Greqia e Turqia morën udhëheqjen e OSBE-së, Qeveria shqiptare e tërhoqi kandidaturën e Igli Hasanit para aleancës së pazakontë

Greqia dhe Turqia përmes një bashkëpunimi të paprecedentë diplomatik arritën të marrin udhëheqjen e OSBE-s.

Pas shumë muajsh negociatash me dyer të mbyllura 57 vendet anëtare të kësaj organizate, në mënyrë unanime duket se do te zgjedhin ditën e premte turkun Ferudun Sinirlioglu, një diplomat karriere dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Turk Erdogan, në krye të kësaj organizate, transmeton Top Channel.

Ndërsa diplomatja greke Maria Telalian do të drejtojë ODIRIN-n.

Gazeta turke online Yetkin Report përmes një artikulli hedh dritë për të gjitha prapaskenat se përse paketa e Ferudun Sinirlioglu triumfoi përballë asaj të Shqipërisë dhe Holandës me kandidaturë ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë Igli Hasani.

Burime diplomatike kanë shpjeguar për këtë media turke se çelësi i suksesit ishte bashkimi i forcave mes Greqisë së Turqisë përfshi një kompromis diplomatik duke i hapur rrugën Sinirlioğlu në drejtimin e OSBE pasi të jetë aprovuar nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s.

Ky kompromis diplomatik shpjegohet me faktin se Greqia dhe Turqia gjatë dy dekadave të fundit kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të tejskajshme.

E pikërisht dalja me një propozim të përbashkët nga këto dy vende për kreun e OSBE-s është parë si një mundësi e mirë në ndikuarin pozitivisht në të avancuarin e klimës pajtuese mes dy vende.

Pikërisht ky ishte elementi kyç i dakortësisë për t’i dhënë fitoren Ferudun Sinirlioglu, element qe konfirmon që procesi i zgjedhjeve me konsensus të lidershipit të OSBE është i bazuar ne konsiderata gjeopolitike me shume se meritat individuale te kandidateve.

Top Channel  mëson se kjo simbolikë e paketës Turko-Greke dhe qëllimi më i gjerë kolektiv për të kontribuar në një normalizim te qëndrueshëm të marrëdhënieve turko-greke, ishte dhe arsyeja pas vendimit të qeverisë Shqiptare për tërheqjen e Igli Hasanit nga kandidimi për pozicionin e sekretarit të përgjithshëm.