Aleksandër Vuçiç hyn në Shtëpinë Ruse në Beograd. Presidenti serb shtrëngoi duart me ambasadorin Aleksandër Boçan-Karçenko, teksa ky i fundit luajti rolin e një guide turistike, fillimisht duke i dorëzuar kartën e anëtarësisë e deri në prezantimin me librin e përshtypjeve. Vuçiç la një shënim aty duke shkruar se “konfirmon miqësinë tradicionale dhe të fortë mes popullit serb dhe rus”. Ndryshe nga se kërkon Bashkimi Europian dhe Amerika, presidenti serb thotë se do të përforcojë dhe më shumë raportet me Moskën.
Në librin e përshtypjeve ai rrëfeu dhe një sekret duke thënë se babain e kishte një filorus të madh dhe se si djalë është formuar në Shtëpinë Ruse. Vuçiç shtoi më tej se e gjithë bota, por edhe Ballkani, po armatoset me shpejtësi, dhe njoftoi se edhe Serbia po bën një gjë të tillë. Pretendoi se nuk shqetësohet nga monitorimi i afërt që po i bën Amerika ushtrisë dhe armatimit të Serbisë.
Gjithashtu foli dhe për Kosovën duke përsëritur qëndrimet e zakonshme, por edhe ngriti zërin kundër deklaratave të ministrit të jashtëm britanik, David Cameron, për mbështetjen e ofruar për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe për portretizimin e Serbisë si një satelit të Rusisë në Ballkan.
“Serbia krenohet me pavarësinë e saj dhe kjo është arsyeja pse jam i zhgënjyer nga deklarata e ministrit të Jashtëm britanik Cameron se Serbia është protektorat i Rusisë, si dhe tregimet se ne do të jemi ata që destabilizojmë rajonin. Është e qartë se shumë njerëz shqetësohen kur keni politikën tuaj dhe kur ajo politikë nuk është e nënshtruar. Ne do të vazhdojmë të kemi politikën tonë të pavarur, edhe ndaj Federatës Ruse”, deklaroi Vuçiç.
Nga ana tjetër, diplomati i Putinit tha se Rusia nuk do të kërkojë kurrë nga Serbia, që të kthehet në një vend rus. Gjatë qëndrimit në Shtëpinë Ruse, Vuçiçit iu dhurua një libër, një pikturë dhe ndoqi një film me ambasadori Karçenko për raportet ruso-serbe.