TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK-së kanë realizuar me sukses një gërmim shpëtimi në fshatin Shënmri, ku u zbulua një varrezë që daton në dy periudha historike të rëndësishme: periudhën helenistike dhe mesjetare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e vlerësoi si të jashtëzakonshëm këtë zbulim arkeologjik, i cili hedh dritë mbi historinë dhe jetën e banorëve të lashtë të kësaj zone.
Gjatë gërmimeve, arkeologët kanë zbuluar struktura funerare që përmbanin enë qeramike, stoli prej argjendi, bronzi, hekuri dhe qelqi, si dhe armë dhe objekte personale. Këto gjetje unike ofrojnë mundësi të mëdha për të studiuar mënyrën e jetesës dhe zakonet e të dy periudhave.
Stolitë e zbuluara në varret mesjetare ngjajnë me ato të kulturës arbërore të gjetura më parë në Koman, Krujë, Lezhë dhe Përmet, duke treguar për një shpërndarje të gjerë kulturore në Shqipëri.
Për herë të parë gjetjet e kulturës arbërore zbulohen në zonën e Tiranës, duke i shtuar vlerë të jashtëzakonshme trashëgimisë kulturore të kryeqytetit.
Ekspertët e IKTK-së do të vazhdojnë të dokumentojnë dhe analizojnë zbulimet, ndërsa hapi i ardhshëm do të jetë lokalizimi i vendbanimeve që duhet të jenë afër varrezës së zbuluar.