Eurovisioni këtë vit u mbajt me plot dinamika e drama, sidomos edhe pas skualifikimit të Holandës në finale për çështje të brendshme brenda stafit të festivalit.
Tani, pas më shumë se dy javësh, është raportuar nga medie të shumta për një situatë që pothuajse u doli nga kontrolli EBU-s që organizon festivalin, shkruan NME.
Sipas gazetës norvegjeze VG, gjashtë vende donin të tërhiqeshin nga gara deri në 25 minuta para fillimit të finales së madhe, në mesin e tyre edhe Zvicra që fitoi Eurovisionin.
Vendet e tjera që po ashtu kërcënuan ta lënë garën ishin Irlanda, Portugalia, Norvegjia, Greqia si dhe Mbretëria e Bashkuar. Greqia mohoi se kishte kërcënuar të tërhiqej.
Nëse do të tërhiqeshin të gjitha këto shtete, finalja do të mbahej me 19 vende, derisa producentëve do t’ju duhej të mbushnin 20 minuta të organizimit.
Arsyet për këtë mbeten të paqarta dhe nuk ka pasur sqarim të qartë, megjithatë flitet se ka të bëjë diçka me pjesëmarrjen dhe sjelljen e stafit të ekipit përfaqësues të Izraelit.
Njëri prej avokuesve më të zëshëm për t’u tërhequr nga eventi ishte Magnus Bormark, një anëtar i grupit norvegjez Gate.
“Ne kemi menduar të tërhiqemi deri në momentin e fundit. Shumë prej nesh reaguan ndaj faktit që Izraeli pati mundësinë të përdorte Eurovizionin si mjetin e tij politik”, shpjegoi kitaristi.