Themeluesi i organizatës joqeveritare të ekstremit të djathtë “Solidarité Kosovo”, francezi Arnaud Gouillon (Arno Gujon) iu drejtua mbështetësve të Vuçiqit në tubimin parazgjedhore të SNS sonte dhe e mbështeti Aleksandar Vuçiqin në zgjedhjet e ardhshme.
“Fol serbisht që të të kuptojë e gjithë bota”, tha Gouillon dhe mori duartrokitje të mëdha.
“Më parë jo të gjithë më kuptonin, sepse unë nuk dija serbisht, kur shkova për herë të parë në Kosovë. Dhe pastaj, kur u ktheva në qytetin tim në Grenoble, vendosa të mësoj serbisht. Por ku në Grenoble të mësoj serbisht? Kërkova derisa gjeta një libër ku shkruhej: “Mëso serbisht pa vështirësi”. Isha i ri dhe naiv, mendoja se do të mësoja pa vështirësi një nga gjuhët më të vështira indo-evropiane. Pastaj mësova se ekziston asgjë pa vështirësi. Kam dy muaj që jam në parti, por së bashku do të vendosim dhe do të arrijmë synime të reja”, transmeton Ballkani.info.
“Kur votojmë, zgjedhim jo vetëm qeverinë, por edhe të ardhmen. Të gjithë u bashkuan kundër nesh në këtë fushatë. Ata thonë se do të krijojnë një qeveri teknike. Unë nuk e di se çfarë është qeveria teknike, por e di, do të ishte një nokaut teknik”.
“Më besoni, nëse fitojnë më 17 dhjetor, ata do ta njohin Kosovën më 18 dhjetor, do të vendosin sanksione ndaj Rusisë në datën 19, do të heqin dorë nga Republika Serbe në datën 20… Unë jam duke udhëtuar nëpër Serbi, më besoni se njerëzit nuk e bëjnë, nuk i dëshirojnë ata”.
“Ata duan ta marrin Serbinë tonë dhe ne nuk do ta japim Serbinë tonë”, tha Gouillon.
“Non grata” në Kosovë
Gouillon në vitin 2020 është shpallur person “non grata” në Kosovë dhe nuk lejohet të hyjë në Kosovë.
Arnaud Gouillon, përfaqësues i së djathtës ekstreme franceze, në vitin 2020 ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë në detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Regjion, e cila është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Serbisë.
Sipas studiuesve perëndimorë të së djathtës evropiane, veçmas e djathta franceze, quhet “kultivim i Rusisë për ta minuar Perëndimin, duke përdorur aktorë të ndryshëm që ta frikësojnë partneritetin perëndimor”.
Në mediat frënge, Arnaud Gouillon quhet edhe një anti-semit, anti-amerikan dhe anti-mysliman.
Që nga koha, kur vepron e jeton në Serbi, Gouillon ka krijuar raporte shumë të mira edhe me ambasadën e Federatës Ruse në Beograd, shkruan Ballkani.info.
Gjithashtu, ai ka hapësirë të rezervuar në mediat ruse në Serbi, veçmas në Sputnik Serbia.
Në vitin 2012 ka qenë kandidat i së djathtës ekstreme për President të Francës, në kuadër të Lëvizjes “Generation Identitaire”. Kjo lëvizje ekstremiste franceze është pasardhëse e organizatës “Unity Radicale”, e cila kishte organizuar atentat ndaj ish-presidentit francez Jacques Chirac.
Gjatë fushatës elektorale për President të Frances, Gouillon kishte pasur si moto të zgjedhjeve konstatimin racist “Unë jam evropian, sepse flamuri im i parë është lëkura ime”.
Arnaud Gouillon portretizohet në shtypin francez si “Kalë Troje” i së djathtës ekstreme në Serbi. Emisarët e tillë konsiderohen nga të gjitha think-tanket perëndimore si të dërguar nga Kremlini dhe shërbimet e inteligjencës së Federatës së Rusisë.
“Grupet e së djathtës ekstreme franceze nuk e kanë të kufizuar që t’i bashkohen familjes së Le Penit. Ato janë të ndryshme, veprojnë nëpër rrjete të ndryshme, dhe janë brenda forcës ruse”, thuhet në studimin e Nicolas Lebourg, të cilin e ka publikuar Carnegie.
Gouillon është themelues i organizatës së ashtuquajtur humanitare e cila merret me serbët e Kosovës. Bashkëthemelues i kësaj organizate “Solidaritete Kosovo” është edhe Nikola Mirkoviq, një opinionist i televizionit të Vladimir Putinit RT (Russia Today). Poashtu, këta njihen edhe përkrahjen e pushtimit të Krimesë ukrainase nga Rusia.
Mirëpo, kjo konsiderohet vetëm një “mbulesë” e veprimtarisë së tij ultra-djathtiste. Në emër të “mbledhjes së fondeve financiare për serbët e Kosovës”, Gouillon ka kryer aktivitete raciste në Evropë, duke bërë thirrje nëpër konferenca sensibilizuese kundër hebrenjve, amerikanëve dhe myslimanëve.
Arnaud Gouillon është i martuar me një serbe.
Ish-presidenti serb Tomislav Nikoliq ia ka dhënë pasaportën serbe.
Ai, përveç aspektit propagandistik e nxitjes së urrejtje për racizëm e fashizëm, ka organizuar në Paris edhe protesta kundër njohjes së Kosovës si shtet nga Franca.
Për aktivitetet armiqësore të Gouillon kundër Republikës së Kosovës, atij i është ndaluar hyrja në territorin e vendit tonë.