Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe aleanca e ngushtë me Alfonson V të Aragonit, çfarë parashikonte traktati që nënshkroi Heroi Kombëtar

Më 26 mars të vitit 1451, Gjergj Kastriot Skënderbeu lidhi një aleancë me mbretin e Napolit, Alfonson V të Aragonit (1396-1458).

Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispanoshqiptare, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e paraardhësve të tij normanë, Alfonso nisi aplikimin e një politike ballkanike ambicioze.

Në sajë të traktatit që nënshkroi me Skënderbeun, i njihej e drejta historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tjera, si edhe zotohej për pagimin e haraçeve. Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me 4000 vetë, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pat shpërthyer në mbretëri në vitin 1462. Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qëndron në themel të kontakteve diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë shekullit XVI.

Marrëdhëniet politike dhe diplomatike të mbretërisë së Spanjës mesjetare me Shqipërinë nuk ishin intensive. Distanca gjeografike, përkatësia në dy ambjente të ndryshme kulturore dhe, në rastin spanjoll, përqëndrimi në projektin e Reconquistas së gadishullit, bënë që kontaktet hispano-shqiptare të ishin praktikisht joekzistente. Me përjashtim të episodit kalimtar të pushtimit të Durrësit nga flota detare të Luis de Évreux në vitin 1376, që u larguan shpejt nga Shqipëria dhe kaluan në More, duhej pritur mbretërimi i Alfonso-s V të Aragonit (1396-1458) që marrëdhëniet hispano-shqiptare të intensifikoheshin. Si mbret i Napolit që nga viti 1442, Alfonso filloi një politikë ballkanike ambicioze, si paraardhësit e tij normanë, Hohenstaufen dhe angevinët. Kjo politikë e çoi atë në përballjen me Venedikun, që nuk kishte e shihte me sy të mirë kontrollin e të dy anëve të ngushticës së Otrantos nga i njëjti princ.

BALLKANI

Ndërhyrja e Alfonsos në Ballkan u përqendrua përballë Adriatikut të Epirit dhe të Shqipërisë. Ai krijoi aleancat me Gjergj Kastriot “Skënderbeun” në Shqipërinë qendrore dhe me vjehrrin e tij Jorge Arianit (Gjergj Arianiti) në jug. Në vitin 1451, ai nënshkroi një traktat me Kastriotin, me të cilin ai (Kastrioti) i njihte të drejtat historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tij dhe premtonte të paguante haraç nëse respektonte privilegjet e tyre.

Në vitet në vijim, deri në vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe pastaj i biri i tij Ferrante I (1458-1494) vazhduan t’i dërgonin ndihmë Gjergj Kastriotit për luftën kundër turqve. Ky, nga ana tjetër, shkoi në Napoli në vitin 1462 me 4.000 burra për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që kishte shpërthyer në mbretëri. Arritja e Skënderbeut i lejoi Ferrantes të ngrinte rrethimin e Barletës, të mposhtte francezët në Troa (Puglia) dhe të hyjë fitimtar në Napoli.

Kjo ndihmë ushtarake e dhënë nga Skënderbeu për Ferranten I, u bë një temë e përsëritur e memorialeve që shqiptarët i paraqisnin autoriteteve spanjolle, me të cilat ata kërkonin t’i vinin në lëvizje për t’i ndihmuar me të njëjtën mënyrë që kishte bërë Skënderbeu më parë. Pa frikë se po e ekzagjerojmë, mund të thuhet se këto marrëdhënie ushtarake të Alfonsos dhe Ferrantes me Skënderbeun ishin themeli i kontakteve intensive diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë gjithë shekullit të 16-të. Që atëherë, shumë shqiptarë i shërbyen Monarkisë si agjentë ushtarakë dhe informatorë, jo vetëm në Napoli, por në të gjithë Italinë dhe në ndërmarrjet ushtarake të huaja në Gjermani, Flandër, Francë, etj.

Kontaktet diplomatike të Alfonsos V me Skënderbeun gjithashtu hapën derën e emigracionit shqiptar në Italinë jugore në kohët moderne. L Giustiniani dallon shtatë faza në të, nga të cilat katër të parat u zhvilluan në shekujt XVXVI: I) mbretërimi i Alfonsos V; II) mbretërimi i Ferrantes I, kur Skënderbeu shkoi në Napoli në mbrojtje të tij; III) në vitin 1468, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, kur djali i tij Gjoni u strehua në Pulia; iv) emigrimi i coronasve dhe peloponezëve në 1532-1534. Njihen dokumente të ndryshme rreth procesit të vendosjes së këtyre emigrimeve në Napoli dhe protagonistët kryesorë të tij. Në shkurt 1519 Carlos V nënshkroi një patentë që emëronte kapitenin Lázaro Mates dhe pasardhësit e tij si mbrojtës të kombeve shqiptare, greke dhe sllave.

Llazari ishte larguar nga Shqipëria në fund të shekullit të XV-të, për të mos jetuar nën ligjin e turqve dhe ishte kreu i një familje stratiote, të cilët në shekullin e XVI-të dhanë shërbime të mëdha ndaj Spanjës, për të cilat morën qeverisjen e familjeve të ndryshme në Pulia dhe Basilikatë. Një familje tjetër që luajti një rol vendimtar në vendosjen e emigrantëve shqiptarë ishte familja Kastriota-Granai, e lidhur me linjën e KastriotSkënderbeut. Në vitet 1510, perandori Carlos V i dha Alfonso Kastriota-Granait, zotërimet e Markezit Atripalda në Kampania, e caktoi atë guvernator të tokave të Barit dhe të Otrantos, i dha leje për të ndërtuar dhe për të populluar tri territore dhe e konfirmoi atë si kapiten të 500 kuajve të shpejtë.

Nga pozicioni i tij në Pulia, Alfonso mbajti kontakte të ngushta me Shqipërinë dhe Epirin, veçanërisht me Himarën, siç do ta shohim më vonë. Vëllai i tij Ferrando mori privilegje të ngjashme: Zotërimet e Sant’Anxhelos, prona feudale, një kapitenëri të armëve, qiratë, licenca për të ndërtuar shtëpi, etj. Përveç Mates dhe Kastriota-Granait ne i njohim emrat e grekëve dhe shqiptarëve të tjerë, të cilët u janë dhënë qira, emërime ushtarake, privilegje dhe përjashtime tatimore, siç janë Demetrio dhe Jorge Capuzzimati, Jorge Basta, Dionisio Critopulo, Juan Mates, Constantino Musaquis, Jorge Sofiano ose Miguel Ralis.

Me këto privilegje dhe emërime, autoritetet spanjolle kërkonin dy objektiva: ripopullimin e shtëpive të braktisura në brendësi dhe të bregdetit të Pulias, më të ekspozuara ndaj sulmeve turke dhe paqtimin social dhe politik të mbretërisë kundër fisnikërisë pro-anzhuine. Kishte disa faktorë që çuan popullsinë ballkanike nën sundimin turk të kërkonte mbështetjen ushtarake të Spanjës. Në radhë të parë ishte afërsia gjeografike e mbretërive të Napolit dhe Siçilisë nën sovranitetin spanjoll. Në rastin e Himarës, fregata e Otrantos kaloi ngushticën (kanalin) prej72 km, në vetëm një orë pa asnjë pengesë. Kjo i dha himariotëve një liri të madhe të lëvizjes në komunikimet e tyre me mbretërinë e Napolit. Një faktor i dytë që përcaktoi intensitetin e kontakteve ishte ideali i luftës kundër Islamit që impenjonte politikën e jashtme spanjolle.