Policia Helene ka kërkuar në policinë Shqiptare, informacion mbi aktivitetin kriminal të Roan Brahimit, i cili disa ditë më parë mbeti i vrarë në Greqi gjatë një atentati të mirëorganizuar.
Të dyja policitë janë duke bashkëpunuar përmes njëra-tjetrës duke shkëmbyer informacion rreth disa emrave të shqiptarëve të mundshëm që mund të jenë implikuar në këtë vrasje mafioze.
Për herë të fundit kur oficerët e policisë së Tiranës kanë kontrolluar banesën e Roan Brahimit alias Sidorel Prendi, ka qenë në muajin Mars 2024.
Vila luksoze e ndodhur në një kompleks rezidencial në zonën e Lundrës, është kontrolluar nga policia gjatë aksionit për kapjen e autorëve të dyshuar në vrasjen e Gentjan Bejtjas. Por gjatë aksionit aty u gjend vetëm gruaja dhe fëmijët e Roanit.
Kontrolli është kryer menjëherë pasi policia kishte kontrolluar shtëpinë e Ilir Beqaraj alias Brahimit, i cili sipas burimeve të policisë, është vëllai i gruas së parë të Roan Brahimit në Shqipëri (Kunati).
Ilir Beqaraj, aktualisht ndodhet në burg së bashku me punëtorin e tij Edison Haxhiu. Por arrestimi i tyre si pjesëmarrës në vrasjen e Bejtjas dhe kontrolli i vilës me qëra të kunatit të tij, Roan Brahimi, ngriti pikëpyetje edhe për të.
Këto informacione tashmë i kanë shkuar dhe policisë Helene. E veç këtij rasti, emri i Roan Brahimit ndodhet në kartotekat kriminale të policisë, si i dyshuar në disa ngjarje të rënda nga dy atentatet ndaj Ylli Brahimit, vrasjen e Manecit, hasmërinë e gjakmarrjes me familjen Gjeloshi në Lezhë dhe deri tek dyshimet për pjesëmarrjen e tij tek masakra e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Briland Martinaj dhe Besmir Hoxha.
Për herë të parë emri i Roan Brahimit u lançua në media nga ish-Drejtori i Policisë së Lezhës, Olti Bistri, i cili gjatë një njoftimi në muajin dhjetor 2021 tha se kishte shpallur në kërkim Roan Brahimin, Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit të PS Rahman Rraja dhe Alesio Dobruzin si autorët e terrorit të ushtruar me armë zjarri në ambjentet e një bilardoje.
Tre personat ikën me shpejtësi nga Rinasi në drejtim të Dubait, duke mos u arrestua nga policia. Ndërsa pak muaj më vonë çështja kundër tyre pushohet në prokurorinë e Lezhës.
Hetuesit në Shqipëri thonë se vrasja e Roan Brahimit, vjen si pasojë e një sage eliminimesh fizike, që ka nisur qysh prej vitit 2014 në qytetin e Lezhës dhe konflikti vijon të qëndrojë i hapur, duke marrë jetë njerëzish.
Pista kryesore e ekzekutimit të Brahimit alias Sidorel Prendi në Athinë lidhet me një histori të vjetër gjakmarrje, mes dy familjeve Prendi dhe Gjeloshi.
Në vitin 2014, poshtë urës se vjetër të Milotit, është vrarë në atentat Taulant Prendi dhe Klodian Ndreca, ndërsa u plagos rëndë Aurel Prendi. Taulanti dhe Aureli, ishin dy djemtë e xhaxhait të Roan alias Sildi Brahimit alias Prendit.
Ndërsa pista tjetër, lidhet ngushtë me aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri, i cili në këtë periudhë “lundronte” mes miqësisë së Ramazan Rrajës në Fushë-Krujë aktualisht në burg për trafik kokaine dhe Plaurent Dervishaj nga Durrësi, që prej disa vite jeton në Dubai si person në kërkim nga SPAK.
Roan alias Sildi Brahimi, është djali i xhaxhait të gruas së Ylli Brahimit, njeriut të Ervis Martinaj. Ylli Brahimi, i ka shpëtuar dy atentateve të bujshme në zonën e Milotit.
Në këto dy atentate Ylli Brahimi mbeti i plagosur rëndë, ndërsa miku i tij Klisman Preçi, mbeti i vrarë në vend. Në të dyja rastet është hetuar dhe dyshuar nga policia kriminale Roan alias Sildi Brahimi si organizator dhe autor i dy atentateve, për shkak të një mosmarëveshje që dy krushqit, kishin për tregtinë e drogës në Itali.
Mësohet se Roan Brahimi, miku i ngushtë i Ramazan Rajës, është dyshuar dhe marrë në pyetje edhe për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Arben Manecit në Durrës, i cili ishte mik i Landi Muharremit (Rrumit).