Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: Dritë e Zotit

Prof. dr. AGIM ZOGAJ

Parahistoria

Historia e popullit shqiptar ngërthen në vete, veç luftërave të shumta për liri, edhe krenari, dinjitet, qytetërim, bujari dhe humanizëm me të cilin rrezatoi civilizimet e kohës. Në këtë kuptim janë dy figura madhore, më të ndritshme të kombit tonë me të cilat ai i dha kontribut civilizimit njerëzor dhe, përgjithë­sisht, aspiratave të njerëzimit për krijimin e një bote më të mirë, më të qetë, më të lumtur dhe më paqedashëse. Janë pra, Gjergj Kastrioti, i cili duke e mbrojtur 25 vjet rresht popullin tonë nga sundimi osman, njëherazi ishte emblemë legjendare e mbroj­tjes së krishterimit në trojet e Evropës mesjetare dhe Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, një shpirt fisnik shqiptar e cila me dashurinë e madhe njerëzore i dha emër dhe kuptim humani­zmit bashkëkohor të shekullit XX.

Gjergj Kastrioti, kryetrimi shqiptar, me të drejtë ngel figurë e madhe dhe e ndritshme e historisë së Evropës mesjetare, ndaj kombi ynë përmes luftërave të tij jo vetëm që siguroi lirinë dhe shtetin e tij mesjetar, por zuri vendin meritor në djepin e civili­zimeve të kohës dhe sot 600 vjet pas ai nuk i takon vetëm his­torisë së ndritur të kombit tonë, por edhe historisë së Evropës, vlerave më civilizuese të saj. Luftën për paqe në Evropë, luftën kundër robërisë osmane, ai e bëri me shpatë, nga shkëlqimi i së cilës u përhap liria e kombeve evropiane dhe mbrojtja e vendo­sur e shpirtit të krishterimit. Ndryshe, shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhanë shumë personalitete që drejtpërdrejt bëjnë pjesë në ato figura që kontribuuan për fe dhe atdhe, madje me kontri­butin epokal – përhapjes, ruajtjes dhe kultivimit të krishterimit – gjithmonë frymëzuan edhe popujt tjerë për afirmimin e vlerave civilizuese.

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë pa dyshim është figura madhore e kombit tonë, personalitet i përmasave të veçanta mbarënjerëzore e cila me gjithë shpirtin e saj shqiptar, e edu­kuar gjithmonë në frymën e porosive të Zotit, për një jetë më të mirë dhe më të lumtur për njerëzimin mbarë, i bëri nder kombit tonë, i dha shkëlqim fisnikërisë, bujarisë dhe dashurisë njerë­zore. Ajo ishte dhe ngeli dëshmia më e fuqishme e dashurisë së Zotit për njeriun e harruar. Thelbi i filozofisë së asaj dashurie të Zotit, të cilën dashuri ajo e përhapi anembanë botës, i kishte dy dimensione: atë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit! Prandaj me aq bindje i bënte thirrje njerëzimit: “Dashuria jonë kurrë nuk duhet të ketë kufi. Nëse është dashuri e vërtetë, ajo duhet t’i ngjajë asaj të Zotit që nuk përjashton askënd”. Nëna Terezë, Nëna e dhembjes, Mësuesja e dashurisë, e cila tërë jetën ua kushtoi të varfërve dhe të harruarve, fuqishëm, në frymën e shpirtit shqiptar dëshmoi fuqinë e dashurisë së thellë vëllazë­rore, duke u bërë kështu frymëzim shpirtëror për përparimin njerëzor. Brezave të epokës së saj gjithmonë do t’u kujtohet fytyra e asaj motre të thjeshtë dhe të përvuajtur katolike, fytyrë ajo e Nënës Terezë përherë  e buzëqeshur, me sy të ndritshëm që shkëlqenin dashuri dhe lumturi që vinte nga drita e brend­shme e shpirtit të saj. Fytyra e saj me pamje mahnitëse, vepra e saj plot dashuri dhe fisnikëri njerëzore i zbuloi botës bashkë­kohore dhe njerëzimit mbarë dinjitetin e njeriut, dinjitet ky i cili për shumëçka po nëpërkëmbet, po përbuzet. Nëna Terezë, “Nëna e të shkelurve”, Gonxhe Bojaxhiu shqiptare, i tregoi njerëzimit modern se ai e ka harruar veten, se e ka përbuzur të afërmin e vet, llojin e vet, se është e kotë që të provosh të shkosh te Zoti dhe ta ndiesh e ta fitosh dashurinë e Zotit nëse më parë e urren, e poshtëron, e vret të afërmin tënd, llojin tënd, njeriun. Ajo, me jetën kushtuar Zotit, e pa Zotin, e deshi Zotin, e pre­dikoi Zotin, dhe e gjithë kjo dëshmon dashurinë e Zotit gjith­monë dhe gjithkund. E thjeshtë dhe me përvuajtur, gjithnjë në udhëtim, si Shën Fani, ajo rrezatoi dashuri njerëzore, dritë Zoti. Vepra e Nënës Terezë, vepra e saj e bamirësisë dhe e humanizmit të  thellë njerëzor, e kishin shqetësuar ndërgjegjen e njeriut bashkëkohor, dhe duke i treguar njeriut të sotëm se e ka harruar veten, se gjithnjë është më larg dashurisë njerëzore, bekimit të Zotit, ia ndezën dritën e shpresës. Porositë e saj, ishin antropologji hyjnore. Ajo predikonte se humanizmi i Jezu Krishtit në njeriun e sheh – zbulon fytyrën e Zotit! Nëna Terezë luftoi në shekullin i cili, veç të tjerash, mbyti miliona fëmijë të palindur, në shekullin e poshtërimeve të mjerueshme të njeriut, kur miliona njerëz ishin dhe vazhdojnë të jenë të uritur, pa liri, të pastrehë, të pangrënë, pa kurrfarë të drejta. Kjo nënë shqip­tare u bë emër universal i dashurisë njerëzore i kujdesit ndaj të varfërve, të pastrehëve, të jetimëve, të harruarve. Ajo predikoi se vetëm një jetë plotësisht në shërbim të Zotit dhe të afërmit tënd është jetë e krishterë. Ajo punoi dhe veproi për lumturinë e njerëzimit mbarë, pa dallim race, feje, ngjyre, ideologjie sepse, sipas saj, mirësia dhe dashuria janë më të fuqishme se çdo dallim mes njerëzve. Ndaj me të drejtë i identifikoi rreziqet që shpirtë­risht i kanosen civilizimit të sotëm: “Sëmundja më e madhe sot nuk është kanceri apo lebrosa, por indiferenca dhe mungesa e interesimit”. Dhe, në këtë kuptim porosia në vijim e Nënës Terezë, po ashtu, ishte me vlerë mbarënjerëzore: “Njerëzit që nuk kanë gëzim, dashuri, marrëdhënie mes vete, vuajnë tme­rrësisht”! Në këtë frymë, me këtë shpirt paqeje dhe dashurie universale, Nëna Terezë, ky gjak shqiptar, u bë një shpresë e re për botën bashkëkohore, një kuptim i ri për njerëzimin mbarë, një nënë e cila me mirësinë dhe fisnikërinë e saj deri në am­shim, u bë emër dhe personalitet i nderuar e i dashur në tërë botën. Modestia e saj ishte një nga veçoritë e cila buronte nga shpirti i saj. Ndaj ajo thoshte: “E di se jemi një pikë në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, por nëse s’do të ishim ne, kjo pikë mjerimi dhe vuajtje do të ishte edhe më e madhe”. Kështu pra fliste Gonxhe Bojaxhiu, apo shpirti i rinisë katolike të Shkupit siç e quanin miqtë, në kohën e rinisë. Kurse shumë vite më vonë ajo do të pranonte se: “Misioni ynë është t’i sjellim dashuri secilit, do të thotë ta sjellim Zotin”!

Jeta e Nënës Terezë ishte vetëm një pjesë e punës dhe e veprës së saj në të cilën kriza dhe fama luajtën rol mahnitës. Prandaj, në personalitetin e saj, në shpirtin Nënës Terezë, jo vetëm kombi ynë, por njerëzimi mbarë shihte dhe vazhdon ta ndiejë shpresën dhe forcën e brendshme që njeriut bashkëkohor i sjell besimin në vete, atë besimin e humbur dhe të nëpërkëmbur. Ajo nuk ishte politikane, por ndikimi i saj në rrjedhat shoqërore të civilizimeve bashkëkohore ishte i jashtëzakonshëm. Prandaj, vepra e Nënës Terezë meritonte dhe do të gëzojë respekt dhe lakmi të madhe, sepse gjatë tërë jetës saj ajo e sakrifikoi shpirtin  për mirëqenien e botës, në të cilën botë, mirësia, durimi, res­pekti, dashuria për qenien njerëzore janë vlera universale. Ato vlera, siç predikonte Nëna Terezë, ishin rruga e vetme e paqes. Dhe, nëse të gjitha këto cilësime dhe vlerësime janë objektive, atëherë mund të shtojmë se akti i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë më 27 gusht 1910 në qytetin e Shkupit, mund të konsiderohet dhuratë e Zotit jo vetëm për popullin shqiptar, por për epokën e njerëzimit në të cilën ajo jetoi dhe veproi.

Në këtë kuptim ajo kishte të drejtë kur deklaronte: “Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi hinduse, motër katolike. Përmes thirrjes sime i përkas tërë botës. Por zemra ime i takon vetëm Zotit”.

Por, viti 1910, veç vitlindjes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë, edhe për shumë ngjarje të tjera historike dhe shoqërore është domethënës, në shumë kuptime historike për kombin tonë. Kështu, fjala vjen, në muajin shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore turke. Duhet shtuar se në luftën kundër shollës e kulturës kombëtare shqiptare turqit e rinj patën përkrahjen e dhespotëve ortodoksë grekë dhe të klerikëve grekomanë shqiptarë, të cilët, me ndihmën e bandave të anëtarëve që vepronin lirisht edhe pas shpalljes së kushtetutës, terrorizonin popullsinë e Negovanit, të Bellka­menit dhe të fshatrave të Shqipërisë së Jugut e të Mesdheut, që kërkonte çeljen e shkollave shqipe.

Më 18 shkurt 1910 banorët e Elbasanit organizuan një manife­stim masiv kundër futjes së alfabetit arab. Në manifestim morën pjesë rreth 7 000 qytetarë dhe fshatarë të ardhur nga Shpati dhe nga fshatrat e tjera të Elbasani. Më 27 shkurt 1910 u organizua nga klubi “Dituria” një miting i madh në Korçë, ku morën pjesë rreth 15 .000 veta. Më 28 shkurt në Berat , po ashtu, u organizua një manifestimi madh, ku qenë të pranishëm rreth 15 000 veta. Në fakt, në shkurt të vitit 1910 e tërë Shqipëria ishte ngritur kundër përpjekjeve të qeverisë turke për t’i detyruar shqiptarët ta përdornin alfabetin arab, si dhe për ta mbrojtur alfabetin shqip të vendosur në Kongresin e Manastirit. Më 2-3 prill 1910, në gjendjen e acaruar të marrëdhënieve shqiptaro- turke, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombë­tar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Tubimi u thirr me nismën e Klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prilli i vitit 1910.

Viti 1910, ndërkaq, në historinë e kombit tonë shënon krye­ngritjet e mëdha të Kosovës. Shpërthimi i kryengritjeve kishte ndodhur në muajt mars – prill të vitit të përmendur. Janë të njohura betejat në Grykën e Carralevës, ato të Shalës, të Llapit, të Drenicës, beteja e Kaçanikut, pastaj qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë dhe në Qafën e Agrit.

Derisa flasim për rrethanat shoqërore dhe historike të kombit tonë në vitin e lindjes, 1910 të Gonxhe Bojaxhiut, e shohim të udhës të konstatojmë se Fuqitë e Mëdha të kohës, duke respek­tuar politikën e ruajtës së status quo-së në Turqinë evropiane dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengri­tjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë Qeverisë Osmane për ta shtypur kryengritjen. Madje Rusia këmbëngulte pranë Portës së Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri.

Në kontekst të rilindjes shqiptare për çlirim dhe pavarësi nga sundimi turk dhe themelimin e shtetit shqiptar, duhet nënvi­zuar faktin se në fillim të shekullit XX ndërgjegjësimi i masave të gjëra të kombit tonë, pra edhe brenda komunitetit katolik të cilit i takoi Nëna Terezë, kishte shënuar përparime të shtuara. Mund të konstatojmë se ishte në rritje e sipër vetëdija për ruaj­tjen, afirmimin dhe përparimin e identitetit kombëtar dhe fetar. Kisha katolike në viset shqiptare në këtë drejtim kishte avan­cuar me organizimin e një strukture civile të kohës. Qëllimi ishte i qartë: mbijetesa e identitetit të rrezikuar kombëtar dhe fetar nga pushtuesit shekullor. Në këtë periudhë bëhet edhe themelimi i shoqërive bamirëse, të cilat rreth vetes kishin tubuar popullatën katolike, me qëllim të kultivimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe fetare. Ndaj që tani mund të konsta­tojmë se edhe themelimi dhe veprimtaria e ShBH “Nëna Tereza” i ka rrënjët në humanizmin e thellë shpirtëror të njeriut shqiptar, madje të epokës së Nënës Terezë e cila me veprën  saj u bë profete e dashurisë, lajmëtare e një renesanse dhe shpirti të ri humanitar.

Në rrugën e Zotit

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ishte pranuar në Shoqërinë e “Motrave të Loretos”, të cilat e kishin misionin e tyre edhe në Indi. Ëndrra e madhe e Gonxhes shqiptare po bëhej realitet, po hapej rruga drejt thirrjes së Zotit që Nënën Terezë do ta shpinte deri në mit. Ishte data 25 shtator e vitit 1928 kur në shtëpinë e prindërve të Gonxhe Bojaxhiut, në rrugën e “Vllehëve”, aty afër kishës së “Zemrës së Krishtit”, ishin tubuar farefis, miq, shokë, shoqe shkolle dhe të lagjes për t’i thënë lamtumirë Gonxhes e cila nisej për misione në Indi. Takimi kishte qenë tejet i përzemërt, emocionues dhe prekës. Nuk kishin munguar as dhuratat simbolike të miqve, shokëve e shoqeve, të afërmve për Gonxhe Bojaxhiun. Askush prej të pranishmëve në takimin lamtumirës të 25 shtatorit 1928 nuk kishte mundur të paramen­donte se në cilën rrugë ishte nisur Ganxhe Bojaxhiu. Megjithëse e emocionuar, Nëna Drane foli sikur të ishte nënë e përmot­shme, e dalë nga legjendat shqiptare: “Ai do të bëhet çfarë të thotë dhe do të zgjedhë Hyji. Ajo është imja por, mbi të gjitha, ajo është e Zotit, si të gjithë ne, si të gjitha familjet tona”.

Të nesërmen, më 26 shtator 1928, Gonxhe Bojaxhiu, e për­cjellë nga e ëma Dranja, dhe motra Agëja, ishin nisur me tren për në Zagreb. Ndarja në Stacionin e Trenit në Shkup ishte tepër prekëse. Kishte edhe lot. Lot kishte derdhur edhe Gonxhe Bojaxhiu, ajo vajzë e re shqiptare e cila sa herë kishte thënë se nuk do të qajë. Ndarjet në jetë, zakonisht, përcillen me lot… Fqinji i saj, Lorenc Antoni, i cili në ndarje Gonxhes i kishte dhënë për dhuratë një stilograf të artë, kështu shkruante në ditarin e tij: “Treni u nis, ndërsa ne ende e përshëndesim me facoleta. Ajo gjithnjë e më tepër zhduket prej syve tanë, por ende na përshëndet me dorë. Dielli i ka lëshuar mbi të rrezet e veta dhe ajo duket si hëna, e cila zhduket ngadalë në shkëlqi­min e diellit. Tani tërë Gonxha duket si një pikë e vogël. Ajo më është lodhur, por prapë na përshëndet dhe kështu gjithnjë e më tepër zhduket…”. Ajo e dinte se ishte nisur në rrugën plot sakrifica, në rrugën plot mundime dhe devotshmëri shpirtërore. Dhe shumë shpejt në thellësinë e shpirtit do ta përjetonte se dashuria është të harrosh edhe veten për t’u vënë kështu në shërbim të tjetrit, të atij që në këtë botë e në këtë jetë është i lënë në mjerim, fatkeqësi shoqërore e natyrore, skamje, i pa dashur e i harruar nga njerëzit. Gonxhe Bojaxhiu iu përgjigj thirrjes së Zotit që me plotëninë e jetës dhe të shpirtit të saj kristian të jetë në shërbim të njerëzimit. Gonxhe Bojaxhiu kishte folur: “Nëse Zoti më thërret, atëherë është punë për të të përkujdeset për shëndetin tim dhe për çdo gjë tjetër dhe jo unë. Unë dëgjoj dhe bëj çfarë të më thotë Zoti”. Zoti vërtet e kishte thirrur, dhe në thirrjen e tij, shqiptarja e re Gonxhe Bojaxhiu  ndihej hyjnisht e lumtur, e zgjedhura e Zotit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë tënde, e prej shtëpisë së babës tënd në drejtim të një vendi që do ta tregoj”. (Zan.12. 1). Ajo, që nga nisja e saj për motër – misione e kishte filluar një jetë të re për Zotin. As ajo vetë nuk do ta paramendonte se një ditë do të gëzonte aq shumë epitetet si “Nëna e të mjerëve”, “Nëna nga Kalkuta”, “E adhuruara e Perëndisë”, “Sinonimi i mëshirës”, “Femra më e pushtetshme në botë, që ushtron ndikim te shumë presidentë e kryeministra”…

Në Zagreb kishte qëndruar deri më 13 tetor të vitit 1928 kur, së bashku me kroaten Betike Kanjç, kishte vazhduar rrugën për në Irlandë. Me tren kishin kaluar nëpër Austri, Zvicër, Francë, pastaj me anije kishin kaluar nëpër Kanalin Lamanch, nëpër Londër, më pastaj kanë arritur në Dublin. Pastaj, të shoqëruara nga dy motra, ishin vendosur në vendin e quajtur Rathfan­haum, afër Dublinit, ku për një kohë kishin mësuar gjuhën angleze. Gjatë këtij qëndrimi ato i kishin veshur rrobat e reja, të kandidateve dhe me atë rast i kishin ndërruar edhe emrat. Gonxhe Bojaxhiu e mori emrin e ri: Marija Tereza e Krishtit të Vogël, ndërsa e shoqja e saj kroate, Marija Magdalena. Më 1 dhjetor 1928 Nëna Terezë dhe Marija Magdalena u nisën për në Indi. Udhëtimi ishte i gjatë, i rëndë dhe u bë me anije. Kur kishin arritur në limanin Port Said u kunguan dhe u përforcuan me Krishtin. Është interesante e dhëna se gjatë këtij udhëtimi për në Indi ishte festa e Kërshëndellave, e lindjes së Jezu Krish­tit.

Në Darjejelin, ku ishte noviciati, ato kishin arritur më 6. 1. 1929, ku menjëherë filluan mënyrën e jetesës për t’u përgatitur për noviciat. Ndërkohë që më 23 maj 1929 Nëna Terezë hyri në noviciat. Më vonë, më 25 maj 1931, i kishte plotësuar kushtet e para rregulltare për misionare. Pas kësaj ajo u dërgua në Ben­gali për të punuar si misionare. Sido që të jetë, edhe Gonxhe Bojaxhiu, që në atë moshë të re, e kuptonte fare qartë se “pikë­llimi nuk njeh kufij, por as dashuria”.

Në misionin e ri, të ëndërruar që nga mosha e rinisë, Nëna Terezë nisi të ballafaqohej me realitetin, me vështirësi dhe kun­dërthënie të ndryshme. Ajo për herë të parë takohet drejtpër­drejt me mjerimin, skamjen, vuajtjet nga më të ndryshmet të njerëzve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe eprorët e kishin zhvendosur Nënën Terezë prej qendrës mjekësore duke e caktuar në një kolegj të Kalkutës, që quhej St. Mary’s, në lagjen e Entally-s. Në këtë kolegj vijoi mësimet, studimet dhe u përgatit për profesoreshë, profesion të cilin që kur ishte e re e kishte preferuar dhe dashur. Në një letër dërguar në vitin 1935 të afërmve të saj, Nëna Terezë njoftonte se pas mbarimit të Kolegjit St. Mary’s ajo ishte punë­suar profesoreshë në shkollën e Shën Terezës.

Më 24 maj 1937 Nëna Terezë i kishte dhënë kushtet e përjet­shme, në praninë e eprores të përgjithshme, dhe të ipeshkvit të Kalkutës. Më pas ajo u bë drejtoreshë e shkollës St. Mary’s. Në një letër dërguar nënës së vet, Dranes, dërguar në vitin 1937 ose 1938, veç të tjerash, shkruante: “…Unë jam profesoreshë e kjo punë më pëlqen shumë. Jam edhe përgjegjëse për tërë shko­llën, e këtu me duan të gjithë…”. Ditët kalonin, kurse Nëna Terezë gjithnjë e më tepër mishërohej me porosinë e nënës saj, Dranes: “Thirrja jote është shërbim i të varfërve”.

Pas shumë viteve të shërbimit në shkollën e njohur S. Mary’s, Nëna Terezë u bë udhëheqëse edhe e “Bijave të Shëna Prendës”, një Kongregatë dioqezashe e motrave indiane, të cilat ishin të veshura me sari ( veshje popullore indiane ) të kaltër dhe ishin mësuese vetëm nëpër shkolla fillore.

Data 10 shtator e vitit 1946 për Nënën Terezë dhe misionin e saj, gjithnjë në frymën e thirrjes së Zotit, ishte e rëndësisë ven­dimtare, të jashtëzakonshme. Në atë datë dhe në atë ditë ajo kishte udhëtuar për në Darjeeling për t’i bërë ushtrimet shpir­tërore. Ishte ky hapi vendimtar me të cilin ajo mori vendim për të dalë nga kuvendi dhe për të qenë “Engjëlli i mëshirës”, për të varfrit e Indisë dhe të botës mbarë. Shumë vjet më vonë, në një bashkëbisedim me biografin e saj shqiptar, dr. dom Lush Gjergjin, Nëna Terezë kishte rrëfyer se si i kishte ndodhur që ta përjetonte thirrjen e dytë të Zotit. “Kam qenë e bindur se është zëri i Zotit. Po, me siguri Ai më ka thirr. Porosia e Tij ka qenë tejet e qartë: duhet të dalësh prej kuvendit për t’iu ndih­muar të varfërve, duke jetuar së bashku me ta”. Në atë kohë Nëna Terezë këtë thirrje të dytë të Zotit drejtuar asaj, e kishte kuptuar si urdhër, e kishte kuptuar se çfarë kërkohej prej saj, por s’e dinte si do të zbatonte këtë urdhër të Zotit. Megjithatë, Nëna Terezë, ai shpirt lucid shqiptar, e kuptonte një gjë se: Zoti secilin e thirr në një mënyrë të veçantë! E bindur në këtë të vërtetë reale dhe hyjnore të thirrjes së Zotit për të, Nëna Terezë, po ashtu, besonte se vepra e saj do t’i sjellë njerëzimit shumë të mira.

Oqean në mes të shtrëngatës

Pas kësaj ishte dashur që në adresë të Vatikanit të dërgohej një letër nga ana e Monsinjor Piereres, letër në formë lutje për ta “çliruar Nënën Terezë nga kuvendi” dhe, natyrisht, për t’i krijuar mundësi që ajo t’i përkushtohej punës me të varfrit. Vlerësohet se situata kishtare dhe ajo politike e kohës nuk ishte në favor të kërkesës dhe të ëndrrës së madhe të Nënës Terezë. Megjithatë, më 16 gusht 1948, tre vjet pasi kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore, Nëna Terezë doli nga kuvendi, nga shoqëria e “Motrave të Loretos” për t’iu përkushtuar plotësisht të varfërve dhe të gjithë njerëzve të tjerë që kishin nevojë për ndihmën, përkujdesjen dhe bekimin e saj. Do të kalonin vite të tëra, kur ajo e kujton atë datë, atë vendim: “Kur e lëshova ‘Loreton’ për mua ka qenë dita dhe zgjidhja më e vështirë në jetë. Shumë më vështirë se kur u ndava prej familjes sime, prej vendit tim, për të hyrë në jetën rregulltare. Bashkësia e Loretos për mua ishte gjithçka. Aty e kam fituar formacionin shpirtë­ror, jam bërë motër dhe ia kam dhuruar veten Krishtit. Më pël­qente jeta dhe puna që e kisha, veçmas mësimdhënia”.

Përgatitja për misionin e ri, për jetë dhe thirrje të re, kërkonte sakrificë shtesë, prandaj Nëna Terezë kishte vendosur që, për­kohësisht ta lëshonte Kalkuten. Si vend lutjeje dhe përgatitje shpirtërore kishte zgjedhur vendin Patna. Aty kishte mbaruar edhe një kurs për infermiere. Pasi i bëri përgatitjet shpirtërore për misionin e ri, dhe pasi mbaroi edhe kursin për infermiere, ajo sërish u kthye në Kalkutë. Por, kësaj radhe në veshjen e saj dallohej një ndryshim i madh. Ajo u kthye në Kalkutë e veshur me të verdhë sikur të gjitha gratë e varfra indiane dhe në krahun e majtë kishte vendosur një kryq të vogël. Ishte shumë e lumtur, që krejtësisht ishte në shërbim të thirrjes së Zotit dhe të varfërve. Filozofia e saj bazë, që nga ato vite të shërbimit të saj në mis­ione, ishte kryesorja dhe, mbi të gjitha, pasuria e shpirtit, ajo e brendshme, e vullnetit, dhe për të tjerat, gjithnjë, sipas saj, do të kujdeset Zoti! Por ajo asnjëherë nuk harronte të kërkonte ndihmën e Zotit, prandaj edhe në gushtin e vitit 1948, kur e lëshoi kuvendin, e shikoi qiellin indian dhe u lut: “O Zot, më jep guxim, fuqi, tash, në këto momente”. Sfidat nëpër të cilat po kalonte Nëna Terezë ishin të shumta dhe të vështira . Kjo lë të kuptohet edhe nga një paragraf i ditarit të saj mbajtur në vitin 1949: “Ndihesha si një oqean në mes të shtrëngatës, ku anija e jetës sime po fundosej…Zoti dëshironte që të isha murgeshë e lirë që të kaplohesha nga varfëria dhe kryqi. Sot mora një mësim të mirë: varfëria e këtyre njerëzve të mjerë është shumë e rëndë”. Ajo me gjithë shpirt ishte e vendosur në misionin e saj: “Misioni ynë është t’i sjellim dashuri secilit, do të thotë të sjellim Zotin”.

E përgatitur shpirtërisht me filozofinë kristiane, e frymëzuar dhe e mbështetur në vullnetin dhe thirrjen e Zotit, Nëna Terezë filloi misionin e ri, duke vizituar kështu lagjet dhe skutat më të varfra të Kalkutës. Nuk kaluan shumë ditë dhe pasi e gjeti një shpellë – kasolle, me pesë rupet e vetme që i kishte në xhep, Nëna Terezë i mblodhi disa fëmijë më të varfër të lagjeve Tilje dhe Motilj dhe i vendosi aty. Ky hap, ky veprim i Nënës Terezë, shënon fillimin e punës së shkollës së parë. Në kujtimet e veta për ato ditë të para të fillimit të misionit të ri të saj, ajo tregonte: “Fëmijët që nuk ishin të pastër, së pari i kam pastruar mirë dhe i kam mësuar pastërti dhe sjellje të mirë. Kjo ishte ora e parë. Pastaj kemi pasur mësim feje. Lexim. Toka na shërbente, ishte dërrasa e zezë. Të gjithë fëmijët ishin të lumtur…”. Natyrisht, edhe Nëna Terezë ishte shumë e lumtur, sepse po i përgjigjej me humanizëm thirrjes së Zotit. Në fillim kishte vetëm pesë vijues në shkollën e saj, por shumë shpejt numri nisi të rritej. Pas disa viteve shkolla e Nënës Terezë numëronte 5 000 fëmijë. Ajo gjithmonë kishte thënë se për këtë merita i takonte Zotit sepse, sipas saj, “kjo është vepër e Zotit”. Por, edhe për Nënën Terezë ishte kjo një shkollë e re, një mësim i ri, një hap i ri i humanizmit njerëzor, i mirësisë universale, gjithnjë në frymën e thirrjes së Zotit dhe porosive të tij që ta duam njëri-tjetrin, që ta nderojmë e ta përkrahim llojin tonë, që t’i dalim në ndihmë atij që vuan, atij që është i varfër, i pastrehë i pambrojtur. Dhe sërish në rrethanat e tilla të reja, Nëna Terezë kishte nevojë për ndihmën e Zotit, për përkrahjen e tij, që të jetë edhe më shumë në shërbim të njerëzimit. Prandaj i drejtohej Zotit me lutjen: “…Ti më ke larguar prej kuvendit, ku isha së paku pak e dobi­shme, tani, pra më udhëhiq si të duash Ti”. Por, në gatish­mërinë e saj shpirtërore dhe fizike për flijim të plotë me të var­frit, me të përvuajturit, me skamnorët, Nëna Terezë shkonte edhe më larg, deri në përkushtimin e saj për vetëflijim: “O zot, nëse nuk mund t’u ndihmojë këtyre njerëzve në këtë varfëri, në këtë mjerim, në këto varre… bën që së paku të vdes së bashku me ta, afër tyre, për t’ua dëshmuar dashurinë tënde…”.

Ishte e kuptueshme si fillimisht në këtë mision të ri, Nëna Terezë nuk kishte edhe aq shumë përkrahje dhe bashkëpunëtorë. Kup­tohet vetvetiu, sepse puna dhe misioni ishte tepër i vështirë, për shumëkënd edhe i paimagjinueshëm, që një bijë shqiptare, murgeshë – motër – të kujdesej për aq shumë njerëz të pafat, të varfër, të pastrehë, ndërkohë që ata i ishin lënë mëshirës së fatit, të fatkeqësisë natyrore dhe shoqërore. Por Nëna Terezë, e fry­mëzuar me thirrjen e Zotit për sakrificë dhe përkushtim, ishte e gatshme që pa hamendje ta vazhdonte rrugën e nisur. Nëna Terezë propagonte frymën teologjike, kristiane e cila ka mbësh­tetje në misionin universal të Krishtit, të dërguar nga Ati dhe i zënë nga Shpirti Shenjt për të shpëtuar njerëzimin mbarë. Ajo, jepte shembull se si duhet të jemi sfidues të guximshëm të dashu­risë së Zotit. Nisur nga këto mësime dhe maksima universale, Nëna Terezë aspironte që edhe Kongregata e saj të jetë e hapur ndaj Zotit, të jetë burim i jetës – i dashurisë edhe ndaj njeriut. Kjo, sepse Kisha, si sakrament universal i shpëtimit, shpall Mbretërinë e Zotit në mesin e njerëzve, duke u qëndruar bes­nik: Zotit dhe njeriut, kohës. Misioni edhe i Nënës Terezë së bashku me bashkësinë e saj “Misionaret e Dashurisë” ishte që ta lumturonte njerëzimin mbarë, që të krijohet një botë e drejtë dhe e dashur për të gjithë. Nuk kaluan shumë kohë dhe asaj i erdhën në ndihmë edhe bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, siç ishte fillimisht ish-nxënësja e saj nga kolegji St. Mary’s, Shubashini Das. Ajo e gjeti Nënën Terezë dhe i tha: “Nëna Terezë, kam ardhur për të jetuar me ty”! Numri i bashkëpunëtoreve rritej, kurse në maj të vitit 1949 Nëna Terezë shkruante: “Tashti i kam tri shoqe, punëtore dhe zelltare të mëdha… Sa vuajtje, sa nevojë të madhe kanë njerëzit këtu për Zotin, e ne jemi kaq pak që t’iu sjellim këtyre njerëzve Zotin… Lute Zonjën e Bekuar që të na dërgojë më tepër motra. Po të ishim edhe 20 motra do të kishim punë vetëm në Kalkutë”. Por në nëntor të vitit 1949 u bënë pesë motra që shërbenin së bashku me Nënën Terezë. Kurse sipas një letre që më10 qershor 1962 Nëna Terezë i kishte dërguar famullitarit të Shkupit, Mons Branko Dorçiç, ajo bën të ditur se rreth saj dhe pranë saj kishte 149 motra nderi.

Një jetë me Zotin

Ndërkohë që numri i të sëmurëve, i të varfërve, i nevojtarëve, i të pastrehëve, i të pafatëve, i të vetmuarve, të cilët i takonte dhe i pranonte Nëna Terezë rritej nga dita në ditë, doli nevoja që të gjendej një objekt më i madh për strehimin e tyre. Në shkurt të vitit 1953 ishte formuar një qendër e madhe që quhej Shtëpia Amë e “Misionareve të Dashurisë” në Lower Circular Road, nr. 54 A. Kurse më 1965 me “Decretum laudis” të Kon­gregatës për rregulltarë dhe rregulltare , ajo u ngrit në Kongre­gatë papnore. Kjo njohje i mundësoi bashkësisë “Misionaret e Dashurisë” që ta përhapte aktivitetin saj edhe në shumë vende të tjera të botës. Asokohe kishte mbi 300 shoqata “Misionare të Dashurisë”. Shoqata zhvillonte aktivitet me kategori të ndry­shme të njerëzve, por në radhë të parë ata ishin: “Të varfrit dhe të sëmurët, të braktisurit para vdekjes, fëmijët dhe bonjakët e braktisur, të gërbulët etj. Nga ana tjetër, shumë njerëz, persona­litete, që udhëhiqnin institucione, filluan të vetëdijesoheshin dhe të ndërgjegjësoheshin për misionin jashtëzakonisht human të Nënës Terezë. Dhe nga dita në ditë shumë prej tyre, duke parë ose duke dëgjuar për kushtet jashtëzakonisht të mjera në të cilat punonte, jetonte dhe vepronte Nëna Terezë, filluan të organizojnë dhe t’i japin ndihmat e para. Ndihmat vinin në një kohë kur jo vetëm India po përjetonte një varfëri të skajshme ekstreme, pra prej ipeshkëve, meshtarëve, motrave dhe prej popullit, pa dallim feje, klase, ngjyre, ideologjie, prejardhje, vendi. Shumëkush ka mundur të pyetej prej nga e gjithë ajo forcë morale dhe ai humanizëm e bamirësi hyjnore e Nënës Terezë dhe motrave pranë saj. Ajo dhe motrat që punonin me të mbronin mendimin se ndihma dhe forca u vinte nga Zoti, se fuqia e tyre vinte nga dashuria për njeriun, për të jetësuar në këtë botë të padrejtë, thirrjen e Zotit dhe mësimet e Krishtit. Nëna Terezë përherë e kishte të qartë se “Jeta  jote është të japësh dhe të jesh dëshmitare e dashurisë së Zotit ndaj tjerëve”.

Pas rreth njëzet vjetësh punë si misionare, atëherë kur emri i Nënës Terezë ishte bërë i njohur edhe jashtë Kalkutës dhe Indisë, kur veprat e bamirësisë po pushtonin zemrat e njerëzve, kur gjithnjë e më shumë po bëhej e qartë se njeriu për njeriun nuk duhet të jetë më ujk, por të afrojë ndihmë dhe dashuri vëlla­zërore, përkushtim dhe gatishmëri për sakrificë, ku lumturia e secilit do të jetë kusht për lumturinë e të tjerëve, në mënyrë spontane lindi dhe u rrit noviciati i parë. Nëna Terezë kishte nderin që të ishte mësuesja e parë e këtij noviciati. Pikërisht në këtë kohë Nëna Terezë e ndërmori edhe një hap të rëndësi­shëm, kolosal për humanizmin njerëzor. Ajo doli në mbrojtjen  e mjerimit, për të luftuar dhe për t’u angazhuar për një botë të re, më të mirë seç ishte ajo e kohës së atyre viteve. Ajo konside­ronte se është edhe në filozofinë e thirrjes së Zotit që t’u dilet në ndihmë të varfërve, të pafatëve, të lënëve rrugëve të jetës e të botës, të harruarve nga shoqëria. Sepse, sipas Nënës Terezë, të gjithë njerëzit në këtë botë janë të barabartë para Zotit dhe meritojnë respektin, dashurinë e tij. Mesazhi i saj për barazi sociale me njerëzve në mbarë botën ishte shumë kuptimplotë: “Padrejtësia më e madhe kundër të varfërve është jorespekti, përbuzja jonë… Vetëm atëherë kur të pasurit ndajnë pasurinë e tyre me të varfrit, ata do të jenë edhe vetë të lumtur dhe të qetë… Zoti nuk e ka krijuar varfërinë. Ne jemi ata që e kemi krijuar: përpara Zotit të gjithë ne jemi të varfër”. Prandaj, Nëna Terezë ngrehte zërin e drejtësisë dhe paqes në këtë botë: “Atje ku gjenden të varfrit duhet të jemi ne. Të gjithë ne duhet t’i ndihmojmë të varfrit, të pafuqishmit e botës, për të cilët ne nuk duhet të japim vetëm ndihmë materiale por, mbi të gjitha, dashurinë tonë, veten tonë, interesimin tonë për jetën e tyre”.

Ata, sipas saj kanë nevojë për shpresën e re për jetë dhe për guximin para skamjes, varfërisë, madje edhe para vdekjes. Sa kuptimplotë ishte thënia e saj dhënë në ato vite: “Shërbimi i të varfërve ndër më të varfrit, të gjitha klasave dhe feve… Në ta lypset njohur Zotin i cili vuan…”.

Që në ato vite në shpirtin e Nënës Terezë kishte diçka të veçantë sa i përket filozofisë moderne të njeriut bashkëkohor i cili po vuante jo vetëm në aspektin ekzistencial. Ajo e ndiente fuqi­shëm se dhimbja, vuajtja më e madhe e njerëzimit, nuk ishte vetëm mjerimi social, vetëm varfëria, sëmundjet siç ishte edhe gërbulja, por se botën dhe njerëzimin po i mundonte edhe  vuajtja shpirtërore, veçmas ndjenja e të qenit i dëbuar dhe i për­buzur nga vetë njeriu. Sidomos ata persona që ishin të dëbuar nga vetë familja, shoqëria, që u mungonte dashuria elementare njerëzore, e njeriut për njeriun. Edhe në këtë kup­tim, Nëna Terezë me filozofinë e saj thellësisht të re dhe univer­sale e kishte ringritur dilemën hamletiane : Të jesh ose të mos jesh, në një botë të tillë, kur të pasurit po pasuroheshin e të varfrit po varfëroheshin, kur të parët po i linin në harresë dhe në vetmi e mjerim këta të dytët vetëm e vetëm pse nuk ishin të pasur si ata vetë. Prandaj, Nëna Terezë me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt e ngriti zërin e ndërgjegjes së njerëzimit: “Nuk duhet të lejojmë që askush të ndahet prej nesh pa e pas ndier veten si më i lumtur, më i mirë. Ndër të sëmurë ne do të jemi si rreze e mirësisë së Zotit. Buzëqeshja jonë duhet të jetë gjith­monë e gatshme për çdo fëmijë që e pranojmë, i ndihmojmë, për çdo të sëmurë apo të lërë anësh… Tepër pak, asgjë s’do të ishte t’u japim atyre vetëm mjekime: ne do t’u japim atyre zem­rën tonë”. Ajo ishte edhe më ekskluzive kur shprehej: “…Në Kun­gim Jezu Krishti e ka trajtën e bukës, ndërsa në botën e  mjerimit, ku njerëzit janë plot varrë, vuajtje, ne e njohim Krish­tin, e prekim, e lajmë, i shërbejmë në këta njerëz… Të varfrit janë për ne dhuntia e Zotit; ata janë dashuria jonë…”. Për Nënën Terezë dhe pikëpamjet e saj në këtë botë “ka shumë lloje varfërie, edhe më e vështirë është varfëria shpirtërore që e takojmë në Evropë, në Amerikë…”.

Në të vërtetë, duke mos dashur të imponohej, Nëna Terezë proklamonte modestinë e jashtëzakonshme, hyjnore për të tre­guar se ajo nuk bën asgjë të veçantë veçse është në shërbim të Zotit: “Unë nuk bëj gjë. Është Zoti ai që i bën të gjitha. Është Ai që përdor varfërinë time për ta treguar begatinë e vet, jetën time për ta dhuruar jetën e vet, dashurinë e Tij të madhe për të gjithë, sidomos për ata që vuajnë”. Dhe gjithnjë sipas mësi­meve të Nënës Terezë: “Njeriu nuk mund ta dojë Zotin pa mund, sepse çdo dashuri e vërtetë na bën të vuajmë. Njeriu nuk mund ta dojë Zotin nëse kjo nuk bëhet në vetëflijim”.

S’ka dyshim se me një filozofi të tillë Nëna Terezë u ngrit në një personalitet madhor të kohës dhe epokës në të cilën jetoi. Ajo përhapi vizionin e ri për një botë të re, me më pak vuajtje, luftëra, padrejtësi, me më pak dallime sociale klasore Ajo dësh­moi se liria e njerëzimit dhe dashuria njerëzore janë ose, së paku, do të duhej të ishin qëllime themelore të njeriut. Nga ana tjetër, ajo, me fjalët, veprat dhe porositë dëshmoi se çfarë në të vërtetë do të thotë të jetojmë me Zotin dhe pranë tij, pra gjithnjë në dobi të njeriut pa dallim feje, race, klase, ngjarje, ideologjie, krejt kjo në shërbim të njeriut. Ajo mësoi si duhet tjetri më tepër se vetja, si bëhet flijimi për të tjerët, për të mirën dhe për lum­turinë e tyre. Misioni i saj vërtet ishte i jashtëzakonshëm, sepse u përpoq që edhe dallimet në shoqëri t’i zvogëlojë, që me këtë ta mbronte dinjitetin e nëpërkëmbur të njeriut bashkëkohor. Ajo mbronte pikëpamjen se gjithmonë para njerëzimit paraqi­ten sfida të mëdha në fushën e dashurisë njerëzore dhe të dashurisë dhe të devotshmërisë ndaj njëri-tjetrit se njerëzimit i duhet energji e jashtëzakonshme e njeriut për njeriun, që ideali i njeriut të mos bie në errësirë, por që të këtë gjithnjë e më tepër  dëshmitarë të ri dhe të shumtë. Prandaj, Nëna Terezë, në të gjitha periudhat e veprimtarisë së saj, u ngrit si një apostull i vërtetë i vëllazërimit dhe i pajtimit të njerëzve anembanë botës. Nëna Terezë jetoi dhe veproi në një shoqëri e cila tmerrësisht ishte dhe është e mbështetur në zotërimin tiranik të të hollave. Ajo i tregoi botës, njerëzimit, se nuk është e drejtë që problemi i zhvillimit, përparimit të shoqërisë bashkëkohore dhe i njerë­zimit mbarë të shikohet vetëm nga aspekti financiar. Nëna Terezë sa e sa herë i kishte bërë me dije njerëzimit se baza e paqes është në drejtësi, por edhe drejtësia duhet të jetë e për­cjellë nga dashuria dhe se vetëm drejtësia pa dashuri njerëzore, pa dashuri dhe besnikëri ndaj Zotit, nuk mjafton, se gjithnjë, sipas Nënës Terezë, “…sëmundja më e rëndë është ajo se njerë­zit nuk e duan më njëri-tjetrin…”. Ndërsa kur i kërkonin të fliste për fuqinë e humanizmin e saj, ajo ishte modeste: “Unë nuk jam asgjë, askush, por dua ta marr dashurinë e Zotit dhe soli­daritetin e tij në botën e mjerimit, vuajtjes dhe harresës”.

Viti 1975 paraqet edhe një vit kthese për aktivitetin bamirës të “Misionareve të Dashurisë”, sepse ato e fituan edhe një shtëpi për aktivitetin e tyre humanitar. Këtë ndihmë ua kishte dhënë vetë qeveria lokale në Kalkutë, përfaqësuesit e së cilës më në fund kishin kuptuar qartë se në shtëpitë e “Misionareve të dashurisë” po vepronte një hyjneshë e gjallë – Nëna Terezë. Nëna Terezë, duke mos u mjaftuar vetëm për ndihmat dhe kujdesin për të varfrit, për ata që i kishin humbur të gjitha shpresat e kësaj bote, i kishte hyrë misionit të ri, përkatësisht themelimit të shtëpisë për fëmijët e përjashtuar nga familjet dhe nga shoqëria, për fëmijët jetimë, pastaj për fëmijët me të meta, pra përgjithësisht për ato kategori të fëmijëve për të cilët askush nuk kujdesej. Shtëpia e re, e cila u ofronte jo vetëm kujdes shën­detësor, social, por edhe dashuri njerëzore, u hap me emrin “Shishu Bhavas” (Shtëpi për fëmijë). Ishte viti 1955 kur nis punën kjo shtëpi e fëmijëve në të cilën gjeten strehim edhe foshnjat e porsalindura të braktisura nga prindërit e tyre të cilët i deklaronin fëmijët e tyre të porsalindur si të padëshiruar. Nëna Terezë, me bashkëpunëtoret e veta, motrat misionare vizitonte rrugë të tëra të qytetit dhe mblidhte fëmijë të brak­tisur, ndër të cilët kishte pasur edhe raste që ishin gjetur nëpër kontejnerë të bërllokut. Në fakt, me këtë mision të jashtëza­konshëm, me dashurinë njerëzore dhe dashurinë ndaj Zotit, Nëna Terezë po ngrihej kundër imoralitetit dhe pashpirtësisë së skajshme të kësaj bote, që po e injoronte vetë njeriun, të sapolindurin dhe po e hidhte nëpër kontejnerë! Shtëpitë e fëmi­jëve kështu u shndërruan në çerdhe të dashurisë. Prandaj Nëna Terezë, duke i pasur gjithmonë në zemër e në shpirt vuajtjet e këtyre kategorive të fëmijëve, thoshte: “Gjithmonë e kemi të gatshëm edhe një vend, edhe një shtrat edhe për një fëmijë”! Mision po aq humanitar dhe i shenjtë Nënës Terezë ishte edhe lufta kundër sëmundjes së quajtur gërbul (sëmundje që shëm­ton njeriun) dhe kujdesi për këtë kategori të të sëmurëve. Sëmundja e gërbulës në veçanti është përhapur në Indi dhe, sipas disa statistikave, vetëm në këtë vend ka mbi 4 milionë të sëmurë nga gërbula, ndërsa numri i të sëmurëve nga kjo sëmun­dje në mbarë botën llogaritet mbi 20 milionë veta. Aktiviteti humanitar i Nënës Terezë dhe i bashkëpunëtoreve e të saj në këtë fushë filloi që në vitin 1957 dhe llogaritet se vetëm në Indi janë shëruar mijëra persona duke kaluar nëpër rreth 80 qendra të mëdha për rehabilitimin e kësaj sëmundje. Një fushë tjetër e aktivitetit humanitar të Nënës Terezë ishte lufta për lindjen e njeriut të ri, ose siç do të thoshim lufta kundër abortit. Nëna Terezë shpesh kishte thënë se “Aborti është fillimi i të këqijave në botë”, prandaj ishte ngritur me tërë shpirtin e saj kundër  mospranimit të jetës (dështimit), mbytjes së fëmijëve të palin­dur. Ajo e kuptonte se industrializimi  dhe zhvillimi i jashtëza­konshëm tekniko-teknologjik i njerëzimit bashkëkohor, këtij po i sjell edhe shumë pasoja dhe dëme shpirtërore që, në esencë, po e degjenerojnë njeriun bashkëkohor dhe po e largojnë nga Zoti dhe nga dashuria për njeriun. Ndaj, ajo, e cila me gjithë shpirt ishte në shërbim të dashurisë dhe kujdesit për të varfrit, të sëmurët, të lënët në harresë e në vetmi, u deklarua kundër abortit dhe për të drejtën e fëmijëve të palindur në jetë. Ajo e shpalli botërisht se aborti është vrasje e fëmijëve, e ardhmërisë së njerëzimit bashkëkohor, se është sëmundja dhe varri i sheku­llit XX. Aborti, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, para­qet padrejtësi të madhe ndaj njeriut të palindur, dhe rrezik të madh për njerëzimin, për shkatërrimin dhe degjenerimin e tij. Në prill të vitit 1977 kishte deklaruar: “ …Aborti është vrasje në kraharorin e nënës, është një mëkat i rëndë kundër urdhrit të pestë “Mos vrit!” Nëna Terezë kritikonte hapur ato shoqëri moderne të cilat kishin legalizuar abortin. Prandaj, qeverive të atyre vendeve dhe mendjeve të atyre kombeve ua tërhoqi vërej­tjen me fjalët: “Abortusi është një shenjë e qartë se vendi që e pranon dhe njerëzit e tillë që e bëjnë janë të varfër në shpirt, që domethënë se njerëzit kanë frikë për të ushqyer edhe një fëmijë, prandaj më parë se ta lindin, e mbysin”. Ishte ky nderim për jetën, ishte kjo filozofia e Nënës Terezë, se njeriu i sapolindur është dhurata më e madhe që Zoti i jep njerëzimit Dhe, edhe në një fjalim të saj të mbajtur në Milano, në stadiumin San Siro, para më se 100 000 të pranishme, ajo ripërsëriti: “Jeta e fëmijës së palindur është një dhuratë e Zotit, dhurata më e madhe që Zoti mund t’ia bëjë një familje njerëzore. Sot ka shumë vende në botë që e përdorin abortin, sterilizimin dhe mjetet e tjera për t’iu shmangur jetës, për ta mbytur jetën në fillimet e saj: kjo është shenja më evidente se këta janë popujt më të varfër ndër të varfrit, sepse nuk kanë guxim ta pranojnë edhe një jetë më tepër”. Duke i bërë thirrje njerëzimit edhe për një jetë më tepër, pra kundër abortit, Nëna Terezë shprehej: “Jo, unë nuk mund të shukatem, por do t’i them dy gjëra: e para është kjo: jeta është dhuntia e Zotit, e dyta që aborti është vrasje”.

Urata

Rregulli i Motrave të Nënës Terezë, “Misionareve të Dashu­risë”, është një bashkësi rregullare që nënkupton se e tërë jeta e tyre është e bazuar në lutje, uratë, meditime. Në një jetë të thellë shpirtërore, që është një nga elementet bazë për të qenë në shërbim të misionit. Natyrisht, për të krijuar një gjendje të tillë shpirtërore dhe një devotshmëri absolute për të qenë në shërbim të Zotit, Nëna Terezë e dinte se pa u takuar me Zotin, me jetën dhe me dashurinë e Tij, nuk është e mundur t’u shër­besh njerëzve të afërm, të varfëve, skamnorëve, të braktisurve, dhe kujtdo tjetër që dëshiron ndihmë. Nëna Terezë, që edhe nga shpirti ishte aq shumë modeste, ishte e mendjes se Zoti është burim i forcës, vullnetit, kurajës, guximit , dashurisë dhe vetëmohimit të saj dhe të motrave të Nënës Terezë për të qenë në shërbim të njerëzimit. Në këtë kuptim, lutja, pra urata, ka zënë një vend të rëndësishëm në përgatitjen shpirtërore edhe të Nënës Terezë. Prandaj thoshte: “Për këtë tërë puna e motrave tona, çka ne veprojmë, nuk është asgjë tjetër përveç fryt i uratës, i bashkimit tonë me Krishtin në Eukaristi, në Kungimin Shenjtë”. Ajo shpjegonte: “Kemi shumë nevojë për uratë. Pa fuqi të ura­tave jeta jonë do të ishte e pamundur”. Në të njëjtën kohë rithek­sonte, ridëshmonte se: “…Dashuria jonë kurrë nuk duhet të ketë kufi, nëse është dashuri e vërtetë, ajo duhet t’i ngjajë asaj të Zotit, që nuk përjashton askënd”.

Natyrisht, sipas kronistëve të kohës dhe biografëve të Nënës Terezë, del se urata, lutja, ka pasur një vend dhe rol të veçantë në përgatitjen shpirtërore të Nënës Terezë për misionin e saj. Thuhet se që nga fëmijëria e saj e hershme ajo, përmes lutjes, uratës, kishte vënë lidhjen, pra “bashkëbisedimin” me Zotin dhe me këtë krijoi një afërsi të jashtëzakonshme shpirtërore, një fuqi magjike në shpirtin e saj. Ajo vetë kishte pranuar se plot gjashtë vjet, pra që nga mosha 12 vjeçe, i ishte lutur Zotit t’ia gjejë – përcaktojë rrugën e jetës, e cila rrugë e dërgoi për motër, misionare. Përmes lutjes Nëna Terezë, që nga ajo moshë fare e hershme e jetës saj, vazhdimisht kërkoi dhe këmbënguli në idealin saj, në ëndrrën deri atëherë të parealizuar – të jetë misio­nare. Ajo, në këtë kuptim, në këtë gjurmim për rrugën jetësore dhe në këtë pritje të lumturisë e të gëzimit, gjithmonë e kishte kërkuar dritën e Zotit, vullnetin e tij për t’i dalë në ndihmë asaj. Ajo, kur shumë vite më vonë u bë emër që përfshiu botën mbarë, pra më 10 qershor 1979, në Zagreb thoshte: “Shpesh më bie ndër mend nëna ime dhe babai im dhe të gjithë të tjerët, se si lutnin çdo mbrëmje. Unë shpresoj se familjet tona shqiptare ende e mbajnë këtë, sepse kjo është dhurata më e madhe e Zotit, që familja të jetë e bashkuar, sepse familja që nuk lutet së bashku as nuk do të jetë së bashku. Për këtë ruana apo kthena prapë uratën në familje tuaja. Kështu nëpërmjet uratës do të fitoni edhe thirrje shenjtë…”. Ajo, pasi vetë kishte kaluar gjithë atë rrugëtim drejt Zotit, duke u bazuar edhe në përvojën e vet shpirtërore, ishte e mendimit se urata – lutja – është gjëja më e rëndësishme për jetën shpirtërore. Sipas Nënës Terezë, urata është vërtet gjëja më e rëndësishme në jetë, sepse: “Në rend të parë urata, përkujtimi, si përgatitje për takimin tonë më të thellë me Zotin, për Kungimin Shenjtë dhe për jetë, që Atë ta takojmë, ta njohim dhe t’i shërbejmë përmes njerëzve”.

Gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, edhe urata kërkon përgatitje të vazhdueshme shpirtërore, kërkon që secili njeri, besimtar i devotshëm të çlirohet nga problemet e përditshme, të mos mendojë keq, t’i kthehet vetvetes, t’i kthehet dashurisë ndaj të afërmve, të krijojë një devotshmëri shpirtërore për të biseduar me Zotin, për të jetuar pranë tij dhe me të, për të qenë të Zotit! Nëna Terezë, kur i thoshte këto mendime, kishte para­sysh njëherazi se njeriu bashkëkohor i kohëve moderne është i stërngarkuar me problemet e përditshme, me ambiciet e pakufi­shme për pushte, karrierë, pasuri, pushtime, dhe se për këtë ai është i zbrazët, pa përmbajtje, pa dashuri njerëzore për veten dhe për të afërmit e tij. Sigurisht se njeriu i kohëve të sotme, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, është i pushtuar nga frika prej vetmisë, i mungon qetësia shpirtërore dhe siguria në vete. Në një gjendje të tillë ai është gjithnjë e më tepër edhe më larg Zotit dhe madje përjeton një lloj paranoje për t’u takuar me Zotin. Dhe çfarë është edhe më e keqja, ai nuk ka as kohë të meditojë për Zotin e lëre më të bëjë uratë për Zotin e për veten! Por, urata për njeriun e hutuar të përditshmërisë sonë është më vështirë e realizueshme sepse, sipas mësimeve të Nënës Terezë, nuk ka uratë pa qetësi dhe stabilitet të plotë shpirtëror, pa e zbuluar Zotin vetë! Pa uratë humbet kuptimi i jetës, prandaj shumë individë dhe familje të jetës së sotme moderne e kanë humbur orientimin. Prandaj, siç konstatonte Nëna Terezë, ata janë të pakënaqur, jetojnë me depresione, me frikë dhe shqetësim në shpirt , për të sotmen dhe të nesërmen. E ardhmja e tyre gjithnjë është e pasigurt, sepse e kanë harruar uratën. Më 12 prill të vitit 1968 Nëna Terezë foli: “Puna pa dashuri është një robëri. Kisha kërkon prej nesh përtëritjen”. “Përtëritja” nuk domethënë ndërrim i ligjeve, normave apo ndërrim i uratës. Ndërrimi – përtëritja – domethënë në rend të parë besnikëri Zotit dhe besnikëri rregullave, ose edhe më mirë frymëzimit, “shpirtit të Rregullave, të Rregullit”. Edhe në letër­këmbimet familjare Nëna Terezë jep këshilla për uratën. Në këtë kuptim, tejet sublime është porosia që ajo i shkruan, veç të tjerash, Lazrit në letrën datës 15. 04.1978: “…Lutu vëlla i jem e bane jetën e jote plot me dashuni t’Zotit…”! Kurse në letrën e datës 10.06.1978 ajo shkruan: “…Zoti dashtun ka nji dashni tmadhe për mua e kështu ai asht gjithmonë tuj kujtue për mua…”! Në frymën e një renesance të re të filozofisë kristiane, Nëna Terezë ishte edhe më largpamëse kur thoshte: “Këtu unë jam shërbëtorja juaj, Zoti im, le të bëhet vullneti yt”! Me këtë fjalë, me këto cilësime Nëna Terezë dëshmon nga brendia e shpirtit të saj të përvuajtur se sa e madhe është forca dhe prania e Zotit në jetën e njeriut. Ajo me këtë, po ashtu, tregon qartë se cila është rruga drejt Zotit. Kishte të drejtë kur thoshte se: “…nëse e duam njëri-tjetrin, kjo është shenjtëria e gjallë. Nga kjo shenj­tëri ne mund të jemi dashuria e Zotit, mëshira e Zotit në mbarë botën…”. Me këtë qasje, me këso filozofia, që më tepër i ngjan një antropologjie hyjnore,  Nëna Terezë e demitizon shenjtë­rinë, sepse shenjtërinë e zbret në rrethanat e jetës së përditshme në vet shpirtin e secilit njeri besimtar: “Të jeni shenjtë, sepse shenjtëria nuk është vetëm për disa vetë. Shenjtëria është detyra e jonë e përbashkët…”. Prandaj bën thirrje që të çlirohemi nga vetvetja, nga robëria jonë e brendshme, nga çdo gjë që vlerë­sojmë se nuk i përket Zotit. Në këtë mënyrë, gjithnjë sipas mësi­meve të Nënës Terezë, njeriu është më i devotshëm t’i shërbejë të afërmit, të varfrit, skamnorit, të padashurit, të lënit në vetmi e në harresë, pa përkujdesje shoqërore. Ajo u besonte thënieve të saj, sepse vetë ishte shembull i asaj devotshmërie, që shkon deri te shenjtëria, deri te Zoti: “Dua ta lë anësh vullnetin tim, në jetën time, për t’ia kushtuar Zotit dhe të afërmit”.

Nëpër botë

Kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet nga themelimi i Shoqa­tës “Misionaret e Dashurisë” e cila në krye me Nënë Terezën kishte shënuar afirmim historik në Indi. Në këtë mënyrë, me përkujdesje të përhershme e të vëmendshme të Nënës Terezë, po shënohej përparim i Kongregatës së re. Motrat që ishin përreth dhe së bashku me Nënën Terezë kishin krijuar përvojë të bollshme në veprimtarinë e misionit humanitar. Ato po për­forcoheshin gjithnjë e më tepër me postulatat themelore të mis­ionit të ri, pra në frymën e katër kushteve rregullare. Kjo mun­dësonte që aspiratat dhe vullneti i Nënës Terezë të shtrihej edhe jashtë kufijve të Indisë, pra që, dashuria e saj, kujdesi ndaj të varfëve, të pastrehëve, të lënëve rrugëve të errëta të kësaj bote, t’i prekte edhe ata njerëz të pashpresë e të lënë në harresë në shumë vende të botës moderne. Po afrohej çasti kur veprim­taria dhe angazhimi humanitar i Nënës Terezë të zgjerohej në ato drejtime të cilat ajo kishte kohë që i ëndërronte. Bota moderne e epokës së Nënës Terezë edhe ashtu po kalonte nëpër vështi­rësi gjithnjë e më të papërballshme, të cilat kërkonin kujdesin, shpirtin, afërsinë, dashurinë e Nënës Terezë. Nëna Terezë e ndiente thellë në shpirt se tirrja e Zotit po zgjerohej, se ajo po kërkonte që ajo të jetë sa më shumë pranë njerëzve të lënë. Këtë projekt të ri, këtë shtytje dhe ecje të re drejt lirisë universale të njeriut bashkëkohor dhe drejt thirrjes e dashurisë së Zotit, ajo, pra Nëna Terezë, më vonë do ta cilësojë si “hap i tretë i jetës sime. Kjo, pra pas thirrjes së parë dhe thirrjes së dytë të Zotit.

Kështu, fillimisht motrat e Nënës Terezë që punonin në Shoqa­tën “Misionaret e Dashurisë” u vendosën në Rançi pse Chota Nagpur Mission, që ishte pjesë e arqipeshkvisë së Kalutës. Pra, shtëpia e parë jashtë Kalkutës u hap më 26 maj të vitit 1959, dhe kjo dëshmoi se përpos dioqezës së Rançit, edhe dioqezat e tjera kishin nevojë për motrat e Nënës Terezë, sepse numri i popullatës së varfër, që jetonte në mjerime e me sëmundje nga më të ndryshmet, ishte i madh. Delhi më pas ishte qyteti tjetër indian në të cilin u vendosën motrat e Nënës Terezë. Ishte edhe kërkesë shtesë e arqipeshkvit që në mënyrë sa më autentike dhe më besnike të përhapej besimi i krishterë përmes Nënës Terezë. Madje në hapjen solemne të shtëpisë së parë në Delhi kishte ardhur edhe kryetari i atëhershëm i Indisë, Nehru, me disa anëtarë të qeverisë. Shtëpia e tretë jashtë Kalkutës u hap në Jhansi në vitin 1960. Fillimisht motrat punonin me fëmijët e varfër dhe jetimë, mirëpo më pas edhe me të gërboluarit, të varfrit, të sëmurët, të moshuarit  etj. Shtëpia e re e Shoqatës “Misionaret e Dashurisë” u hap edhe në Bombay. Shtypi ven­dor, ai i Bombait, i cili fillimisht e kishte kritikuar misionin e Nënës Terezë,  më vonë shkroi lëvdata: “Tani më në Bombay askush nuk vdes në rrugë, pa askënd. Një grua e vogël me shtat, Nëna Terezë, por tejet e madhe me shpirt, e mrekullueshme në zemër të mirë, me motrat e saj lufton ditë e natë kudër vdekjes, kundër gërbulës, kundër varfërisë… Kjo është dhurata e Zotit për ne…”. Pikërisht në këtë kohë, Papa Pali VI e kishte vizituar Bombayn dhe së bashku me Nënën Terezë kishin vizituar disa lagje të varfra të qytetit si dhe disa organizata bamirëse. Papa kishte ngelur i entuziazmuar me kujdesin dhe përkushtimin e Nënës Terezë dhe motrave të saj. Pas kësaj vizite të Papës në Indi, dhe pas përkushtimit të jashtëzakonshëm të Terezës, ishin hapur edhe shtëpi të tjera në Indi si në: Patna, Parignash, Goi, Darjeeling etj. Më vonë, “Misionaret e Dashurisë” u bënë pjesë e pandashme e të gjitha dioqezave në Indi.

Në vitet e afirmimit gjithnjë e më të madh të Nënës Terezë në botë, nga shumë vende të botës vinin kërkesat për ndihmën e saj, kurse ajo duke u shprehur e gatshme për të vepruar e ndih­muar njerëzimin, e kishte një të vetmin refren të përgjigjes: “Këtu jam shërbëtorja juaj, Zoti im, le të bëhet vullneti yt”!

Fillimisht Venecuella ishte vendi i parë, pra jashtë Indisë, ku u paraqit nevoja dhe kërkesa e hapjes së një shtëpie të re misio­nare. Ftesë i kishte bërë Imzot Benitezit, ipeshkëv i Kokoratës, afër Karakasit, qytet ky shumë i varfër. Dihet se kur motrat e Nënës Terezë arritën në këtë vend gjeten një varfëri të skaj­shme, një mjerim që ishte po aq pikëllues sa edhe në Indi, e cila llogaritej si mozaiku i vuajtjes së njerëzimit. Në këtë qytet mun­gonin murgeshat, priftërinjtë dhe ishte tejet vështirë të zhvillohej aktiviteti bamirës. Shumë njerëz të besimit katolik as që ishin pagëzuar pas lindjes, jetonin në mënyrë shumë tradicionale, pa kurrfarë jete shpirtërore, kurse Zoti për ta ishte shumë, shumë i largët dhe i huaj! Kështu ishte kryesisht në shumë vende të Amerikës Latine, ndërsa vetë Nëna Terezë, në një prononcim lidhur me aktivitetin e “Misionareve të Dashurisë” në ato shtete kishte thënë: “ Është fushë shumë e gjerë për apostullat. Çfarë varfërie! Çfarë padrejtësie, mjerimi, urie dhe etjeje për Zotin!”.

Por në ato vite edhe në Evropë kishte nevojë për ndihmën, dorën dhe shpirtin e Nënës Terezë. Kështu, pas disa kërkesave të mëhershme të Nënës Terezë, që edhe në Romë të hapte një shtëpi për të varfër e të pastrehë, në mars të vitit 1968 Papa Pali VI përmes një ftese të veçantë e kishte ftuar Nënën Terezë për ta hapur një shtëpi misionare në Romë. Lidhur me këtë vizitë në Romë, Nëna Terezë deklaronte: “Nuk mund të refuzoja ftesën e Papës. Gjatë bisedës sime me të, unë i thashë: Shenjtëria Juaj, jam e gatshme të hap një shtëpi në Romë, por vetëm nëse ka njerëz të varfër…”. Gjatë vizitës që Nëna Terezë i kishte bërë Qytetit të Përjetshëm dhe rrethinave të tij, kishte fituar përshty­pjen se në Romë kishte numër të madh të varfërish. Prandaj në takimin e serishëm me Papën, Nëna Terezë, me një stil të lehtë humori shqiptar, i kishte thënë: “Shenjtëria Juaj, duket sikur Zoti na ka rezervuar nga një punë për ne kudo, në ndonjë lagje a qytet…”. Kështu filloi aktiviteti i “Misionareve të Dashurisë” në Romë, qendrën e katolicizmit, në mënyrë që për disa vjet radhazi në të hapeshin shtëpi, strehë, noviciate të ndryshme dhe më pas edhe vendstrehim për të pashtëpitë, pranë sallës së audiencës “Pali VI”, në Vatikan, një dhuratë personale e Papë Palit II, që quhet “Dhurata e Marisë së Virgjër”. Kjo përvojë “romane” së shpejti u përhap edhe në qytetet e tjera të Italisë, ku dashuria e Nënës Terezë “pushtoi” mijëra të varfër, të pastrehë por edhe shtresa tjera qytetarësh italianë.

Ndërsa në Evropë ka shumë qendra të “Misionareve të Dashurisë” si në: Austri (1), Belgjikë (2), Finlandë (1), Francë (2 ), Gjermani (5), Britani të Madhe ( 6), Greqi ( 1 ), Irlandë (1), Itali (12), Holandë ( 1 ), Poloni (3), Portugali (2),Spanjë (2), ish –Jugosllavi (4), Rusi (2), Skoci (1), Rumani (1), Hungari (1), Kosovë ( 1 ), Shqipëri ( 7 ).

Radha i erdhi pastaj Lindjes së Mesme, e cila aq shumë vaun pikërisht nga konfliktet fetare. Shtëpia e parë e Shoqatës “Mis­ionaret e Dashurisë” në Australi u hap në vitin 1969 dhe tani funksionojnë gjithsej 8 sosh. Më pas shtëpi e ngjashme u hap edhe në Aman, në vitin 1971, pastaj në Gazë, në Jemen, në Siri, Liban, në Jordani, në Sudan, në Izrael.

Në Azi ndërkaq “Misionaret e Dashurisë” janë të vendosura dhe funksionojnë në: Bangladesh, Hong Kong, Japoni, Kore Jugore, Makao, Nepal, Pakistan, Filipine, Singapor, Sri- Lankë, Tajvan.

Kurse në Amerikën Veriore në Kanada, ShBA. Në Amerikën Qendrore, në Kubë, Republikën Dominikane, El Salvador, Granadë, Haiti, Honduras, Porto- Rikë . Në Afrikë ndërkaq në: Benin, Burundi, Kamerun, Egjipt, Etiopi, Ganë, Keni, Mada­gaskar, Mauricius, Nigeri, Ruandë, Sudan, Tanzani.

Gjithë kjo shtrirje e Shoqatës “Misionaret e Dashurisë” i ka mundësuar Nënës Terezë që vërtet të jetë, siç kishte thënë Bill Klinton, “vigan i shekullit XX”, prandaj me të drejtë shprehej: “…Gjëja më e bukur për mua është të jesh në gjendje të vësh në jetë dashurinë universale, sidomos ndaj atyre që vuajnë”. Kështu fjala vjen, kur në vitin 1972 në Bangladesh u hapën disa shtëpi të motrave të Nënës Terezë, qëllimi ishte që, veç të tjerash, të shpëtoheshin gratë dhe vajzat e përdhunuara dhe fëmijët e tyre. Kjo, sepse shumica e grave të përdhunuara për t’i ikur turpit, bënin vetëvrasje, kurse të tjerat i mbysnin fëmijët e palindur apo të sapolindur. Në këtë mision paqe njerëzore dhe dashurie të Zotit ajo pranonte se: “E di se ne jemi vetëm një pikë uji në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, mirëpo po të mos ishte kjo pikë, mjerimi dhe vuajtja e njeriut do të ishte edhe më e madhe”. Ajo ndërsa e kuptonte më së miri, në thellësinë e shpirtit të saj se çfarë do të thoshte një buzëqeshje, një gëzim, një dashuri më shumë për njeriun e vuajtur të kohëve moderne. Nëna Terezë thoshte: “…Njerëzit që nuk kanë gëzim, dashuri, marrëdhënie njerëzore, vuajnë tmerrësisht”.

Vitet 1990-1995 shënuan përparime të mëdha të Shoqatës “Misionaret e Dashurisë”, sidomos në hapësirat gjeografike të ish vendeve komuniste, pra edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Gjatë këtyre viteve, dhe përgjithësisht në vitet e nëntëdhjeta në vende të ndryshme të botës u krijuan edhe qendra për rehabiliti­min e të sëmurëve nga AIDS.

Në vitin 1993 Papa vizitoi Shqipërinë dhe në pritjen e tij ishte edhe Nëna Terezë. Veç të tjerash Papa kishte thënë: “Me per­sonalitetin e Nënës Terezë, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike. Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë Bijë të Tokës suaj, të popullit tuaj”. Fjalët e Papës ishin një mirënjohje e madhe, historike jo vetëm për Shqipërinë, Atdheun e Nënës Terezë, por edhe për mbarë popullin tonë sepse, siç kishte thënë Kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë: “Nuk është popull i vogël ai që e ka dhënë një nënë kaq të madhe”.

Më 28 tetor 1996 kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli Nënën Terezë “Qytetare Nderi të Republikës së Kosovës”, kurse në të njëjtin vit, Sali Berisha, kryetar i Shqipërisë, e kishte nderuar Nënën Terezë me “Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar”.

Në gusht të vitit 1997, pra një muaj para se të ndërronte jetë Nëna Terezë, u zgjodh dhe u shpall “Personaliteti i Shekullit XX” në Francë, Spanjë, Angli, Holandë dhe në Suedi. Më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e madhe fisnike, zemra e dashurisë dhe e vuajtjes njerëzore e Nënës Terezë. Ajo u shpall “Personaliteti i Shekullit XX” në mbarë botën.

Nëna Terezë fjeti, kujtimi për të rron

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, e cila me shumë mburrje deklaronte se “me prejardhje dhe me gjak jam shqiptare”, gjith­monë ishte lutur për kombin tonë, për fatin e tij, prosperitetin dhe lumturinë. Ajo e dinte se rruga e popullit tonë nëpër sfidat e historisë ishte shumë e vështirë, me shumë të papritura dhe me shumë padrejtësi që i bën regjimet e epokave të ndryshme. Prandaj sa herë që kishte pasur rastin, jo vetëm në takime me vëllezër, motra dhe miq shqiptarë, ajo lutej që Zoti ta bekonte popullin tonë, që Zoti t’i bënte dritë ecjes së kombit tonë drejt një jete më të lumtur, drejt dashurisë mes vete, drejt kthimit kah Zoti i tij, drejt bashkimit në një shtet etnik, ideal i përmotshëm i të gjithë shqiptarëve.

Është e vërtetë se historia e kombit tonë të ndarë, historia e regjimeve nëpër të cilat kaloi ai, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në trevat tona etnike në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, por edhe vetë ngjarjet e kohës, nuk i mundësuan Nënës Terezë që të jetë më shumë e pranishme në gjirin e popullit nga i cili doli. Kjo, pra jo që ajo nuk dëshironte të ishte sa më afër popu­llit të saj por, në të shumtën, rrethanat historike shoqërore, poli­tike, kulturore dhe sidomos ideologjike pamundësuan kontakte, takime, bashkëbisedime më të shumta midis Nënës Terezë dhe pjesëtarëve të kombit tonë. Sidoqoftë, është e ditur se krerët e Kishës katolike shqiptare bën përpjekje që të jenë të kujdes­shëm ndaj autoritetit të Nënës Terezë, duke i shprehur nderime dhe respekt të merituar. Ç’është e vërteta, Kosova dhe populli i saj, sidomos udhëheqësit fetarë të Kishës katolike shqiptare, kishin pasur mundësi që të kenë një përkujdesje më të madhe dhe më të shpeshtë për Nënën Terezë, e cila, megjithatë, jetonte dhe vepronte në një largësi të madhe gjeografike prej tokave, hapësirave shqiptare. Nëna Terezë për herë të parë e vizitoi Shqipërinë vetëm në vitin 1989, ndonëse asokohe, në atdheun tonë të përbashkët, ende po sundonte regjimi komunist. Ishte viti 1989 kur regjimi komunist në Shqipëri i lejoi Nënës Terezë që të vinte në atdhe. Por, para kësaj Nëna Terezë, në moshë të thyer, dhe e shqetësuar shumë se, ndoshta, nuk mund ta prekë varrin e nënës Drane dhe të motrës Agë, kishte dërguar tri letra në adresë të autoriteteve shqiptare për t’ia lejuar vizitën. Veç të tjerash, në letrën e tretë dërguar personalisht Nexhmije Hoxhës, shkruante: “… Si grua, si nënë që të më lejoni të vij në Shqipëri para se të mbyll sytë për herë të fundit, dua ta shoh varrin e nënës dhe të motrës…”. Dhe në vitin 1989 nga Budapesti i Hungarisë, Nëna Terezë, e lutur të jepte ndonjë porosi për popullin tonë, kishte deklaruar: “Po, unë gjithmonë bart në zemrën time popullin tim shqiptar dhe i lutem Zotit për paqe dhe prosperitet, për një të ardhme më të mirë. Dëshiroj t’i për­shëndes të gjithë me këto fjalë: Ju dua, Zoti ju do, Zoti ju bekoftë”!

Më pas, në vitin 1991, Nëna Terezë sërish kishte ardhur në Shqipëri dhe me atë rast i ishte lejuar hapja e misionit në vend. Dhe, për çudi, pikërisht motrat misionare të Nënës Terezë, kishin shkuar në burg për ta vizituar Nexhmije Hoxhën dhe për t’i dërguar libra për lexim. Në gusht të vitit 1992, derisa Ramiz Alia po vuante dënimin nga regjimi i ri demokratik shqiptar i sapoardhur në pushtet, Nëna Terezë, ai shpirtbardhë shqiptar, nuk e kishe harruar dhe i kishte dërguar një letër falënderimi. Ajo e njoftonte për hapjen e misionit “Misionaret e Dashurisë” dhe, veç të tjerash, i shkruante: “E të lutemi së bashku për popullin tonë. Lutu dhe ti! Zoti të bekoftë”! Megjithëse regjim komunist, regjimi në Shqipëri, udhëheqja e saj në me krye Ramiz Alinë në vitin 1991, duke u treguar dukshëm më të moderuar, kishin miratuar dy vendime që kishin të bënin me nderimin e veprës së Nënës Terezë për së gjalli. Vendi i parë kishte të bënte me themelimin e “Urdhrit Nëna Terezë” të klasës së Parë dhe të Dytë dhe vendimin që Nënës Terezë t’i jepej pasaporta shqiptare. Të dyja këto vendime u realizuan për së gjalli të Nënës Terezë dhe, ndoshta, sadopak, atdheu Nënë i Nënës Terezë u tregua më i butë, më i dashur e më i afërt ndaj Nënës sonë – Gonxhe Bojaxhiu! Në vitin 1993, kur Papa erdhi ta vizitonte Shqipërinë, në atdhe erdhi për ta pritur dhe nderuar edhe Nëna Terezë, dhe që tani mund të thuhet se ajo vizitë e përbashkët e Papës dhe e Nënës Terezë ishte historike. Ndër të tjera , me atë rast, pra më 25 prill 1993, Papa kishte deklaruar para qindra mijëra shqiptarëve në Tiranë: “… Edhe në kohën e izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e më të varfërve, ishte ajo që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj… Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike. Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë Bijë të Tokës suaj, të popullit tuaj… Zoti ju bekoftë!”. Edhe sot nga kjo distancë historike pyesim: a mund të kishte bekim më të madh seç i kishte bërë Papa popullit tonë atë ditë të 25 prillit të vitit 1939? Kurse një ditë para se ta pranonte Çmimin Nobël për Paqe, nga Oslo e Suedisë, shkruante: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijë në zemrat tona, të gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”!

Në Kosovë Nëna Terezë kishte ardhur pesë herë, në vitin, 1970, 1978, 1980, 1986 dhe 1988. Në Prizren kishte qëndruar më 9 qershor të vitit 1970, pastaj kishte shkuar në Shkup për t’u kthyer së pari në Ferizaj e pastaj sërish në Prizren. Ditën e diel, të 12 korrikut 1970, ajo, pas meshës së mbrëmjes, kishte folur para masës së gjerë të besimtarëve katolikë. Qytetarët e Priz­renit, në radhë të parë, anëtarët e famullisë së Prizrenit, kishin pasur rastin ta dëgjojnë dhe ta shohin. Ajo, gjithashtu, kishte vizituar Kishën e re të Shën Kolit në fshatin Veleshtë afër Pri­zrenit. Pastaj kishte shkuar në Gjakovë, ku kishte vizituar kuvendin françeskan si dhe motrat e “Shna Krygjës”. Nga Gakova kishte vazhduar për në Bishtazhin, për të parë ndërti­min e kishës së sapofilluar “Zonjës Rruzare”.

Secila ardhje në Kosovë ishte një ditë e madhe jo vetëm për Nënën Terezë, sepse po kthehej te rrënjët e veta kombëtare e të gjakut, por shënonte një gëzim të madh dhe frymëzim për besimtarët katolikë. Ajo, si zakonisht, lutej dhe e bekonte kom­bin tonë. Kështu, gjatë vizitës në Binçë në vitin 1980, në një mesazh të përcjellë përmes lexuesve të revistës fetare “Drita” porosiste: “Dashnija fillon në familje. Dhe familja që lutet mbe­tet bashkë. Na kemi shumë me u fal, ndërsa Zotit për gjithë t’mirat qe dashnija e Zotit ka dhan për familje tona”. Edhe në vitin 1997, kur e kishin pyetur për zhvillimet në Kosovë, ajo kishte deklaruar në formë lutjeje dhe bekimi: “Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë…”!

Sigurisht se lutjet, bekimet dhe porositë e Nënës Terezë për kombin tonë ishin shumë kuptimplotë dhe domethënëse. Me to ajo tregonte se pavarësisht se ku gjendet, dhe pavarësisht se sa angazhime ka nëpër mbarë botën, ajo e mbante thellë në zemër, në shpirtin e saj kombin tonë, historikisht të përvuajtur, të ndarë, të sunduar dhe të përçarë. Një nga porositë e saj uni­versale të drejtuara gjithmonë kombit tonë ishte se nuk duhet harruar Zotin, se ti kthehemi Zotit, dashurisë së tij, bekimit të tij, se dashuri e tij rrezaton që nga familja e deri te vet shoqëria. Në fakt, kishin pasur të drejtë ata që kishin shkruar se edhe pse Nëna Terezë nuk ishte deklaruar për zhvillime dhe situata poli­tike në botë, ajo, megjithatë, si një ndër gratë më të pushtet­shme në historinë moderne të njerëzimit, zbatonte politikën e Selisë së Shenjtë (Vatikanit). Kjo do të thotë se me fuqinë e ideve të saj ajo ka bërë ndikime të drejtpërdrejta te shumë qeveri të botës dhe te shumë kryetarë shtetesh e personalitetesh të tjera madhore. Mund të thuhet se, si një motër nderi, me mision të krishterë, ajo kishte arritur të krijonte një perandori të vërtetë, të pamposhtur humaniteti, duke rrezatuar me paqe, dashuri dhe thirrje që t’i kthehemi Zotit e të jemi më pranë Tij. Ajo drejtoi misionin prej 3 600 murgeshash në rreth 600 sta­cione në 122 vende të botës. Në këtë propagandim  të filozofisë kristiane, gjithnjë në frymën e mësimeve të Zotit e të Krishtit, Nëna Terezë deklaroi: “E ardhmja nuk është në duart e mia. Zoti do të vendosë. Ai më zgjodhi mua, ai do të zgjedhë një tjetër për ta vazhduar punën”. Filozofia e saj jetësore ishte: “Të braktisurve t’u jepet ndjenja se i përkasin një bashkësie dhe se ka njerëz që i duan”. Kush ndihmon të tjerët, kush i do të tjerët, gjithnjë, sipas saj, edhe ndien dashuri.

E tillë ishte filozofia e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shenjtores e cila iu përgjigj thirrjes së Zotit. Prandaj, më 5 shtator të vitit 1997 Nëna Terezë nuk ka vdekur. Ajo ka fjetur sikur të gjithë shenjtorët e tjerë dhe do të zgjohet sa herë që ne besimtarët e thërrasim dhe i lutemi për ndihmë. Ne, në radhë të parë shqiptarët, mund të vazhdojmë të lutemi në frymën e shpirtit terezian: “Hirësia e saj i mbuloftë me urata muret e Kështjellës sonë”!

Marrë nga numri 18 i revistës “Akademia”