Përgatiti: Dush Gashi
Kurti është i suksesshëm në synimet e tij për të zbatuar shtetësinë e Kosovës në veri, thotë analisti Marko Prelec, por ai paralajmëron se do të jetë e vështirë të reduktohen serbët në atë që janë sot në Kroaci.
Në të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung ka dalë një artikull me titull “Strategjia e Albin Kurtit në Kosovë është e suksesshme”. Bëhet fjalë për një bisedë që një gazetar zviceran ka zhvilluar me ekspertin e Ballkanit, Marko Prelec, i cili ka doktoruar në histori nga Yale, ka punuar në Tribunalin e Hagës dhe në Grupin Ndërkombëtar të Krizave dhe tani ka qendrën e tij analitike.
Fillimisht thuhet se procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “klinikisht i vdekur”. Kur u pyet se si ndodhi kjo, Prelec përgjigjet:“Kurti nuk ka besim se dialogu do të sjellë rezultatin e dëshiruar – njohjen përfundimtare nga Serbia të pavarësisë së Kosovës. Kjo është arsyeja pse ai po ndjek një politikë fakti të kryer, duke zbatuar sovranitetin shtetëror në veri kudo që të mundet.
Strategjia ka qenë më e suksesshme nga sa prisnin shumica prej nesh. Kjo edhe sepse askush nuk mund ta imagjinonte se një kryeministër në Prishtinë do të merrte vendime në një masë të tillë pa partnerë perëndimorë”. I pyetur për mundësitë e ndikimit të partnerëve perëndimorë te Kurti, Prelec tha se vetëm KFOR-i mund të vendosë disa vija të kuqe, gjë që është bërë edhe me rastin e urës në Mitrovicë, por edhe se mundësitë e ndikimit janë të kufizuara për shkak të popullaritetit të madh të Kurtit, sidomos pas konfliktit në Banjskë.
Prelec parashikon lëvizjet e radhës të Kurtit – vënien nën kontroll të arsimit dhe shëndetësisë. I pyetur se çfarë dëshiron të arrijë Prishtina me këtë, ai përgjigjet: “Edhe pse Beogradi pretendon të kundërtën, mendoj se Kurti në parim nuk e refuzon praninë e popullatës serbe në Kosovë. Por kërkon një njohje të qartë se ata jetojnë në shtetin e Kosovës. Ai nuk toleron asnjë ndjenjë përkatësie ndaj Serbisë”.
“Ma merr mendja se ai po mendon për një zgjidhje afatgjatë si në Kroaci. Aty kishte edhe një pakicë të konsiderueshme serbe, e cila pas luftës u pakësua në disa përqind. Këta njerëz sot kanë të drejta të caktuara kulturore dhe politike. Por nuk ka autonomi të pjesshme dhe asnjë mundësi reale të ndikimit të Beogradit. Përkatësia e Kroacisë nuk është në diskutim. Por Kosova nuk është Kroaci”.
I pyetur nëse problemi është edhe në Beograd dhe nëse Perëndimi po tregohet i butë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Prelec përgjigjet se presioni diplomatik është i drejtuar kryesisht ndaj Prishtinës dhe se kjo bazohet në një vlerësim të gabuar të Brukselit dhe Uashingtonit.
“Vuçiq paraqitet me shumë mjeshtëri. Dërgesat e municioneve në Ukrainë i kanë dhënë atij shumë favore nga Perëndimi. Përveç kësaj, në kryeqytetet evropiane ekziston shqetësimi se Serbia do t’i drejtohet Rusisë nëse presioni ndaj Beogradit është shumë i madh. Mendoj se ky është një vlerësim krejtësisht i gabuar”.
Pak më tutje ai shpjegon: “Vuçiq e di se është i destinuar për marrëdhënie të mira me NATO-n dhe Bashkimin Evropian”. Në fund të fundit, ato organizata e rrethojnë vendin e tij. Çmimi i një kursi konfrontues do të ishte shumë i lartë”.
Gazetari bën pyetjen e fundit – a ka rrezik përshkallëzimi.
“Nuk ka asnjë rrezik të menjëhershëm. Por në varësi të kushteve të përgjithshme gjeopolitike situata mund të ndryshojë”, përgjigjet eksperti për Ballkanin.Më pas ai thekson rreziqet – çdo fitore e Rusisë në luftën me Ukrainën do të sillte gjithashtu kufij të rinj. Përveç kësaj, ka paqartësi në lidhje me fitoren e mundshme të Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Marko Prelec shprehet: “Perëndimi e ka gabim nëse nënvlerëson rëndësinë e konflikteve të tilla të pazgjidhura”.(Intervista e plotë në linkun në koment).