Gjermania mohon të ketë qenë e koordinuar me Kosovën për t’i shpallur dy organizatat serbe terroriste

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Gjermania ka njoftuar se nuk ka pasur koordinim me qeverinë e Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat operojnë në Veri të Kosovës.

“Këto vendime kanë të bëjnë edhe me proceset dhe hetimet aktuale brenda Kosovës, të cilat ne nuk mund t’i komentojmë. Nuk ka pasur dakordësim me qeverinë gjermane para se të merrej vendimi”, tha një zëdhënës i ministrisë së Jashtme gjermane për “Deutsche Welle”.

Ndërkaq, nga MPJ-ja e Gjermanisë kanë potencuar se “qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropiane presin qartë që qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë të bien dakord shpejt për masat shtensionuese në Veriun e Kosovës, për shmangien e provokimeve dhe zbatimin e marrëveshjes së normalizimit për të cilën të dyja palët u pajtuan në shkurt dhe mars”.

“Qeveria Federale është në kontakt të ngushtë me të dërguarin special të BE-së (Miroslav) Lajcak (për dialogun Kosovë-Serbi) dhe mbështet përpjekjet e BE-së”, kanë pohuar ata.

Ndërsa, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washington-in sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste.

Lajmi u bë i ditur nga “Radio Evropa e Lirë”, duke cituar një zëdhënës të diplomacisë amerikane.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

DASH i bëri sërish thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, shtoi reagimi i diplomacisë amerikane.