Ndërmarrja Infrakos ka njoftuar se të martën janë hasur gurë të hedhur mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë. Sipas njoftimit, falë makinistëve të trenit është shmangur një fatkeqësi.
Infrakosi e ka dënuar aktin duke e quajtur të papranueshëm dhe që ka cenuar sigurinë e vendit.
“Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500. Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim. Infrakos dhe Trainkos dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës”, thuhet në njoftim.
Sipas reagimit, kjo pengësë ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat. “Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit”, thuhet në njoftim.
Infrakosi e Trainkosi kanë bërë thirrje për hetim dhe zbardhje të rastit, që autorët të marrin dënimin e merituar.