Disa fotografi së fundi tregojnë se si e kaluara sovjetike ruse është duke u përdorur nga ushtria ruse, e angazhuar në Ukrainë, teksa objektivat e Kremlinit bëhen secilën herë e më të paqarta.
Luftëtarët e Brigadës Pyatnashka të fotografuar afër Avdivkës, më 27 tetor.
Imazhet më lart janë ndër më të fundit që shpërfaqin emblemat e përdorura në fushëbetejë në Ukrainë. Në fotografinë sipër shihen të punuara fytyrat e Karl Marxit, Friedrich Engelsit, dhe themeluesit të lëvizjes sovjetike, Vladimir Leninit. Të tre janë përshkruar shpesh si kokat e sistemit politik sovjetik.
Një ushtar rus, i fotografuar në rajonin ukrainas Donjeck, në korrik të vitit 2023, i pajisur me emblemë sovjetike, e cila është përdorur kur është ngritur flamuri i trupave të Ushtrisë së Kuqe në Gjermani, në maj të vitit 1945.
Disa javë pas nisjes së luftës, në disa pamje amatore janë parë flamuj sovjetikë mbi tanket ruse. Mirëpo pamjet e fundit, të konfirmuara me simbole sovjetike, të publikuara prej mediave të financuara prej Kremlinit, japin shenjë për përqafim të këtyre simboleve nga pjesëtarë të ushtrisë ruse.
Një ushtar rus mban simbolin e flamurit sovjetik teksa gjuan me armë në rajonin Luhansk të Ukrainës, më 4 tetor.
Ian Garner, historian dhe ekspert i propagandës së luftës ruse, ka thënë se përdorimi i imazheve sovjetike është iniciativë e ushtarëve individualë dhe njësiteve, mirëpo është duke u inkurajuar si veprim edhe në kuadër të propagandës së financuar nga Kremlini, sikurse në “koncerte, emisione televizive, e tjera”.
Një hetues ushtarak rus i pajisur me një mbajtëse municioni në paralagje të Donjeckut më 24 tetor.
Hulumtuesi ushtarak më poshtë shihet se e ka në veshje imazhin e Josef Stalinit dhe fjalët “Kur kam qenë në pushtet, kësi fëlliqësirash nuk kanë ndodhur”.
Një luftëtar vullnetar rus afër Kreminës, në rajonin Luhansk të Ukrainës në mars të vitit 2023, mban një kapele me simbole ruse dhe sovjetike.
Garner beson se simbolet sovjetike janë duke u përdorur, pjesërisht për faktin se qëllimet e luftës janë krejtësisht të paqarta.
Një ushtar rus shihet me simbolin e flamurit sovjetik dhe shkurtesën e emrit të Bashkimit Sovjetik, afër Avdivkës, në qershor të këtij viti.
“Ndonëse ushtarët individualë mund të mos identifikohen me qëllimet e pretenduara të shtetit për luftën, apo edhe mund të mos i përshkruajmë qëllimet gjeopolitike që i ka regjimi i [presidentit rus, Vladimir Putinit]”, ka thënë Garner.
“Ata lidhen me këto simbole, me simbole të së kaluarës, përmes së cilave synojnë krijimin e një të ardhmeje utopike, që Rusia do të bëhet sërish superfuqi”.
Një fotografi masive në të cilën shihet një grua duke e mbajtur flamurin sovjetik, dhe mbishkrimi “për një Rusi të fortë”. Pamje në Moskë e muajit korrik.
Në fotografinë më lart ka referenca të një incidenti në ditët e para të luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Atëbotë, një grua e vjetër ukrainase i ka mirëpritur ata që ka besuar se janë ushtarë rusë.
Luftëtarët kanë qenë në fakt ukrainas, të cilët i kanë dhënë gruas ushqim, para se t’ia merrnin flamurin sovjetik.
Incidenti me këtë grua është përdorur shumë në mediat pro luftës ruse, si simbol i asaj që Kremlini pretendon se është mbështetje për luftën e saj, brenda Ukrainës.
Vullnetarë dhe rekrutë të mobilizuar rusë duke e mbajtur një flamur sovjetik teksa përgatiten që të nisen në luftë prej Orenburgut të Rusisë. Tetor 2022.
Garner beson se me imazhet sovjetike nuk synohet të rikthehet sistemi politik marksist, i cili ka shkatërruar numër të madh jetësh në shekullin 20.
“Do të thosha se shumë pak njerëz në Rusi dëshirojnë kthim të Bashkimit Sovjetik”, ka thënë ai.
Disa makina me flamuj caristë, sovjetikë dhe rusë në Severodonjeck të Ukrainës. Maj, 2023.
Sondazhet e fundit kanë treguar që më shumë rusë identifikohen me Bashkimin Sovjetik – i shkatërruar që një kohë – sesa me Rusinë e pavarur.
Mirëpo Garner tërheq vërejtjen se pamjet e rikthyera të epokës cariste dhe simbolet komuniste – të dyja të para në fushëbetejë në Ukrainë – tregojnë se imazhet e periudhës sovjetike, nuk janë asgjë më shumë sesa simbol i epokës së kaluar.
Disa burra në rajonin Donjeck, të pushtuar prej Rusisë, duke e vendosur bustin e Vladimir Leninit. Fotografi e korrikut.
“Asnjëra prej këtyre nuk ka kuptim, përveçse kur e kupton se është dëshirë jokoherente për t’u kthyer mbrapa në kohë”, ka thënë historiani.
“Mirëpo, natyrisht, ne po flasim për një kohë më të mirë, e cila në fakt nuk ka ekzistuar asnjëherë”.