Në afërsi të lokalitetit arkeologjik Hisar në Suharekë janë gjetur disa kallëpe për prodhimin e stolive, sikurse edhe enë të ndryshme. Sipas autoriteteve shtetërore këto zbulime të reja ofrojnë dëshmi për vazhdimësinë e popullsisë ilire-dardane gjatë periudhës së bronzit dhe të hekurit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku ka njoftuar se ka zbulime të reja në afërsi të lokalitetit arkeologjik Hisar, në Suharekë, raporton Telegrafi.
“Gërmimet që po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në këtë lokalitet kanë sjellë të dhëna të rëndësishme për kulturën e Eneolitit të vonë, gjithashtu periudhën iliro-dardane në disa zona të lokalitetit”, ka bërë të ditur ai.
Sipas Çekut, gjetja e kallëpeve të stolive si dhe enëve janë më të rëndësishmet në këtë ekspeditë.
“Një nga zbulimet më të rëndësishme është gjetja e disa kallëpeve për prodhimin e stolive, po ashtu enëve që dëshmojnë për vazhdimësinë e popullsisë ilire-dardane gjatë periudhës së bronzit dhe të hekurit”, ka shkruar Çeku në rrjetet sociale.
Sipas tij, këto gjetje e bëjnë Hisarin “si një arkivë kryesore për studimin e prehistorisë së Kosovës dhe të Ballkanit”.
Sipas të dhënave të publikuara në Databazën e Trashëgimisë Kulturore, lokaliteti arkeologjik, gjegjësisht, vendbanimi prehistorik i Hisarit ndodhet në anën jugperëndimore të Suharekës, në krahun e djathtë të rrugës Suharekë–Prizren.
Gërmimet e para në këtë lokalitet janë zhvilluar në disa sezone; 1961-1963, 1978 dhe pas një ndërprerje te disa dekadave, për të vazhduar në vitet 2003-2004, por edhe në vitin e shkuar, raporton Telegrafi.
“Materiali arkeologjik i zbuluar këtu gjatë gërmimeve i përket periudhës që fillon nga neoliti i vonë deri në periudhën e hekurit dhe në veçanti ka vlera të veçanta për studimin e kulturës materiale të banorëve autoktonë dardanë”, thuhet aty.
Hisari, sipas Databazës, përfaqëson një qendër të rëndësishme të prehistorisë rajonale e ballkanike, ku gjatë epokës eneolitike lulëzoi një qytetërim i vërtetë parahistorik. /Telegrafi