PROF. HAJRI SHEHU/ Libri që quhet Fjalor Shpjegues Kombëtar është për gjuhët standarde. Gjuhët jostandarde nuk e kanë këtë libër. Më e mira që mund të kenë ato, është fjalori dygjuhësh, domethënë, një fjalor që është në funksion të një gjuhe tjetër. E tillë ka qenë shqipja parakombëtare në fjalorin e Frang Bardhit – shqipja në funksion të latinishtes. Ne e kemi gjuhën standarde (me një term të mëhershëm: gjuha e njësuar letrare kombëtare). Dhe prandaj kemi edhe Fjalorin Kombëtar. Në parathënien e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) thuhet: “Sot populli shqiptar ka një gjuhë letrare kombëtare, të vetme, të njësuar e të përbashkët, me tipare mjaft të përcaktuara dhe me prirje të qarta zhvillimi. (Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, f. VI). Dhe atëherë, është përgjegjësi e Fjalorit Kombëtar që ta pasqyrojë këtë gjuhë të njësuar letrare shqipe.
Një shpjegim i vogël: Edhe gjuha e zakonshme bisedore, madje, edhe e folmja krahinore ka prirjen për normativizim. Po të mos kishte qëndrueshmëri te fjalët dhe te rregullat e tyre të bashkëlidhjes, nuk do të kishim mundësi ta kuptonim njëritjetrin e të komunikonim me njëri-tjetrin. Po të kishte shumë ndryshime e paqëndrueshmëri te raporti fjalëkuptim, komunikimi ynë do të ishte i pamundur. Prandaj edhe fjalori, thjesht përshkrues (le të themi, krahinor) përmban elemente normativizimi. Por, kur flitet për normën letrare kombëtare, sigurisht, shkalla e normativizimit ka tjetër hierarki. Kjo hierarki ka të bëjë me përdorimin normativ të fjalëve, në kuptimin më të përgjithshëm të thënies. Një shembull: regjistri i fjalës. Me regjistër kemi parasysh përdallimin e përdorimin konkret të fjalës në një situatë të caktuar, p.sh., përkëdhelie, përçmimi etj., në ligjërimin bisedor, libror etj., në një degë të caktuar të shkencës a të teknikës etj. Një gjuhë me regjistra (krejt) të pazhvilluar nuk mund të përdoret për komunikim krejt të saktë e të kuptueshëm. Shqipja nuk është e tillë. Ajo i ka të gjithë regjistrat dhe funksionon me të gjithë regjistrat, të cilët vijojnë sigurisht të përplotësohen gjithnjë e më tej. Kësisoj, ajo e kryen detyrën për komunikim krejt të saktë e të kuptueshëm. Dhe Fjalori Kombëtar e pasqyron fjalën sipas regjistrit të saj, sepse është përgjegjësi e detyrë e tij letrare dhe gjuhësore. Prandaj profesor Aleksandër Xhuvani thotë: “Fjalori, me autoritetin e tij e ligjshmon, e sanksionon punën e fjalëve që shtie brenda”. (A. Xhuvani, Çështje e Fjalorit të Gjuhës Shqipe, në “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, II, Tiranë, 1972, f. 124.)
ht atë që realisht ka gjuha e më së pari, standardin, që është varianti me sistemin më të plotë e më të përpunuar. (Krahasimi nuk bëhet me kufizimet që vijnë nga madhësia fizike e fjalorit). Ky ligjshmim vjen me zgjedhjen e fjalëve, që përfshihen në fjalor. Ato lidhen drejtpërdrejt me gjuhën e shkruar. Dhe gjuha e shkruar është faktor njësues. Po kaq – edhe gjuha e folur (e radiove, televizioneve etj.), e cila nuk mund të jetë më pak normative se gjuha e shkruar dhe më pak faktor njësues. Prandaj një nga kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e fjalorëve shpjegues kombëtarë është vlefshmëria e tyre normative. Dhe prandaj, kritika leksikografike përqendrohet fort zakonisht në vlefshmërinë normative të këtij a të atij fjalori. Atëherë detyra e Fjalorit kombëtar është ta përshkruajë standardin sa më mirë që të jetë e mundur e ta bëjë kështu të hapur për të ardhmen.
“Duke përhapur dhe përforcuar normën letrare …, ai (Fjalori – H.Sh.), – thotë profesor Kostallari, – sanksionon rrugët ku do të ecë zhvillimi i leksikut të gjuhës sonë edhe në të ardhmen” (shih A. Kostallari, Parimet themelore për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, në “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, II, Tiranë, 1972, f. 83.). Nëse fut në fjalor fjalë të tilla, si adet, sebep … etj. (siç ka ndodhur në Fjalorin e gjuhës shqipe, 1954 – H.Sh.), do të thotë se mbështetet përdorimi i tyre në gjuhën shqipe. Nëse nuk fut në fjalor fjalë të tilla, si aeroplanmbajtëse, bashkëbisedim … etj. (siç ka ndodhur në Fjalorin e gjuhës shqipe, 1954 – H.Sh.), do të thotë se pengohet përhapja e tyre dhe e të tjerave si këto”. (Shih po aty, f. 83. Perifrazimi është yni – H.Sh.) Dhe: “Ata që e përpunojnë gjuhën e popullit, nuk e ulin gjuhën letrare në nivelin e gjuhës së masave më të prapambetura, por e ngrenë gjuhën e masave në nivelin e gjuhës letrare të përpunuar, duke mos e shkëputur asnjëherë nga gjuha e popullit …, duke e pastruar atë nga çrregullimet që sjellin format dialektore si në fjalor, ashtu edhe në gramatikë” (shih: A. Kostallari, po aty). Orientimi është për të gjithë fjalorët normativë të shqipes.
Në Fjalorin tonë kombëtar gjen vend të spikatur një tjetër parim themelor gjuhësor: Fjalori pasqyron prirjet e zhvillimit të gjuhës shqipe. Ky zhvillim ka të bëjë, siç dihet, me kristalizimin e mëtejshëm të standardit. Fjalori e pasqyron këtë zhvillim (po e përsërisim), më së pari me zgjedhjen dhe përzgjedhjen e fjalëve që përfshin. Dhe prirje e sotme (dhe e mëhershme) zhvillimore e gjuhës shqipe standarde është intelektualizimi i leksikut të saj (leksiku është tërësia e fjalëve që ka gjuha). Ky intelektualizim vjen nga fjalët diturore e speciale – shkencore e teknike. Gjuha nuk mund të mos varet nga kushtet, në të cilat jeton shoqëria, nga niveli i zhvillimit të saj, nga politika gjuhësore e shoqërisë, që mund të formulohet edhe si program gjuhësor, në fund të fundit, nga njerëzit që e flasin e nga kujdesi i tyre për ta përdorur gjuhën me respektin e dashurinë që meriton. Dhe një nga kujdeset e shoqërisë sonë për gjuhën është edhe përpunimi i terminologjive të saj shkencore, teknike, mësimore, ushtarake etj. (Terminologjia është tërësia e termave që ka një fushë e shkencës, teknikës, artit etj. Termat janë fjalë a togje fjalësh që tregojnë konceptet në një fushë të shkencës, teknikës etj.). Nuk na duket se ka qenë e vështirë zgjedhja e leksikut dituror e special për Fjalorin e shqipes. Shpjegimi ynë është ky: Zgjedhja e leksikut special (p.sh., celofan, centrifugë, centrizëm) për një fjalor vështirësohet kur terminologjia në gjuhë është ende e papërpunuar.
Kjo ndodh zakonisht në gjuhët e atyre popujve që për arsye historike, janë më të vonuar në zhvillimin e shkencës moderne. Me ne shqiptarët e me gjuhën shqipe kjo nuk ndodh. Te ne, roli shoqëror i termave (dhe i fjalorëve terminologjikë e sigurisht, edhe i fjalorëve të përgjithshëm) është i spikatur. Edhe për arsye të zhvillimit të përgjithshëm e të zhvillimit arsimor. Edhe sepse, mjaft prej termave, me përditshmërinë e tyre, kanë hyrë ose mund të hyjnë në përdorim të përgjithshëm dhe e ngrenë më tej qytetërimin dhe zhvillimin tonë. (Shih, p.sh., sot termat e informatikës, të financës, të urbanizimit etj.). Edhe sepse është rritur veprimtaria krijuese gjuhësore e profesionale. (Dhe kjo rritje pasqyrohet në gjuhën e shkruar dhe të folur).
Dhe më në fund, edhe sepse koncepti shkencor, teknik etj. është ndërkombëtar, domethënë, i pranuar. Mbetet vetëm që termi, domethënë, emërtimi ta përcjellë saktë konceptin. Është argumentuar shkencërisht, që për arsye historiko-gjuhësore, të folmet e shqipes e pasurojnë gjuhën e njësuar letrare (standardin) me fjalë, kuptime fjalësh, shprehje, fjalë të urta etj. Madje, edhe me modele fjalëformuese (shih, p.sh., sot formimet ndajfoljore me –sh e –shëm / tipi bindshëm, hutueshëm). (Shih më gjerë tek A. Kostallari, Parimet …, f. 67 dhe Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme të drejtshkrimit të saj, Tiranë, 1973; etj.).
Fjalori ynë Kombëtar (1980, 1984, 2006 etj.) i ka pasqyruar njësi të tilla drejtpërdrejt sipas kësaj teorie, sipas parimit të vlerës potenciale (të njësisë popullore). Nga të gjitha të folmet. Nga të gjitha të folmet, sepse parimi nuk vë kufij tokësorë të përdorimit të njësisë. Parimi kërkon vetëm që Fjalori kombëtar të pasqyrojë përdorimin sa më të mirë të shqipes. Dhe ky përdorim sa më i mirë i shqipes na vjen edhe nga të folmet popullore krahinore. Nga të folmet e Veriut janë pasqyruar më shumë. Për arsye historiko-gjuhësore, gjithashtu. Shih, p.sh., në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006: áras hapur, sheshit; arnajë; ballosh ballëgjerë; brezatar: vallja e brezatarëve; dyshimtar; farkofsh gjarpër, ai që u farkoftë; gardhnajë; përtokëz kërçep; përtëkeq / përtëkeqet; rrëshqanës,-e; rrokaqie/ll,~i, shumës rrokaqiej(të) për qiellgërvishtës / vjen nga të folmet kosovare; rrugënajë; skabardh bardhulin; skithem kuit; sqepadru qukapik; syfortë; syunët i pangopshëm; tokas rrafsh me tokën; udhoj / udhohem bind / bindem; ylltoj i jap dritë e hijeshi; etj.
temi është tërësia e mundësive të saj strukturore. Struktura është tërësia e mundësive të saj të përmbushura. Kësisoj, çdo fjalë që përfshihet në Fjalor, pra, edhe ajo me burim popullor krahinor, por me vlerë letrare potenciale i nënshtrohet domosdo strukturës, domethënë, normës. Ndryshe, ajo nuk e fiton dot të drejtën për të qenë njësi e Fjalorit e njësi me vlerë letrare potenciale. Dhe Fjalori ka pasur rolin e tij të spikatur në normativizimin e tyre. Për arsye të njësisë (unitetit) së gjuhës shqipe, normativizimi i tyre ka qenë krejt i mundshëm. Ai ka pasur të bëjë më shumë me variacionin fonetik-shqiptimor. Më pak – me variacionin fjalëformues. (Një arsye: Prapashtesa të caktuara / tipi – najë, që sjellin fjalën e panjohur popullore krahinore, u shtohen kryesisht temave (tema është fjala pa mbaresë), që kanë trajtë normative; p.sh., rrugënajë, kopshtnajë). Shumë më pak ose aspak me variacionin gramatikor. Normativizimi është bërë sipas standardit drejtshqiptimor, drejtshkrimor, drejtgramatikor, sipas modeleve që tashmë janë në gjuhën standarde. (Në parantezë: Ndoshta për arsye të normativizimit të fjalës me burim popullor, një përdorues i pakualifikuar i Fjalorit mund të mos e identifikojë dot fjalën e vet “krahinore” dhe mund “të ankohet” pse nuk është përfshirë kjo a ajo njësi e së folmes së tij.) Janë synuar dhe pasqyruar gjithnjë ato fjalë popullore krahinore që, siç u tha, janë me vlerë letrare potenciale, domethënë, e pasurojnë gjuhën standarde dhe prandaj mund të bëhen pjesë e saj. Dhe kompasi ka shkuar deri aty ku nuk ka derë të hapur për variante fonetike krahinore, pa asnjë vlerë gjuhësore objektive. Po të kishte pasur derë të hapur e mosnormativizim, do të kishte rënë skema e standardit ’! gjuhë – normë – ligjërim dhe do të na kishte ardhur skema gjuhë – ligjërim – normë, domethënë, thyerja e normës dhe Fjalori do të ishte qortuar: Ka ulur standardin; ka shpërdoruar normën e përdorimit; ka hapur derën e vulgaritetit etj. Rezultati: a) Për arsye të normativizimit të këtyre prurjeve popullore, me vlerë letrare potenciale, standardi nuk ka ndonjë perimetër të dallueshëm në Fjalor. Krahaso: binjak dhe dynjak; parmbrëmë dhe parnatë; i parmbrëmshëm dhe i parnatshëm; qiellgërvishtës dhe rrokaqiell. // Fjalët e rendit të dytë janë vjelje të tanishme popullore. b) Fjalori e ka ruajtur me kujdes të veçantë gjuhën amtare, visarin e saj origjinal e të pasur. Sipas një statistike të përafërt, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, 1980 është pasuruar me mbi 10 000 fjalë, kryesisht me prejardhje popullore nga të folmet e të gjitha trojeve shqiptare dhe të diasporës arbëreshe.
Fjalori ynë kombëtar jep informacion përdorimor (regjistri i fjalës, p.sh., librore, bisedore, poetike; përkëdhelëse, sharëse, përçmuese, përbuzëse etj.; fusha e përdorimit: biologji, fizikë etj.), informacion kuptimor (kuptimet e fjalës, përdorimet e figurshme, sinonimet, antonimet, etj.); informacion sintaksor-funksional (bashkëlidhjet e fjalëve). Të gjitha këto kanë të bëjnë me orientimin: Fjalori t’i shërbejë përdoruesit. Edhe mënyra e paraqitjes së Fjalorit (domethënë, informacioni teknologjik) ka të bëjë me këtë orientim. Dhe të gjitha këto te normativizimi na çojnë. Duke pasqyruar standardin, Fjalori ndikon shumë në stabilitetin dhe ruajtjen e tij (standardit).
Duke pasqyruar standardin, Fjalori na nxit të njohim (më tej) normat letrare. Duke pasqyruar standardin, Fjalori na nxit të njohim (më tej) kulturën e gjuhës. Dhe nocioni themelor i kulturës së gjuhës është norma. Fjalori na çon te norma, te përdorimi i fjalës. Një shembull: Përdorimi i fjalës së huaj të panevojshme (fatkeqësisht, edhe në shtyp) nuk është kulturë gjuhe. Është thyerje e normës. Dhe Fjalori nuk i pasqyron fjalët e huaja të panevojshme, ngaqë janë mish i huaj për gjuhën, ngaqë nuk kanë zënë e nuk mund të zënë ndonjë qelizë të zbrazët në sistemin dhe në strukturën e saj. Fjalori na çon, siç u tha, te modelet gjuhësore, të pranuara nga bashkësia jonë ligjërimore (librore, bisedore, shkencore, stilistike, teknike, e vjetruar etj.). Dhe Fjalori ruan kështu identitetin e ligjërimit të bashkësisë dhe e rrit kohezionin e saj të brendshëm. Dhe më në fund, duke pasqyruar standardin, Fjalori bëhet promotori i zhvillimit të tij të mëtejshëm.
Ne besojmë se Fjalori Kombëtar i Gjuhës Shqipe e ka kryer detyrën për t’i udhëzuar e mësuar të tjerët se si të përdoret gjuha: me drejtshqiptimin e fjalës, drejtshkrimin e fjalës, karakterizimin e saj gramatikor, drejtligjërimin (bashkëlidhjet objektive – tipike e modelore fjalë-fjalë), fushën e përdorimit (regjistrat teknikë, shkencorë etj.) etj. Atëherë, Fjalori ynë kombëtar pasqyron, përhap e ruan përdorimin më të mirë të gjuhës kombëtare. Kësisoj, po e përsëdytim, Fjalori ruan identitetin (njëjtësinë) e ligjërimit tonë dhe rrit kohezionin tonë shoqëror. Ky koncept është shumë i rëndësishëm për të kuptuar zhvillimin e gjuhës shqipe standarde, rrugën se si është bërë shqipja standarde dhe rolin e Fjalorit për standardizimin në tërësi. Gjuha standarde është forma më e lartë e gjuhës kombëtare. Dhe për këtë arsye ajo mbart dhe përcjell kulturën dhe qytetërimin e kombit. Kësisoj, ajo është edhe një ndër themelet e pavarësisë kombëtare. Besojmë që Fjalori Kombëtar i ndih shumë.
Atëherë, a është Fjalori ynë Kombëtar simbol i shquar i gjuhës shqipe standarde? Përgjigjja duhet të vijë nga vlerësimi shoqëror për Fjalorin: Nëse për masën e përdoruesve Fjalori është autoriteti se si duhet përdorur gjuha, nëse ai pasqyron e përhap përdorimin më të mirë të gjuhës kombëtare, nëse i vetmi standard që njihet, është ai i Fjalorit dhe gjykimi shoqëror është “siç e ka Fjalori”, atëherë, vlerësimi ka ardhur edhe për gjuhën standarde, edhe për Fjalorin.