ç’duhet. Të panumërta dhe të pa duruara janë shpenzimet që bëjmë dita ditës, herë i dërgojmë të holla përfaqësuesit të flotës sonë në Lindje, herë në Shqipëri Skënderbeut. Lavdinë e Perëndisë kërkojmë, jo tonën. Për shpëtimin e popullit që na është besuar punojmë, duke u kujdesur përherë që këmba e ndyrë e Turkut të mos shkelë emrin e të krishterëve në kohët tona” (F.Noli “Vepra III” fq. 227.)
Fushata osmane e tremujorit të dytë e vitit 1457 u kryesua nga Isa bej Evronozit, gjenerali që shpartalloi arbërit në Berat gjithashtu edhe Hamzai nipi nga vëllai i Skënderbeut, përqendrimi i pushtetit politik e ushtarak me synim mbretërinë e pavarur arbërore shkaktoi lëkundje të mëdha si në udhëheqjen e dalë nga Kuvendi i Lezhës, njëjtë edhe brenda të afërmve të Skënderbeut kishte tradhtuar nipi nga motra Gjergj Balsha, gjenerali kryesor Moisi Golemi për të arrirë kulmin tek nipi nga vëllai Hamzai .
Njoftimi për ardhjen e turqve dëshmohet nga letra e papës Kaliksi III që mban datën 9 qershor 1457.
“Nga dy letrat tuaja që i morëm njëkohësisht, u njoftuam për arritjen e turqve të mbrapshtë… me gjitha mundësitë të tua do të përpiqesh ti bësh ballë por jo se të mungon guximi pse ti ke vendosur t‘i dalësh përpara me të gjitha forcat e tua… Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt katolike për fitoret e shkëlqyera që ti ke korrur prandaj po të porosisim që ta ruash trimërinë e mëparshme të thyesh sulmet e barbarëve dhe të përdorësh mirë fuqinë e ushtarëve dhe mbrojtësve të Krishtit” (K. Frasheri “Skënderbeu jeta dhe vepra” fq.346)
Kampi turk vendosjen përfundimtare e pozicionoi në vendin e quajtur Albulas sipas M. Barletit në perëndim të malit të Tumenisht (sot mali i Skënderbeut), arkeologu Hasan Ceka Albulenën e ka lokalizuar me burimin e ujit sulfurik që kalon në trevën midis Mamurasit dhe Gjonmit, e cila në kohën e Barletit për nga shkuma banorët e quanin Ujëbardhë. K. Frashëri vep. e cit. fq.349.
Skënderbeu kishte shpërndarë ushtrinë, dhe ishte vendosur thellë në zonat malore dhe në sajë të traditave të lashta shqiptare pritej momenti i shkujdesjes së forcave osmane për sulm. Nga burimet dokumentare gjendja përshkruhet prej qeveritarëve italianë, Marco Diedo kapiteni venedikas i Durrësit raportonte Venedikun; “I madhërishmi Zoti Skënderbe endet nëpër male për të shpëtuar kryet mbase është braktisur nga të gjithë kryesorët e tij të cilët kanë vajtur me turkun…thuhet se në këtë ushtri të Turkut janë 80.000 kalorës dhe këmbësorë.” (A. Plasari “Skënderbeu një histori politike” fq. 531.)
Forcat osmane të gjendura në befasi të shkujdesur pas disa javësh datën e 2 shtatorit 1457 u goditën në disa drejtime nga ushtria arbërore e cila udhëhiqej prej Skënderbeut, Pjetër Emanuelit dhe Gjon Balshës dhe u shpartalluan plotësisht, sipas burimeve u vranë 15 mijë deri në 30 mijë, me një numër të madh robërish përfshirë Hamzanë, 18 oficer të lartë dhe një sanxhakbej.
Fitorja në Ujëbardhë pati rrjedhime pozitive të shumanshme si brenda viseve arbërore ashtu edhe në vendet evropiane ndikoi në forcimin e pushtetit të Skënderbeut, rrjedhimisht mbretërisë Arbërore.
“Mbretit të Spanjës dhe të galëve përveç një numri të madh robërish iu dërguan kuaj e plaçka lufte, po kështu edhe pothuaj për mbretërit e ndryshëm të krishterë… Qyteti i Romës u mbush të thuash përplot si me emrin ashtu edhe me sendet më të bukura të asaj fitoreje, kështu e kishte vendosur Skënderbeu me atë fisnikëri të pashoqe të vet, të bënte borxhli pothuaj tërë botën”, shkruan mes tjerash Marin Barleti. Në 23 dhjetor të po atij viti Skënderbeun e emëruan me dekret pontifikal nga papa Kaliksi III “Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjt”, në luftën kundër osmanëve
Epopeja skënderbegiane pas betejës së Ujëbardhës mori jehonë ndërkombëtare, lëkundjet e zotërve feudale u mënjanuan, Arbëria nën zotërimin e Skënderbeut i emëruar në hierarkinë e lartë të papatit nënkuptonte faktor thelbësor mes përplasjeve të qytetërimeve Lindje Perëndim, ku padyshim gjenialiteti i Skënderbeut trasoi orientimin shekujve të më vonshëm të shqiptarëve.
Shkruar nga Nga Dardan EMINI