Liman Shpendi, babai i dy prej talenteve më të mëdhenj që ka Shqipëria U-21, Stiven dhe Cristian është përjashtuar me tre vite nga stadiumet në Itali.
Vendimi më i fundit nga Disiplina në Federatën Italiane të Futbollit mbërriti dhe tashmë Limani do të duhet të vuajë dënimin.
Fundjavën e kaluar, ai goditi portierin kundërshtarë, Filippo Rinaldi, pasi ky i fundit ishte përplasur me Cristnian-in duke e lënë atë të dëmtuar.
Në përfundmin e takimit mes Cesean-s, skuadrës së djalit të tij, dhe Olbias, Limani ishte futur në fushë dhe më pas kishte grushtuar Rinaldi-n.
Menjeherë pas ngjarjes ai kishte kërkuar falje për gjestin e tij, por ishte tepër vonë.
“I kërkoj falje të gjithëve”, tha Limani, duke vijuar: “Gjithë Italisë dhe klubit të Cesena-s për gjestin tim të shëmtuar. E di që kam zhgënjyer shumë njerëz dhe për këtë arsye kërkoj falje njëqind mijë herë”.
“E pashë djalin tim në tokë të gjakosur me lojtarin tjetër që e goditi nga pas duke menduar se nuk kishte asgjë. Për këtë arsye, si baba, më iku mendja, por absolutisht nuk godita askënd”, theksoi ai.
Vetë klubi i Cesena-s ishte distancuar nga veprimet e Limanit.
“Cesena FC, në lidhje me episodin e ndodhur dje, në ndeshjen Cesena-Olbia, dënon me vendosmëri sjelljen e familjarit të futbollistit. Klubi distancohet nga çdo formë dhune dhe çdo sjellje josportive që nuk ka të bëjë fare me parimet e besnikërisë dhe lojës së ndershme që e kanë dalluar gjithmonë klubin”, thuhej në deklaratën e klubit italian.
“Në bashkëpunim me autoritetet kompetente, edhe nëpërmjet konsultimit me sistemin e video survejimit të stadiumit, ndihmuam për rikonstruksionin e incidentit dhe identifikimin e personit të përfshirë në episodin e ndodhur në fund të ndeshjes”.
“Klubi do të vazhdojë të promovojë me bindje vlerat pozitive të futbollit dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar sigurinë e të gjithë tifozëve dhe profesionistëve të tij, në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë në mënyrë paqësore në ngjarjet sportive ku Cesena FC është protagoniste”, përfundonte deklarata.