Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi në 417-vjetorin e vdekjes strategun, teoricienin ushtarak dhe gjeneralin me famë evropiane dhe botërore, me origjinë arbëreshe, Gjergj Bashta.
Lindi në 1544 në Rokaforcata (Roccaforzata), pranë Tarantos, në një familje me tradita ushtarake. Në moshë fare të re ai u bë pjesë e reparteve ushtarake që u ngritën nën pushtimin osman me emrin “stratiotë” që shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane nën ushtritë e perandorisë gjermane në Francë, Flandër, etj.
Gjergj Bashta i kreu studimet në qytetin Asti, Itali. Organizoi, drejtoi dhe zhvilloi shumë luftime dhe beteja si kryekomandant i ushtrive spanjolle në Belgjikë, Holandë dhe Francë dhe i ushtrive gjermane në Hungari, në malet e Ballkanit, në Transilvani kundër ushtrive osmane.
Bashta ishte përçues i traditës së përdorimit dhe drejtimit të kalorësisë së lehtë të ushtrisë së Skënderbeut në Itali, në ushtritë europiane të shek. XVI–XVII. Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bashtës.
Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA-ve në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Bashta. Për shkencën dhe lexuesin shqiptar emri i Bashtës u bë i njohur kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në revistën “Ylli” më 1966, në numrin e 7-të të saj.
Gjergj Bashta shkroi tri vepra teorike dhe praktike ushtarake, të cilat u njohën në Europë: “Il maestro di campo generale” (Mjeshtri i kampit të përgjithshëm) në vitin 1606; “Governo della cavalleria leggera” (Për drejtimin e kalorësisë së lehtë), në vitin 1612 dhe “Mbi drejtimin e artilerisë”, në vitin 1612. Vdiq në qytetin Kuartre, Belgjikë dhe u varros me ceremoni në kishën e Kryqit të Shenjtë në Vjenë, më 1607.