Ka gati katër muaj në Kosovë dhe për herë të parë po luan në një ekip jashtë Ukrainës. Hendbollistin 22-vjeçar, Vladyslav Napadailo, rrugët e jetës e sollën në Prishtinë. Ai thotë se është përshtatur shumë mirë te KH Prishtina dhe në kryeqytetin kosovar.
Napadailo është një prej disa lojtarëve të huaj në klubin e hendbollit Prishtina. Është megjithatë ukrainasi i vetëm në hendbollin kosovar e me shumë mundësi në gjithë sportin e Kosovës aktualisht.
22-vjeçari mbulon shumë pozita te Prishtina dhe është njëri prej lojtarëve të dalluar në ekip.
Stinorin vjeshtor, Prishtina e ka përfunduar e pesta në tabelë kurse Napadailo ka shënuar 72 gola në 14 paraqitje në elitën e hendbollit kosovar.
Napadilo është pjesë e Prishtinës prej fillimit të edicionit, ndërsa thotë se vendimi për të ardhur të luaj në Kosovë erdhi në mënyrë spontane. Ai ishte larguar nga Ukraina në muajin korrik dhe kishte qëndruar në Poloni, Letoni, Finlandë e Lituani, përpara se të vinte në Kosovë për t’iu bashkuar ekipit të Prishtinës.
“Me disa shokë i gjetëm disa kontakte me klubin dhe presidentin e Prishtinës dhe ai më ftoi për të ardhur në Kosovë që të qëndroj, të luaj dhe ta ndihmoj ekipin. Kështu që ishte një ofertë e mirë për mua dhe nuk hezitova aspak ta pranoj. Tani jam këtu në Kosovë, pjesë e Prishtinës dhe po ndihem shumë mirë”, ka thënë Napadailo në një bisedë për KOHËN.
I riu nga regjioni i Zaporozhyas nuk është pishman për vendimin që të bashkohet me skuadrën kosovare. Thotë se i pëlqen Kosova, se po ndihet mirë dhe se është pritur në mënyrën më të mirë të mundshme nga të gjithë në klub. Tregon se nuk ka pasur njohuri të mëdha për Kosovën apo për hendbollin kosovar. Vlerëson se Superliga është shumë cilësore, me ekipe të forta.
“Është hera ime e parë këtu, por me të vërtetë po më pëlqen shumë. Është një shtet i vogël por shumë i bukur. Po ashtu më duhet të pranoj se nuk kam pasur shumë njohur as për hendbollin këtu por çdo ndeshje është një betejë e vërtetë dhe asnjë ekip nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit”, shprehet Napadailo.
Ukrainasi tregon se prejse ka ardhur te Prishtina e ka përmirësuar dukshëm edhe komunikimin në gjuhën angleze, falë bashkëlojtarëve të tij që e përkrahin dhe e ndihmojnë vazhdimisht. Thotë se komunikimin në gjuhën angleze para se të vinte këtu e ka pasur të dobët, por tani nuk e ka problem të flas e të kuptoj anglisht. Napadailo thekson se gjithçka po shkon si është më miri, përfshirë këtu edhe aspektin sportiv.