Gjysma e qytetarëve mbi 65 vjeç, Shqipëria më e plakura në botë deri në vitin 2100

Dikur një prej popullsive më të reja në botë, por brenda disa dekadave Shqipëria pritet të kalojë tërësisht në krahun tjetër. Projeksionet e realizuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara tregojnë se në vitin 2100 Shqipëria do ketë popullsinë më të plakur në botë, ku 49% e banorëve do të jenë mbi moshën 65 vjeçare. Sociologu Gëzim Tushi i konsideron alarmante këto shifra bazuar në ritmet e shpejta të plakjes.

“Fakti që parashikimet që në 2100 do të arrijmë në 1.1 mln banorë apo që mosha mesatare do të arrijë 63 vjeç do të thotë që gjysma e popullsisë do të jetë e plakur atëherë do të thotë që brezin e ri për fuqi punëtorë do ta eksportojmë nga jashtë”

Teksa INSTAT është disa muaj me vonesë në publikimin e të dhënave për këtë vit, më 1 janar 2022 tregonte se popullsia e vendit tonë ishte 2.8 milionë banorë, me një moshë mesatare 38.2 vjeç.

Rënia e numrit të lindjeve me 17% këtë vit shihen si faktori kryesor që po plak vendin, ndërsa emigrimi i të rinjve është shkaktari tjetër. Pa shifrat e emigracionit në dispozicion, vetëm kërkesat për azil në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar arritën në 32 mijë vitin e kaluar, niveli më i lartë që prej vitit 2015. Shkaktarët e këtij fenomeni Sociologu Tushi i lidh me situatën ekonomike dhe politike në vend.

“Procesi i largimit është i vazhdueshëm dhe largimi i tyre do të sjellë rënie të numrit të popullsisë dhe lindshmërisë në vend. Janë një kompleks faktorësh. Faktorët politikë dhe të destabilitetit ekonomik janë pa diskutim”.

Cila është strategjia që duhet të ndjekë Shqipëria për zbutjen e këtij fenomeni.

“Kërkohet strategji prej vërteti kësaj radhe, e cila të ketë komponentë politikë të stabilitetit të zbutjes së kriminalitetit, të përmirësimit dhe zgjerimit të tregut të punës, përmirësim i shërbimeve sociale, rrjetit të shërbimit për nënën dhe familjen”.

Deri në vitin 2100 të gjitha shtetet pritet të kenë një rritje të segmentit të moshës së tretë. Në vetëm 3 dekada vlerësohet se 1 në 4 banorë në botë do të jenë mbi 65 vjeç.