Gjermani që i kushtoi jetën Shqipërisë dhe gjuhës së saj

Ai është një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës gjuhësore austriake, profesor në Universitetin e Gracit dhe është cilësuar si albanologu më i madh i kohës së tij.

Bëhet fjalë për Gustav Meyer. Ai filloi të studionte për shqiptarët, për gjuhën shqipe dhe historinë e saj në fillim të viteve ’80 të shek. XIX. Ai u njoh me shqipen jo vetëm nëpërmjet studimeve e burimeve të shkruara të kohës, por edhe duke mbledhur vetë leksik dialektor në ngulimet shqiptare.

Më 1800, ai ndërmori një udhëtim në Siçili dhe vizitoi ngulimet arbëreshe ku mblodhi edhe lëndë gjuhësore nga këto të folme të shqipes. Meyer pati letërkëmbim me dijetarë shqiptarë dhe arbëreshë të kohës, me Kostandin Kristoforidhin, Jeronim De Radën, Thimi Mitkon, Dhimitër Kamardën.

Më 1883-1897 botoi gjashtë vëllime me Studime shqiptare ku trajtoi probleme të shumta të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, të etimologjisë dhe të leksikut, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera etj..

Siç e thekson edhe Seit Mansaku në parathënien e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, përkthyer nga studiuesja e historisë së gjuhës dhe njohësja e disa gjuhëve të huaja, Anila Omari, veçanërisht i rëndësishëm për fonetikën historike të gjuhës shqipe dhe për studimet etimologjike të saj, është vëll.

III (1892) ku janë paraqitur zhvillimet e tingujve të indoevropianishtes në gjuhën shqipe, duke hedhur kështu themelet e fonetikës historike të shqipes për periudhën e hershme të saj. Përfundimet e parashtruara në këtë vëllim kanë pasur ndikim të fuqishëm në kërkimet e mëpastajme në këto fusha studimesh.

Më 1883 G. Meyeri botoi artikullin Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indogjermane , ku saktëson më tej përfundimet që kishte arritur F. Boppi për lidhjet e afrisë së shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane.

Në ndarjen e madhe të gjuhëve indoevropiane, Meyeri shqipen e përfshin në grupin e gjuhëve satem. Nga ana tjetër në bazë të reflektimit të o-së së shkurtër indoevropiane, e afroi shqipen me gjuhët veriore.

Lidhur me prejardhjen e shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre, Meyeri besonte se “shqiptarët kanë banuar në Shqipëri që nga kohët shumë të vjetra; ata e kanë prejardhjen nga ilirët… T’i quash shqiptarët me emrin ilirët e rinj, është po aq e drejtë sa të quash grekë të rinj, grekët e sotëm”.

Më 1888 G. Meyer botoi një Gramatikë të shkurtër të gjuhës shqipe. Vepra themelore e G. Meyerit është Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe , në të cilin janë sintetizuar të gjitha arritjet e tij në fushën e studimit historik të shqipes.

Akademia franceze i dha çmimin Verner. Faik Konica në revistën “Albania” nr. 8 shkruan: “Albanologu i ndritur ka një famë universale në botën e dijetarëve. Që nga botimi i të parave Studime shqiptare të tij, ai u shfaq si një nga filologët më të thellë të kohës sonë”.

Meyer ka botuar dy punime për ndikimin latin në gjuhën shqipe: Ndikimi i latinishtes nëmorfologjinë e shqipes (1886) dhe Elementet latine në shqipe (1888), në të cilat autori kishte arritur në përfundimin se gjuha shqipe kishte pësuar një ndikim të fortë latin jo vetëm në leksik, por edhe në strukturën gramatikore dhe në fjalëformim.

Meyeri u mbështet në fjalorë dygjuhësh, siç ishte Fjalori latinisht-shqip i F. Bardhit (1635), në dy fjalorët italisht-shqip (1866) dhe shqip-italisht(1875) të Francesco Rossit, në Fjalorthin e G. Von Hahnit në Studime shqiptare (1854), në glosarin e “Noctes pelasgicae” të K.

Reinholdit dhe në atë të August Dozonit në fund të Manualit të tij për shqipen (1879), si edhe në tekste të mbledhura vetë dhe nga të tjerë në të folmet shqipe të Italisë e të Greqisë. Tekstet e vjetra të shekujve XVI-XVII, përveç Fjalorit të F. Bardhit, duket se nuk ka mundur t’i shfrytëzojë plotësisht.

Çabej me të drejtë pohon se “G. Meyeri s’pati mundësi ta rrokte gjuhën shqipe prej trungu, po e rroku prej degësh. Nuk ka dyshim se po ta njihte pasurinë gjuhësore që njihet sot, kryesisht nëpërmjet fjalorëve e botimeve të tjera të shek. XX e të kish njohur veprat e letërsisë së vjetër, statistika e tij do të dilte ndryshe”.

Çabej ka arritur të zbërthejë etimologjinë e shumë fjalëve, të cilat G. Meyeri i kishte lënë pa shpjegim etimologjik, duke bërë realitet një dëshirë të vetme të Meyerit, i cili në parathënien e Fjalorit uronte që pasardhës më të mprehtë e më të përgatitur se ai, ta zvogëlonin sa më shumë numrin e fjalëve të cilave ai nuk qe në gjendje t’u jepte shpjegim etimologjik.

Parathënien e fjalorit të tij (1890) Meyeri e ka mbyllur: Por në qoftë se unë, sipas një tradite do t’i jepja librit një urim që do ta merrte me vete gjatë rrugës, ky do të ishte: “Le të qëndrojë ai krahas punimeve të dijetarëve të mëdhenj, të cilëve u kushtohet, si një ndihmesë jo krejt e padenjë për studimin e gjuhës shqipe”.

Në nder të kontributit që Gustav Meyeri ka dhënë për gjuhën shqipe, në Tiranë një shkollë mban emrin e tij.