Gjajiqi nuk dëshiron që Shqipëria të jetë kundërshtare e Serbisë: Mos e bëj Zot

Serbia mund të jetë kundërshtare e Kombëtares së Shqipërisë në futboll në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Derisa Shqipëria është në vazon e dytë, Serbia është në vazon e fundit, përkatësisht të katërt, së bashku me Italinë, Zvicrën dhe tre fituesit e plejofit.

Shorti për Kampionat Evropian po pritet me interesim shumë të madh. Shorti do të tërhiqet më 2 dhjetor prej orës 18:00 në Hamburg.

Në Federatën e Futbollit të Serbisë i frikësohen një përballjeje me Shqipërinë në Evropianin e futbollit. Këtë e ka lënë të kuptohet Dragan Gjajiq, president i Federatës serbe të futbollit. Gjajiq vlerësohet legjendë e futbollit në Serbi, ndërsa është në krye të federatës së këtij vendi.

“Të gjithë kemi të drejtë në dëshira. Por dëshirat janë një gjë e realiteti gjë tjetër. Kë do që e përcakton shorti do të jetë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të them tani që vetëm të mos e kemi Gjermaninë, Spanjën, Francën”, ka thënë Gjajiq për mediumin serb “sportal”.

“Janë të vështirë, por të vështira janë edhe Rumania, mos e bëjë Zot, Shqipëria… Të gjitha këto mund të na shkaktojnë një problem të caktuar. Ne duhet të vlerësojmë sukseset tona dhe lojtarët, por mos të nënçmojmë. Duhet të jemi real që të bëjmë hapin para”, ka shtuar Gjajiq.

Ndeshja eventuale Shqipëri – Serbi do të ishte e rrezikshmërisë së lartë dhe do të pritej me shumë interesim. Serbia është përballur dy herë me Zvicrën në Botëror dhe që të dy ndeshjet ishin shumë të përfolura dhe me zhvillime. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri ishin protagonistë të atyre dy ndeshjeve, në Rusi dhe në Katar.

Shqipëria për herë të dytë paraqitet në Kampionatin Evropian të futbollit. Për herë të parë u paraqit në Euro 2016, ku nuk e kaloi grupin.

Shqipëria ka pasur kampanjë shumë të suksesshme kualifikuese. Ka fituar grupin ku ishin Çekia dhe Polonia.

Gjajiqi nuk është i vetmi në Serbi që me dëshirë do të shmangte përballjen me Shqipërinë.