FSK në vend të KFOR në veri? Serbia në alarm: E papranueshme dhe e rrezikshme

Tërheqja e mundshme e SHBA nga misioni i KFOR në Kosovë nuk shqetëson vetëm Kosovën, por edhe Serbinë. Kryeministri serb Millosh Vuçeviç tha se një hap i tillë mund të përkeqësojë kushtet e sigurisë në Kosovë, dhe paralajmëroi se do të monitoronin situtatën.

Sipas Vuçeviç, mbi bazë të marrëveshjes së Kumanovës, KFOR është përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin serb. Ai e cilësoi të papranueshme që Forcat e Sigurisë së Kosovës të zëvendësojnë KFOR-in në zonat serbe: “Kjo është shumë e rrezikshme për ne dhe ne nuk e dimë nëse Amerika do t’i shpërndajë forcat e saj të armatosura ndryshe në Evropë. Ne do të monitorojmë dhe vlerësojmë se çfarë do të thotë kjo në aspektin e sigurisë së Serbisë dhe serbëve në Kosovë”.

Kryeministri i dorëhequr i Serbisë ju referua edhe zgjedhjeve në Kosovë, duke thënë se me gjasë Albin Kurti do të ketë një mandate teknik për 6 muaj, pasi nuk ka shumicën. Ai dënoi ato që i quajti përpjekje të Prishtinës për të vjedhur një mandat nga Lista Serbe, përmes partisë së rrejshme, siç e cilëson Nenad Rashiç.

Sipas Vuçeviç, po bëhen të gjitha përpjekjet që t’i marrin mandatin e dhjetë Listës Serbe, pasi në këtë mënyrë nuk do të kenë nevojë për pëlqimin e kësaj për të zgjedhur një ministër serb në ata që e quajti qeveri e përkohshme e Prishtinës.