Ushtria izraelite thotë se ka dorëzuar inkubatorë, ushqim për fëmijë dhe pajisje mjekësore në spitalin al Shifa, ku “operacioni i saj i synuar” është “ende në vazhdim”
Forcat izraelite thanë gjatë natës se kishin hyrë në një “zonë të caktuar” të kompleksit mjekësor për një operacion “të saktë dhe të synuar” “kundër Hamasit”.
Bastisja erdhi disa orë pasi SHBA-ja mbështeti pretendimet e Izraelit se objekti mjekësor ishte përdorur nga Hamasi si bazë për operacione.
Hamasi – i cili i mohoi kategorikisht pretendimet – fajësoi presidentin amerikan Joe Biden dhe administratën e tij për bastisjen izraelite, duke thënë se “miratimi” i akuzave i kishte dhënë në mënyrë efektive Izraelit “dritën jeshile” për të nisur operacionin.
Megjithatë, në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se nuk i mbështet sulmet ajrore në spital dhe se “nuk donte të shihte” luftime brenda objektit.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se gjatë bastisjes pacientët “duhet të mbrohen”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë në një postim në X, se “operacioni i tyre i synuar është ende në vazhdim”.
“Tani mund ta konfirmojmë se kemi çuar inkubatorë, ushqim për fëmijë dhe furnizime mjekësore, të siguruara nga IDF”.
“Ekipi ynë mjekësor dhe ushtarët që flasin arabisht janë në terren për të siguruar që këto furnizime të arrijnë tek ata në nevojë”.