Gërvalla i reagon Borrellit: A po bëni thirrje për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka reaguar Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për arrestimet në veri, të cilat ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore

Gërvalla ka shpërndarë postimin e tij në Twitter dhe e ka pyetur nëse BE’ja po bën thirrje që të mos ndëshkohen ata që kanë sulmuar pjesëtarët e NATO’s.

“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?”, ka pyetur Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se arrestimi i djeshëm, është bërë në bazë të Kodit të Prcoedurës Penale të Kosovës dhe se s’ka asgjë “jashtëgjyqësore”.

“Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë dje se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.

Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore.

Arrestimet e serbëve ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

Në fund, Borrell shkurtimisht ka kritikuar edhe Serbinë, për retorikën e saj nxitëse.

“Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e ashpër nga Serbia”, ka shkruar Borrell.

Ai ka thënë se ky eskalim në rritje, nuk do të tolerohet.