Fotografitë e Sotirit, dokumentim i jetës së korçarëve në fillimshekullin XX

Kristaq Sotiri dhe fotografitë e tij janë emblema të qytetit të Korçës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi në rrjetet sociale disa fotografi të Sotirit, të shkrepura në Pazarin e Vjetër të qytetit, në vitin 1932.

“Fotografia e Kristaq Sotirit është përdorur si një burim i vlefshëm prej ku mund të identifikoheshin momente të rëndësishme për sa i përket historisë së qytetit të Korçës”, shkruan DRTK Korçë.

Seria e fotove të Pazarit të Vjetër, përbën një ndër punët më të spikatura dhe interesante të fotografit në kohën kur zhvillohej tregtia për blerjen e qypave, prodhimeve të artizanatit, qilimave, gunave etj.

Tek fotografitë e Pazarit të Vjetër të Korçës, spikat jo vetëm elementi racional, strukturor, arkitekturor e dekorativ por edhe lëvrimi i aktivitetit tradicional, artizanal, tregtar, social-kulturor.

Artisti i Popullit Kristaq Sotiri lindi në fshatin Mborje, në 1883 dhe vdiq në Korçë, në 1970-ën. Sotiri ka lënë një pasuri shumë të madhe prej 13726 negativë filmi dhe rreth 1500 foto ku pasqyrohet Korça nga viti 1922-1963, Pogradeci dhe fshatrat përreth, foto të cilat janë në gjendje shumë të mirë në koleksionin privat të familjes së tij.

Falë punës së tij të madhe, Korça e rrethinat e saj të fillim shekullit të 20-të, vijnë të dokumentuara deri në ditët tona.